Blog

Përparësitë e 3G-së për bizneset shqiptare

Feb 19 2011
0 Shpërndarje
Përparësitë e 3G-së për bizneset shqiptare

Pavarësisht kësaj, askush nuk mund ta mohojë faktin se vitet e fundit Shqipëria ka përparuar dukshëm në sektorin e teknologjisë informative dhe të telekomunikacionit- dhe prania e shërbimeve komunikuese si 3G e vërteton këtë gjë. Kjo e fundit pati ngjallur shumë reagime për shkak të kritereve për shpalljen e fituesit të licencës dhe çmimit të kërkuar (12.5 milionë euro) për monopolizimin e shërbimit. Me dhënien e dritës së gjelbër, në javët e para të janarit të këtij viti filloi edhe përhapja e sinjalit.

Por kujt do t’i hyjë në punë ky shërbim? Patjetër që do të ketë njerëz të cilët do ta shfrytëzojnë këtë avantazh, madje edhe bizneset do të mësohen me sistemin e ri komunikues në mënyrë që të shfrytëzojnë veçoritë më të fundit teknologjike të pajisjeve të tyre. Pajisje inovative si iPhone 4, iPad e Samsung Galaxy Tab kanë përjetuar shitje të mëdha në tregjet botërore dhe gjatë fundvitit të kaluar nisën të shiten edhe në tregun shqiptar. Duke lënë anash çmimin e tyre të lartë të shitjes, pajisjet në fjalë gjejnë një shfrytëzim shumë të mirë në sistemin komunikues 3G. Celulari iPhone 4 ose tableti Samsung Galaxy Tab në mesin e shumë veçorive mund t’ju ofrojnë përdoruesve edhe mundësinë e video komunikimit përmes 3G-së, që deri tani nuk ka qenë e mundshme të realizohet në Shqipëri.

Kompani të ndryshme anembanë botës – duke shfrytëzuar vegla me bazë në internet- e kanë adoptuar këtë teknologji për arsye të ndryshme profesionale, qoftë për komunikim me degë apo konsumatorë në pjesë të ndryshme të botës apo edhe për biseda më të “gjalla” me partnerë ose investitorë që e kanë të pamundur udhëtimin në një zonë të caktuar apo thjesht nuk parapëlqejnë komunikimin me e-mail.

Në mesin e produkteve komunikuese që kanë bizneset në Shqipëri, shfrytëzim gjejnë edhe pajisjet mobile të teknologjisë së fundit, të cilat kanë aftësi për video komunikim. Deri tani këto pajisje nuk ka qenë e mundur të shfrytëzohen për arsye objektive, por me vënien në funksion të shërbimit 3G problemet teknike janë evituar deri diku. Them deri diku për shkak se nuk është ndërtuar infrastruktura për të ofruar sinjal në çdo cep të Shqipërisë.

Pas tejkalimit të telasheve teknike, përparësitë nuk do të jenë të pakta, së paku në aspektin e veçorive. Do të kemi një moment kur njerëzit do të thonë: “A të flasim me video komunikim?” dhe “Prit një sekondë të ta demonstroj”. Madje do të ketë edhe një veshje më formale dhe paraqitje më serioze në komunikim.

Kosova ende me 2.5G / 2.75G

Për fat të keq, Autoriteti Rregullativ i Kosovës ende nuk ka sinjalizuar ndonjë datë për fillimin e implementimit të 3G-së. Për rrjedhojë, qytetarët e Kosovës ende nuk do të kenë mundësi të përjetojnë internet të shpejtë në pajisjet e tyre, të krahasueshëm me 3G. Kjo për shkak se operatorët e Kosovës ende ofrojnë shërbime që bazohen në standardin 2.5 dhe 2.75G.

Kosova gjithsesi duhet të bëjë kalimin në teknologjinë 3G dhe të jetë në hap me Shqipërinë dhe vendet e tjera të botës, por në anën tjetër duhet të kihet kujdes me rastin e shpalljes së tenderit për dhënien e licencës për ofrimin e shërbimit 3G, që të kërkohet një çmim i arsyeshëm dhe të mos synohet monopolizimi i tregut.

Lajmet e fundit>