Lajmet

Organizohet për herë të parë në Shqipëri Forumi Ndërkombëtar i Ekonomisë Kreative

May 12 2014
0 Shpërndarje
Organizohet për herë të parë në Shqipëri Forumi Ndërkombëtar i Ekonomisë Kreative

DSC_9451Në fundjavën që kaloi u organizua në Shqipëri forumi i parë i këtij lloji: “Creative Economy dhe Smart Development”. Mbi këto koncepte të reja në fushën e ekonomisë, Instituti “Adriapol”, në bashkëpunim me Universitetin “Marin Barleti”, nën kujdesin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, organizuan në datat 9 dhe 10 maj në Durrës, këtë Forum të Parë Ndërkombëtar, që kishte si qëllim vendosjen e marrëdhënieve të ngushta në  fushën e ekonomisë kreative midis Shqipërisë dhe vendeve të Rajonit. Gjatë këtij eventi u prezantuan ide dhe propozime konkrete për bashkëpunim, të bazuara në praktikat më të mira të vendeve të  tjera në zhvillim.

Në punimet dyditore të forumit, morën pjesë:  zëvendëskryeministri i Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi; ministri i Çështjeve Sociale dhe Rinisë,  Erjon Veliaj; ministrja e Turizmit,  Eglantina Gjermeni; ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito; Manjola Gjoni, drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve. Instituti Adriapol, që ishte dhe ideatori dhe organizator, u përfaqësua në Forum nga Drejtoresha e Forumit, Esmeralda Hasani; drejtori i Institutit, Jorgest Kovaçi, ndërsa Universiteti “Marin Barleti” u përfaqësua nga grupi i Arkitekturës i drejtuar nga profesori Spartak Bagllamaja.

Aktorë të tjerë të rëndësishëm që  morën pjesë ishin: Massimo Gaiani, ambasador i Republikës së Italisë në Shqipëri; Piero Liuzzi, senator, presidenti i Konsorciumit ‘’Consulting Puglia’’; Paolo Casalino, shefi i Rajonit të Puglia-s, Përfaqësia në Bruksel; Luigi De Luca, zëvendëspresident i ‘’Apulia Film Commission’’; Vincenzo Bellini, presidenti i ‘’Distretto Produttivo Puglia Creativa’’; Giovanni Schiavone, drejtor i Konsorciumit ‘’Consulting Puglia’’; Ioannis Ganas, zëvendësrektor i Institutit Teknologjik të Epirit; Marco Mancarella, zëvendësdrejtor i Laboratorit e-Government, Universiteti i Salentos.

Në ditën e parë të punimeve, në Forum u  diskutua mbi  strategjitë politike dhe bashkëveprimin ndër-sektorial për një  ekonomi të qëndrueshme e krijuese. Gjithashtu u diskutua edhe  koordinimi i niveleve të  ndryshme vertikale qeverisëse dhe politike, si dhe harmonizimi i aktorëve dhe faktorëve të ndryshëm ekonomikë, socialë dhe kulturore në rajone dhe qytete.

Në këtë forum u diskutua edhe mbi ringjalljen e ekonomisë përmes promovimit dhe krijimit të markave të kulturës rajonale, turizmit dhe industrive që lidhen me to; përdorimin e programeve mbështetëse të BE-së për të nxitur potencialin e kulturës, inovacionit dhe industrisë për zhvillimin në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar. Ide dhe propozime konkrete për bashkëpunim, që bazohen në praktikat më të mira të vendeve të tjera në zhvillim, etj. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>