Harduer

Pajisjet smartfonë të së ardhmes

Nov 27 2012
0 Shpërndarje
Pajisjet smartfonë të së ardhmes

Për çdo ditë, “ushtria“ e zhvilluesve, inxhinierëve dhe dizajnerëve punojnë në ndonjë teknologji të re mobile. Mjafton të kujtojmë se si dukeshin pajisjet mobile para pesë viteve, e si duken sot. Për këtë arsye është shumë logjike të shtrohet pyetja se si do të duken në pesë vitet e ardhshme dhe çfarë mundësish do të ofrojnë?

Natyrisht që nuk mund të parashohim me saktësi se çfarë do të na sjellë e ardhmja, por duke përcjellë trendet dhe risitë të cilat shkencëtarët prezantojnë gjithsesi mund të supozojmë një pjesë të vogël të asaj se çfarë na pret.

1) Dizajni fleksibël i smartfonëve/ekranëve

Edhe pse teknologjia brenda telefonëve në mënyrë konstante po zvogëlohet, përdoruesit ngadalë po mësohen në ekran më të mëdhenj. Standardi i sotëm për ekranët e telefonave të klasit të lartë ka kaluar 4,3 inç dhe sigurisht se diagonalja e tyre nuk do të zvogëlohet, por edhe më tutje (e vërtetë, ngadalë) do të rritet. Prodhuesit e telefonave ngadalë po rrisin diagonalet e ekranëve për shkak të nevojës të vazhdueshme të përdoruesve që të kenë ekran më të mëdhenj.

Kjo rritje sigurisht se vë në dyshim edhe bartjen e telefonit, sepse në interes të kujt është që në xhepin e tij të bartë tablet, e jo telefon?

Pajisjet mobile nga materiali fleksibil do të bartin karakteristika të cilat mungojnë në telefonët e ditëve të sotme. Paramendoni të ekzistojë telefoni me ekran të madh të cilin mund ta mbështillni plotësisht dhe ta futni në xhep.

Ekrani fleksibël Fujitsu

Ekrani fleksibël Sony

 

Me këtë problemi i bartjes së pajisjes praktikisht zhduket, kurse madhësia e ekranit nuk flijohet, përkatësisht sasia e të dhënave të cilat mund të shfaqen në të.

Ekranët fleksibël OLED tashmë janë prodhuar dhe prezantuar në disa raste nga Sony, Philips, Samsung dhe Fujitsu.

Konceptin e pajisjes fleksibël tashmë e ka bërë Nokia dhe quhet “Morph”. Morph përdor nanoteknologjinë për të bërë komponentë të cilat mundësojnë fleksibilitet dhe transparencë të pajisjes. Përveç kësaj, është interesante që koncepti të përfshijë edhe rregullimin e pajisjes sipas nevojave.

Me anë të kësaj është përsosur ana ergonomike e prodhimit (p.sh.,rregullimi derisa ta mbani në dorë, ta vendosni në xhep,..), kurse për shkak të nanoteknologjisë ka edhe karakteristikën interesante të vet-pastrimit, kështu që në mënyrë të konsiderueshme është rritur jetëgjatësia e pajisjes.

Nokia Morph

Por, edhe më tej ekziston problemi në një gjë e cila zë vend gati 70% të çdo telefoni të mençur sot, kurse fjala është për…

2) Bateria

Baterinë e parë e bëri Alessandro Volta në vitin e hershëm 1800. Inovacionin e tij e kanë shfrytëzuar një numër i shkencëtarëve dhe e kanë përshtatur që të prodhojnë bateritë të cilat janë në përdorim edhe sot.

Një nga bateritë e para nga Volt

Megjithatë, duhet theksuar se ideja fillestare e para 200 viteve nuk është shumë ndryshe nga ajo që momentalisht e përdorim. Për fat, teknologjia po përparon dhe shumë hulumtues i janë kthyer zhvillimit të akumulatorëve solar të cilat janë të bazuar në nanoteknologjinë, kurse tensionin e vendosin në nanotuba karboni. Në të ardhmen sigurisht na presin “bateri” të cilat do të shfrytëzojnë foto qeliza për magazinim të hidrogjenit i cili do të përdoret për lidhjen e komponentëve interne të pajisjeve. Kjo mënyrë e re e ruajtjes dhe krijimit të energjisë ofron kapacitete të mëdha të tensionit që do të na mundësojë autonomi të madhe të pajisjes, kurse edhe dimensionet e baterive të tilla janë më të vogla, shumë më jetëgjatë dhe kanë mundësinë e mbushjes më të shpejtë nga ato të sotmet, kështu që edhe telefonët e ardhmërisë nga pika e parë janë gjithsesi të mundshëm.

Nanotubat e baterisë

2) Karakteristikat e së ardhmes: NFC, realiteti virtual, inteligjenca artificiale

Teknologjinë NFC gjithsesi e shohim si pjesë të së ardhmes. Google po mban shumë shpresa në këtë teknologji gjë që edhe po promovon moton e saj “interaksion pa prekje” e cila mundëson krijimin e lidhjes P2P në mes telefonëve përmes prekjes së pajisjeve mes tyre. Përmes kësaj lidhjeje do të jetë e mundur shpërndarja e informacioneve, të dhënave, postimi i statusit në Facebook, video klipeve në YouTube etj., pa pasur nevojë të instaloni ndonjë aplikacion shtesë.

