Lajmet

Panairi i punës i organizuar nga STIKK, tërhoqi audiencë të madhe

May 19 2011
0 Shpërndarje
Panairi i punës i organizuar nga STIKK, tërhoqi audiencë të madhe

Kompanitë si ASSECO, Cacttus, EKONET, Frakton, ITBM Group, ITEG, Logistics Plus, Rrota, etj u shfaqën me stenda të veçanta për studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, të cilët patën rastin të njihen edhe më nga afër me këto kompani dhe të shohin se çfarë ofrojnë ato e ku mund të gjejnë vetën në mesin e tyre.

Arian Mullarama, drejtor i kompanisë kreative Frakton theksoi për PCWorld Albanian se pjesëmarrja në panairin e sotëm të punës ishte mjaft e lartë, dhe në veçanti studentët po shprehin një energji të jashtëzakonshme pune e cila duhet të trajtohet me kujdes dhe të kanalizohet ashtu si duhet. “Ka pas aq shumë njerëz që kanë ardhur tek stenda jonë, kanë pyetur se çfarë ofrojmë, si mund të angazhohen tek ne, çka mund të bëjnë e kështu me radhë. Por ajo që shoh unë këtu në këtë mes është mungesa e trajtimit të duhur të tyre sepse këta të rinj janë motori i zhvillimit ekonomik të Kosovës, prandaj duhet të trajnohen, mësohen apo edukohen në nivele bashkëkohore në mënyrë që edhe ne si kompani të kemi staf profesional dhe të konkurrojmë me tregun e rajonit dhe botës” u shpreh z. Mullarama, nga Frakton, kompani e cila kohë më parë u bë edhe pionier i tregut të lojërave digjitale të Kosovës, duke lansuar titullin e parë të quajtur “Haluci”.

Edhe përfaqësues të ITBM Group, u shpreh të kënaqur me interesimin e të rinjve dhe ritheksuan se duhet të ketë angazhim më të madh prej të gjitha palëve të tregut për të mundësuar një zhvillim edhe më të madh të profesionistëve të rinj, dhe të industrisë së IT-së në përgjithësi. “Outsourcing është sot top temë në vendin tonë dhe nuk po e themi këtë vetëm ne, por edhe shumë investitorë të huaj. Prandaj mbetet në duart tona që të analizojmë rrethanat dhe të shikojë se ku duhet investuar, çfarë kuadri ka nevojë tregu e në cilat fusha duhet të specializohen kompanitë” u shpreh Burim Kastrati, drejtor i ITBM Group.

Organizimi i sotëm nga STIKK natyrisht nuk do të jetë i vetmi pasi që, me 25 maj në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT), si dhe me 2 qershor në Fakultetin e Shkencave Matematik-Natyrore (FSHMN) të UP-së, do të ketë panair të ngjashëm pune i cili do të tentoj të nxis studentët të shohin se ku mund të angazhohen në të ardhmen.

Lajmet e fundit>