Lajmet

Operatorët ilegalë vazhdojnë transmetimin, ART e pafuqishme

Jun 19 2010
0 Shpërndarje
Operatorët ilegalë vazhdojnë transmetimin, ART e pafuqishme

Në një njoftim për media të Qeverisë së Kosovës është thënë se nën drejtimin e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, është mbajtur një takim për koordinim të veprimeve gjatë procesit të aksioneve për largimin e transmetuesve ilegal të telefonisë mobile në Kosovë.

Në kuadër të këtij zëvendëkryeministri Kuçi u kërkoi zyrtarëve të ART-së që të bëjnë koordinim më të mirë me të gjitha palët, në mënyrë që procesi të kryhet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të mos shkaktohen pasoja.

Përfaqësuesit e KPM-së kërkuan gjithashtu nga ART-ja që të kompensohen dëmet që u janë bërë disa transmetueseve lokalë, gjatë aksionit të ART-së për të shkyçur operatorët ilegalë të telefonisë mobile nëpër Kosovë.

Në takim, përfaqësuesit e ART-së u zotuan se do të marrin përsipër riparimin e dëmeve të shkaktuara, që janë bërë gjatë këtij aksioni dhe që janë bërë pa qëllim nga ART-ja.

Ndërkaq, përfaqësuesit e EULEX-it, ICO-së dhe KFOR-it në takim kanë theksuar domosdoshmërinë që aksionet e ardhshme të bëhen në koordinim të plotë, në mënyrë që të mos ketë pasoja dhe reflektime negative në asnjë aspekt.

ART pati paralajmëruar se komunat kanë afat për heqjen e antenave deri më 18 qershor dhe se pas kësaj date ato antena ilegale do të largohen nga territori i Kosovës.

Megjithatë, procesi i paraparë pas datës 18 qershor që përbënte fazën e dytë, duket se nuk do të ndodhë, sepse zyrtarë të EULEX-it, KFOR-it dhe ICO-së i kanë rekomanduar ART-së që të shtyjë për një fazë tjetër aksionin për heqjen e antenave të mbetura ilegale.

Lajmet e fundit>