Blog

Pa talent, zhvillimi ekonomik mbetet ëndërr

May 23 2011
0 Shpërndarje
Pa talent, zhvillimi ekonomik mbetet ëndërr

Asnjë shtet e asnjë organizatë nuk mund të mbetet konkurrente në treg nëse talentet (fuqia shtytëse e ekonomive botërore) nuk janë aty për të siguruar suksesin në kohëra turbulente, duke përballuar agjendën politike dhe sociale dhe duke shtyrë përpara hulumtimet dhe inovacionet. 

Sipas një raporti nga Forumi Ekonomik Botëror në lidhje me rrezikun e mungesës së talentit në nivel global, thuhet se pas 20 vitesh bota do të ketë nevojë për profesionistë të rinj të sektorit të biznesit, për inxhinier, doktor, specialist të IT-së, shkencëtarë, teknik, mësues e infermiere, të cilët në atë kohë mund të mungojnë, dhe mungesa e tyre mund të rrezikojë seriozisht ekonominë botërore.

Ashtu siç ka shumë aspekte të problemit, edhe zgjidhja e këtij problemi shtrohet në të njëjtën formë. Derisa retorika e sotme politike, si në tregjet e botës ashtu edhe në Kosovë vazhdon të fokusohet në “krijimin e vendeve të reja të punës”, analistët mendojnë se realizimi i këtij procesi do të jetë i lidhur ngushtë me shkathtësitë e nevojshme për të krijuar këto vende pune përmes edukimit dhe trajnimit. Të gjithë mendojnë se duhet të investohet për të ardhmen, duhet forcuar trajnime afatgjate të talenteve të rinj dhe rikualifikimin e atyre ekzistues. Për dallim nga vendit ynë, tregjet e zhvilluara botërore janë duke shqyrtuar mundësitë për të tejkaluar barrierat juridike në mënyrë që të lehtësohet tërheqja e më të mirëve dhe më të mençurve nga bota në ekonomitë e tyre. Po ashtu vërehet kujdes i shtuar edhe për mbajtjen e talentit brenda kufijve shtetëror. Në këtë aspekt Kosova ka punuar shumë pak. Çdo ditë të rinjtë tanë me potenciale të dalluara talenti po largohen dhe po gjejnë angazhim në tregjet botërore që vazhdojnë të mbeten të etura për talent.

Për shembull shtetet si Kanadaja. politikat e tyre i kanë fokusuar në tërheqjen e talentit të huaj dhe në integrimin e suksesshëm të tyre në tregun e vet të punës. Ata kanë aplikuar programe të thjeshtësuara për të bindur studentët që shkollohen, të qëndrojnë dhe të punësohen atje. Jean Charest, i pari i Quebec-ut në Kanada thotë se duhet të vëzhgohen praktikat më të mira të tregjeve të botës në mënyrë që të mbështeten talentet e së ardhmes, gjë që sipas tij është në të mirën e vendit.

Sipas statistikave, në vitin 2030 SHBA-ja do të ketë nevojë për më shumë se 25 milion punëtorë, ndërsa Evropa Perëndimore për më shumë se 45 milion. Të huajt që kanë edukim universitar apo edukim të ngjashëm përbëjnë vetëm 2% të tregut të punëtorëve të Evropës, 4.5% të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 8% të Australisë dhe 10% të Kanadasë. Kjo dëshmon qartë se kërkesa për punëtorë të kualifikuar është e lartë. Nga kompanitë botërore 25% e profesionistëve nga India dhe 20% nga Rusia konsiderohen si punëtorë të kualifikuar për punësim, ndërsa veç vullnetit të mirë për të marr hapa konkret në rishikimin e profesionalizimit të edukimit në Universitetet e Kosovës, asnjëherë nuk është bërë një analizë dhe një hulumtim i pozitës në të cilën gjendemi dhe çfarë kuadrosh na duhen e çfarë dërgojmë në treg. 

Shoqëritë e vendeve të zhvilluara po plaken…

Sipas raportit të Forumit Ekonomik Botëror në vitin 2050, shumica e shteteve të G7-ës dhe shtete si Brazili, India, Kina dhe Rusia do të kenë dyfish më shumë njerëz më të moshuar se 65 vjeç, dhe që të gjitha përveç Indisë do të kenë shoqëri më të moshuara sesa shoqëria e sotme më e moshuar në botë, që është Japonia. 

Në Kosovë askush nuk po merret seriozisht me statistikat e natalitetit dhe të ikjes së të rinjve nga vendi. Numri i popullsisë në raport ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve deri në vitin 2050 në Kosovë, nëse tërhiqet një paralele reale me trendet e tashme të zhvillimit, nuk është premtues, por brengosës. 

