Lajmet

Office për iPad tashmë i disponueshëm në gjithë botën, ndërsa Office Mobile pa pagesë për iPhone dhe Android

Mar 28 2014
0 Shpërndarje
Office për iPad tashmë i disponueshëm në gjithë botën, ndërsa Office Mobile pa pagesë për iPhone dhe Android

Office-MobileGjatë ditës së enjte, Microsoft ka lançuar më në fund Office për iPad, duke sjellë më në fund suitën më të përdorur të produktivitetit edhe për tabletin më popullor në treg. Në postimin zyrtar në blog Microsoft shkruan se Microsoft Office është një suitë që përdoret nga mbi një miliard njerëz në botë. Kompania ofron tashmë tre programet kryesore të suitës: Word, PowerPoint dhe Excel, të personalizura për ndërfaqen me prekje si dhe vetë tabletin iPad. Ata shprehen se ka shumë opsione të cilat janë të optimizuara për iPad, ndërkohë që në të ardhmen do të shtohen edhe aplikacione të tjera. Tashmë, shprehet kompania, dokumentet do të duken më mirë se kurrë në iPad. Përdoruesit do të kenë mundësi t’i modifikojnë po aq lehtësisht sa edhe në versionin desktop. E gjithë suita është ndërtuar nga zeroja për versionin e iPad-it.

“Dokumentet do të duken po aq mirë sa edhe në PC apo Mac,” shkruan Microsoft në postimin zyrtar. Office për iPad integrohet mjaft mirë edhe me llogaritë në OneDrive dhe OneDrive for Business, duke iu mundësuar kështu përdoruesve të krijojnë për shembull dokumente në zyrë si dhe t’i modifikojnë apo t’i përfundojnë ato më pas në shtëpi. Çdo modifikim, edhe në qoftë se nuk suportohet nga versioni për iPad, do të qëndrojë i pandryshuar. Të gjitha opsionet për rishikimin apo ndjekjen e ndryshimeve do të jenë të disponueshme edhe në iPad.

Në Word, imazhet, tabelat, SmartArt-et, shënimet në fund të faqes, ekuacionet e importuara etj. gjenden të gjitha të formatuara në mënyrë perfekte. Ndërkohë në Excel, formulat, grafikët, formatimi i kushtëzuar, filtrat etj. do t’iu japin përdoruesve të njëjtën përvojë si në desktop. Edhe në PowerPoint nuk mungojnë kalimet nga një slide në një tjetër, animacionet, shënimet në fund të slide-ve etj. Ndërfaqja në iPad është shumë e lehtë për t’u përdorur për gjithë përdoruesit që janë mësuar me ndërfaqen në desktop. Gjithashtu suportohen edhe veçori të iPad-it si diktimi me zë apo AirPlay për projektimin wireless të prezantimeve në një ekran televizori. Një karakteristikë e rëndësishme është edhe ruajtja e faqes se ku keni punuar për herë të fundit, pavarësisht pajisjes se ku e keni aksesuar dokumentin.

Suita mobile mund të shkarkohet nga pajisjet që operojnë me iOS 7.0 e më lart. Ai është i disponueshëm në 29 gjuhë të ndryshme të botës dhe ofrohet në 135 tregje, përfshi Shqipërinë. Office për iPad mund të shkarkohet nga dyqani zyrtar App Store. Ndërkohë, abonimet Office 365 jo vetëm që ju ofrojnë aplikacionet Office për iPad në deri 5 tabletë, por ju ofrohet edhe pesë kopje të Office për PC-të apo Mac. Një lajm tjetër shumë i rëndësishëm është edhe fakti se Office Mobile, ashtu si në Windows Phone, është i disponueshëm pa pagesë për iPhone dhe Android. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>