Lajmet

Panoramë e përgjithshme e sektorit të komunikimeve elektronike në Shqipëri

Jul 22 2014
0 Shpërndarje
Panoramë e përgjithshme e sektorit të komunikimeve elektronike në Shqipëri

akep-logo-01Gjatë vitit 2013 sektori i komunikimeve elektronike ka pasur rritje të përdorimit të shërbimeve të rrjeteve celulare (telefoni dhe internet 3G) dhe shërbimeve të aksesit broadband nga rrjete fikse, ndërsa ka pasur ulje të përdorimit të telefonisë fikse. Këto tendenca janë të ngjashme me tendencat e viteve të fundit, ku përdorimi i telefonisë fikse ka qenë në rënie duke u zëvendësuar me telefoninë celulare, dhe aksesi broadband ka pasur rritje në të dy segmentet: nga rrjete fikse dhe rrjete celulare. Shërbimet e ofruara nga rrjetet celulare patën rritje në vitin 2013, ku rritje të ndjeshme kishin shërbimet 3G.

Numri i përdoruesve aktiv të telefonisë celulare (pajtimtarë që kanë përdorur shërbime celulare në 3 muajt e fundit) në fund të vitit 2013 arriti në 3.7 milionë, krahasuar me 3.5 milionë në fund të vitit 2012. Kjo përbën një rritje vjetore me 4% për të katër operatorët, ndërkohë që numri i përdoruesve të telefonisë së lëvizshme sipas kartave SIM aktive, pati reduktim me 6%, duke arritur në 5.3 milionë krahasuar me 5.6 milionë në fund të vitit 2012.

Norma e penetrimit (përdorues për 100 banorë) në vitin 2013 ishte 130% sipas përdoruesve aktivë dhe 187% sipas kartave SIM. Numri i pajtimtarëve celularë që përdorin shërbimet 3G të aksesit broadband në 2013-ën arriti në rreth 1.2 milionë, duke u rritur me 90%: Numri pajtimtarëve me akses broadband 3G me karta USB/modem u rrit me 101 %, ndërsa numri i pajtimtarëve me akses broadband 3G nga aparatet celulare u rrit me 88%. Në shërbimet e ofruara nga rrjetet fikse, aksesi broadband në Internet kishte rritje të ndjeshme (me 14%), ndërsa numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse në fund të vitit 2013, arriti në rreth 281 mijë, krahasuar me rreth 311 mijë që ishte në fund të vitit 2012, pra një rënie me 10%.

Rënia e numrit të pajtimtarëve të telefonisë fikse ka ardhur kryesisht për shkak të vazhdimit të reduktimit të numrit të pajtimtarëve të telefonisë fikse të Albtelecom si dhe nga ndryshimi në të dhënat e raportuara nga operatori më i madh alternativ Abcom, i cili ka raportuar një reduktim të pajtimtarëve. Ky reduktim nga Abcom vjen për shkak të mënyrës së matjes prej tij të numrit të pajtimtarëve telefonikë, duke raportuar vetëm ata pajtimtarë që përdorin dhe paguajnë për shërbim telefonik3. Siç është theksuar edhe në raportin vjetor 2012, evoluimi i teknologjisë dhe sjelljes konsumatore ne drejtim të kërkesës për akses në Internet, kanë bëre që shtytësi kryesor për zhvillimin e rrjeteve fikse të jete aksesi broadband në Internet.

Numri pajtimtarëve me akses broadband nga rrjete fikse në 2013 u rrit me 14% në krahasim me 2012, dhe vihet re se të gjithë operatorët kryesorë kanë pasur rritje të numrit të pajtimtarëve të aksesit broadband. Numri pajtimtarëve me akses broadband fiks dhe celular (3G me karta USB/modem) në fund të vitit 2013 arriti në rreth 294 mijë, që përbën një rritje me 36% në

krahasim me vitin 2012. Norma e penetrimit me të dy llojet e aksesit së bashku është 10.4% për popullsi dhe 37% për familje. (PCWorld Albanian)

numri i pergjithshem i perdoruesve

Tags >

akep
Lajmet e fundit>