Statistikat reale bëjnë thirrje të qartë për hapat që duhet ndërmarrë secili shtet, gjithashtu edhe Kosova, për të mbajtur hapin me vendet në zhvillim. Kjo nuk do të thotë se duhet të ketë Universitet në çdo qytet, por nënkupton se duhet forcuar sistemin arsimor dhe duhet reformuar thellësisht çdo gjë të ndërlidhur me të. Në formën e tashme, talentet që po arsimohen në Kosovë po ikin dhe po punësohen në tregjet e botës, e gjithashtu as ata që po arsimohen jashtë nuk po kthehen, gjë që dëshmon se truri po ikën dhe nuk është larg mendjes se do të arrijmë një fazë të stagnimit të tërësishëm ekonomik, politik e arsimor, gjë që përputhet edhe me rreziqet e paralajmëruar në raportin e Forumit Ekonomik Botëror.

Sipas tij, hemisfera veriore po përballet me mungesa të talenteve në një shkallë të gjerë të profileve të punësimit për shkak se popullsia e tyre po plaket dhe standardet e edukimit janë të pamjaftueshme. 

Derisa SHBA-ja do ketë nevojë për 25 milion punëtorë të ri në mënyrë që në vitin 2030 të mirëmbajë një rritje të qëndrueshme ekonomike, Evropa do ketë nevojë për më shumë se 45 milion punëtorë të talentuar. Shtetet e hemisferës jugore edhe më tutje do të kenë tepricë punëtorësh për shkak të natalitetit stabil dhe ngecjes ekonomike në krahasim me botën e zhvilluar. 

Cilësia e pabarabartë mes sistemeve të edukimit në shtetet e zhvilluara dhe atyre më pak të zhvilluara është edhe një arsye pse punëtorët nuk po marrin trajnimin që ju duhet për të shtyrë para zhvillimin ekonomik global. 

Veprimi duhet të jetë i menjëhershëm

Kërkesat për profesionistë, teknikë dhe menaxher të edukuar mirë do të shtohen vazhdimisht deri në vitin 2020, dhe më tutje. Më të kërkuarit do të jenë talentet që mund të inkuadrohen në tregti, transport dhe komunikim në vendet në zhvillim e sipër. Edhe në fushën e hulumtimeve në shëndetësi dhe zhvillim do të ketë nevojë për punëtorë talent të profileve të ndryshme. Në fushën e minierave dhe industri të degëve të ndryshëm po ashtu do të ketë nevojë për planifikues të projekteve dhe ueb dizajnerë. Në një numër të madh degësh të prodhimit do të ketë rënie për shkak se teknologjia do të avancojë. Ekspertët sugjerojnë se për plotësimin e këtyre kërkesave duhet të fillojë menjëherë edukimi dhe kualifikimi i nevojshëm cilësor. 

Në vitin 2020, të diplomuarit duhet të jenë të pajisur me njohuri të larta të teknologjisë dhe të jenë në gjendje të përvetësojnë shkathtësi të kulturave të ndryshme. Cilido shtet apo kompani që vazhdon të bazohet në shprehitë e zakonshme të mësimit, pa krijuar një kulturë të mësimit të vazhdueshëm dhe pa përkrahje të inovacionit, do të përballet me krizë më të thellë. 

Ekspertët tërheqin vërejtjen se reagimi në këtë plan duhet bërë menjëherë në mënyrë që të evitohet mungesa e talenteve, duke siguruar kushte për shkollimin e tyre, duke lehtësuar migrimin, duke nxitur qarkullimin e lirë të trurit, duke hartuar dhe realizuar plane strategjike, duke rritur punësimin, dhe duke zbatuar politikat e lehtësimit të njohjes së licencave të grupeve të ndryshme të ndryshme të talenteve. 

Fuqitë botërore tashmë kanë filluar hapat konkret të punës në këtë drejtim. Vendet që nuk reagojnë me kohë, shumë shpejt do të përballen me pasojat e mungesës së talenteve të cilët i kërkon koha, pa të cilët zhvillimi ekonomik as që mund të mendohet.

(Autori është kryeredaktor i PCWorld Albanian dhe njohës i tregut të Teknologjisë Informative. Për ta kontaktuar dërgoni e-mail në [email protected] ose përcilleni në Twitter @celiknimani. Për lajme të përgjithshme nga PCWorld Albanian na ndiqni në @pcworldalbanian)

Lajmet e fundit>