Biznes

Panasonic me një tjetër konferencë në Budapest

Apr 19 2011
0 Shpërndarje
Panasonic me një tjetër konferencë në Budapest

Konferenca e titulluar “Panasonic South-East Europe 2011 Press Conference”, që u mbajt më 5 prill, prezantoi strategjitë e kompanisë për zhvillim në treg dhe gjithashtu demonstroi produktet e saj para një numri të madh gazetarësh dhe partnerësh të Panasonic nga rajoni i Evropës Juglindore. Në prezantimin hyrës, Endre Muller theksoi veçanërisht strategjitë e kompanisë për t’u zhvilluar edhe më tej në teknologjinë 3D, për të përkrahur shitjet e produkteve kryesore si dhe për të vazhduar më tej me përkrahjen e iniciativave për teknologjinë e gjelbër, e cila ruan ambientin dhe shëndetin e konsumatorit, apo më mirë të themi të njeriut.

Z. Muller në prezantimin para gazetarëve shpalosi pasqyrën e produkteve të teknikës së bardhë, në kuadër të të cilave Panasonic ka bërë një investim të madh duke integruar teknologji të ndryshme superiore, të cilat jo vetëm që sjellin alternativa shumë më të mira për konsumatorin, por i kursejnë edhe xhepin për shkak se janë produkte që konsumojnë mesatarisht 50% më pak energji.

Prezantimi më pas vazhdoi me produktet e Linjës Lumix, e cila përmban një sërë zgjidhjesh të ndryshme, të mira dhe të lira për çdo nivel konsumatorësh, edhe për rajonin tonë. Disa prej këtyre produkteve mund t’i gjeni edhe në tregun e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Natyrisht që fokusimi në teknologjinë 3D nuk mungoi dhe sërish doli në pah kamera 3D e Panasonic, e cila është pioniere në këtë treg duke sjellë një nivel të ri kreativiteti te përdoruesit e thjeshtë që dëshirojnë të jenë krijues të përmbajtjeve 3D për 3D Televizorët e tyre. Larg vëmendjes nuk qëndruan as kamerat e tjera kompakte, si SD40, që mund të blihen edhe në tregun e Kosovës. Më pas u prezantuan edhe produktet për argëtim në shtëpi, si studio muzikore, lexues blu-ray, altoparlantë, etj.

Z. Muller u ndal edhe te produktet Viera, të cilat janë krenaria e Panasonic sepse janë modele të ndryshme të pranishme në tregjet botërore. 

Z. Istvan Stark, drejtor menaxhues i Panasonic për Evropën Juglindore, gjeti kohë të japë edhe një intervistë të shkurtër për ne
.

CIO: A mund të na thoni disa fjalë në lidhje me konferencën?

Stark: Gjatë pranverës ne zakonisht mbledhim gazetarët dhe partnerët për t’iu prezantuar produktet tona më të reja dhe mund të them se pothuajse të gjitha kategoritë që janë prezantuar këtu janë të reja. Në këtë aspekt, ne jemi realisht unikë për shkak se disa prodhues lejojnë që produktet e tyre të reja e të vjetra të jetojnë në treg për më shumë se një gjysmë viti. Pra, modeli i vjetër shitet paralelisht me produktin e ri. Ne zakonisht tentojmë, bashkë me partnerët tanë, që të shesim modelet e vjetra para se të shpalosim modelet e reja në treg.

Kësaj radhe në Hungari kemi ftuar të gjithë gazetarët nga rajoni. Ne shkojmë nëpër disa vende kyçe të rajonit dhe ftojmë njerëz të caktuar për të marrë pjesë në ngjarje të tilla, por kërkohen gjashtë deri në tetë javë para se të fillohet të veprohet në këtë drejtim.

PCWA: Cili është produkti juaj 3D TV që është shitur më shumë?
Stark: Në rajonin tonë vitin e kaluar ishte GT42, përkatësisht modeli GT20. Them në rajonin tonë sepse kjo ndryshon prej vendit në vend, por në përgjithësi më i shituri ishte GT20. Disa shtete pëlqyen edhe disa modele me ekrane më të mëdha. Panasonic 50VT20 ka marrë shumë shpërblime, pothuajse në çdo shtet është përzgjedhur si televizori më i mirë. Por ne gjithashtu kemi pasur shitje të mira edhe të VT20, megjithëse fuqia jonë blerëse nuk është aq e madhe si në Skandinavi apo Gjermani. Këtë vit do të kemi një renditje më të madhe të produkteve në kuadër të linjës 3D  dhe gjithashtu edhe disa modele të reja në linjën SD. Pra do të kemi 3D, SD, VT, GT, etj.  

PCWA: A planifikoni prezantime të tilla edhe në Shqipëri?
Stark: Natyrisht. Në Tiranë në shtator të vitit të kaluar ne patëm një prezantim, i cili ishte gjithashtu edhe një aventurë dramatike sepse pati një vërshim dhe na u bllokua ura përmes së cilës produktet tona do të shkonin në prezantim. Si rezultat i kësaj, disa prej produkteve tona nuk arritën të prezantohen në kohë para audiencës. Më pas ne huazuam disa produkte nga partnerët tanë në Tiranë dhe e mbajtëm me sukses prezantimin.
Në tregjet e rajonit ne tentojmë të kemi balancë me prezantime të tilla me të gjithë, por natyrisht varet edhe nga numri i partnerëve që kemi dhe nga fuqia e tyre në tregjet përkatëse.

PCWA: Sa jeni të kënaqur me rajonin e Ballkanit për vitin 2010 dhe çfarë prisni për vitin 2011?

Stark: Rajoni i Ballkanit ka performuar mjaft mirë, por gjërat dallojnë nga shteti në shtet. Ne kemi pësuar një rritje dyshifrore nga viti 2009 në vitin 2010 dhe presim rritje të ngjashme edhe në vitin 2011. Në Shqipëri e Kosovë gjithashtu kemi përjetuar rritje dyshifrore.

PCWA: A ka ndonjë qëllim më konkret të investimit?
Stark: Mund t’ju them se Panasonic vazhdimisht monitoron mundësitë se çfarë të prodhojë dhe ku t’i prodhojë ato. Vetëm pak kohë më parë është inauguruar një fabrikë në jug të Serbisë, e cila prodhon komponentë që i shfrytëzojmë ne. Pra, siç e shihni, ne jemi këtu dhe po vëzhgojmë tregun.

Lajmet e fundit>