Edhe pse realiteti virtual edhe sot përdoret, kjo teknologji do të lulëzojë në të ardhmen. Nga përdorimi i sotëm vlen të theksohet makina e kërkimit Bing nga Microsoft e cila ofron mundësinë që telefoni të drejtohet në një kahje, kurse në ekran të shfaqen monumente historike që gjenden përreth.

Përveç Microsoft-it, Google ka prezantuar projektin e vet të quajtur Google Glasses i cili ka potencial të madh në këtë fushë, kurse çfarë ka përgatitur Google me këtë projekt mbetet të shihet në të ardhmen e afërt…

Inteligjenca artificiale është degë e cila po zhvillohet në mënyrë konstante, kurse efektet e saj ndoshta mund ti shohim më së miri në Google Search, e po ashtu edhe në aplikacionin e paraqitur kohë më parë në Siri Apple. Qëllimi kryesor i kësaj fushe është që pajisja të bëhet mjaft e mençur në mënyrë që mund të vendos vet për situatat të cilat nuk janë parashikuar më parë.

Ky definim i inteligjencës artificiale thjeshtë mund të integrohet në pajisjet mobile kur p.sh nga pajisja kërkoni me zë që të gjejë vendin më të mirë për të drekuar. Përmes analizës së zërit pajisja duhet të gjejë restorantet të cilët për momentin janë më afër dhe të hapur dhe ajo më me rëndësi, duhet të dijë ti njoh të dhënat të cilat i mbledh nga interneti për të propozuar restorantin me më së shumti kritika pozitive.

Smartfonët e ardhshëm do të mbledhin të dhëna të ndryshme, të analizojnë situata dhe të japin informacione siç do të bënte çdo njeri.

Por këtu nuk është fundi…

Telefonët e mençur të së ardhmes do të bëhen të vetëdijshëm për mjedisin, kështu që do të jenë në mundësi ta përshtatin temperaturën e dhomës së hotelit sipas preferencës së përdoruesit. Përveç kësaj në telefon do të jetë e mundur ti aksesohet edhe informacioneve për çdo lloj gadget-i përreth – kështu marrim shembull edhe të hotelit në tërësi ku në çdo moment mund ta dimë llogarinë totale, shërbimet e shfrytëzuara e të tjera.

Këto tri gjëra të përmendura gjithsesi kërkojnë përpunim të madh të sasisë së të dhënave në një afat kohor shumë të shkurtër. Për të qenë kjo e mundur, telefonët e mençur në të ardhmen duhet të kenë edhe…

4) Harduer të fortë

Qualcomm ka paralajmëruar shpërndarjen e çipëve katër bërthamësh SOC (System-on-a-Chip) i cili punon në 2.5 GHz që nga viti i ardhshëm. Ky çip do të ketë të integruar Wi-Fi, GPS, Bluetooth, FM radio, mbështetjen për NFCvideo steroskopike 3D dhe mbështetje për rrjetin LTE. Kjo do të thotë se pajisjet e para me këtë SoC të fuqishëm do ta shohim që nga viti i ardhshëm, e pra çfarë na pret me të vërtet pas pesë vitesh?

Sipas Qualcomm ne na pret e ardhme e ndritur

Sa i përket Nvidia-s, ata kanë zbuluar planet e tyre: çipi “Kal-El” i cili tashmë po shpërndahet është pesë herë më i shpejtë se Tegra 2 i cili në një kohë të gjatë po përdoret në smartfonë dhe tabletë. Pas Kal-El vjen “Wayne” i cili do të jetë dhjetë herë më i shpejtë se Tegra 2, “Logan” i cili do të jetë 50 herë më i shpejtë, kurse “Stark” i cili është parashikuar për vitin 2014 do të jetë madje 75 herë më i shpejtë. Përveç procesorëve shohim që ka kërcim të lartë në sasinë e RAM memories, e poashtu edhe në shpejtësinë e tij.

Smartfonët ultimativ të së ardhmes së largët

Smartfon i vërtet dhe më i miri do të jetë telefoni bionik. Në të ardhmen e largët, ka shumë të ngjarë që sensorët të implantohet direkt në trupin e njeriut në mënyrë që ndërgjegjja e njeriut të përzihet me teknologjinë. Në këtë mënyrë ekrani do të jetë plotësisht i panevojshëm sepse të gjitha të dhënat nga telefoni do të shfaqen në fushën e të shikuarit (pikërisht njëjtë si po mundohen të punojnë syzet e Google).

Në këtë mënyrë do të largohet nevoja për bartje të pajisjes, frika nga humbja apo vjedhja, nevoja për njësi hyrëse (tastiera, ekranët me prekje), kurse prapë të gjitha të dhënat do të shënohen në telefon automatikisht dhe pa nevojën e interaksionit të përdoruesit. 

Megjithatë realitet?

Duke marrë parasysh zhvillimin e sotëm të teknologjisë ende jemi larg realizimit të këtyre ideve, por duke ndjekur trendet gjithsesi se po punohet për realizimin e tyre.

Deri atëherë duhet të kemi durim dhe të presim zhvillimin e telefonit në njërën nga këto katër pikat e përmendura në këtë artikull, ose prapë, ndoshta inxhinierët do të zbulojnë diçka krejtësisht të re dhe të pa parashikuar. Megjithatë një është e sigurt…mezi po presim! (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>