Lajmet

Ookla: Shqipëria e 18-ta në botë për shpejtësinë e internetit mobil, e 95-ta për internetin fiks

Aug 13 2018
0 Shpërndarje
Në internetin fiks, Serbia ka një shpejtësi mesatare prej 34.56 Mbps, Mali i Zi 23.52 Mbps, Maqedonia 22.64 Mbps dhe Greqia prej 17.88 Mbps. Ookla: Shqipëria e 18-ta në botë për shpejtësinë e internetit mobil, e 95-ta për internetin fiks

Në Gusht të vitit 2017 Ookla, kompania e njohur për zgjidhjet që ofron në testimin e cilësisë dhe shpejtësisë së internetit mobil dhe atij fiks, nisi një projekt të ri të quajtur Speedtest Global Index i cili publikohet çdo muaj krahas raporteve që përpilon për vende të ndryshme të botës.

Speedtest Global Index është një panoramë e përgjithshme e ecurisë së indikatorëve të internetit mobil dhe fiks ku përfshihet edhe Shqipëria.

Duke u bazuar në rankimin mujor të  SpeedTest Global Index të muajit Korrik, shihet qartë që vendi ynë renditet në vendin e 18 për shpejtësinë e internetit mobil, duke lënë pas edhe për këtë muaj vende mjaft të zhvilluara si Italia, Finlanda, Gjermania, SHBA etj. Ajo që bie në sy është se Shqipëria ka fituar 7 vende nga muaji i kaluar.

Sipas raportit, shpejtësia e shkarkimit në Shqipëri nga shërbimi i internetit në celular shkon deri në 38.51 Mbps dhe shpejtësia e ngarkimit deri në 13.48 Mbps, duke kaluar mbi nivelin mesatar në botë që është 22.81 për shkarkim dhe 9.13 për ngarkim. Ky treg aktualisht dominohet nga Vodafone dhe Telekom Albania të ndjekur nga ALBtelecom.

Nga ana tjetër, në raportin e muajit Korrik, Shqipëria vijon të ketë një pikë të dobët dhe ai është interneti fiks. Megjithëse me kalimin e kohës gjërat kanë ndryshuar për mirë në frontin mobil, në atë fiks përmirësimet nuk kanë qenë aq të dukshme.

Bindshëm mund të themi që nuk ndodh e njëjta gjë me shërbimin e internetit fiks broandband ku me një humbje prej 4 vendesh nga muaji i kaluar, Shqipëria renditet në vendin e 95 me një shpejtësi shkarkimi 14.78 Mbps dhe shpejtësi ngarkimi 8.59 Mbps kur mesatarja globale është respektivisht 46.41 Mbps dhe 22.48 Mbps.

Për sa I përket vendeve fqinje, Shqipëria I ka lënë pas të gjithë fqinjët në sektorin e internetit mobil ndërsa në atë fiks fqinjët renditen më mirë . Konkretisht në internetin mobil Maqedonia ka një shpejtësi mesatare interneti prej 34.24 Mbps, Greqia 33.77 Mbps, Serbia 33.01 Mbps dhe Mali i Zi prej 31.81.

Në internetin fiks, Serbia ka një shpejtësi mesatare prej 34.56 Mbps, Mali i Zi 23.52 Mbps, Maqedonia 22.64 Mbps dhe Greqia prej 17.88 Mbps.

Në rang global, Singapori është vendi me shpejtësinë më të lartë mesatare të internetit fiks prej 181.47 Mbps. Katari është vendi me shpejtësinë më të lartë mesatare të internetit mobil prej 62.63 Mbps. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>