Analiza

Papritmas Microsoft filloi ti kushtonte vëmendje botës mobile

Feb 22 2015
0 Shpërndarje
Papritmas Microsoft filloi ti kushtonte vëmendje botës mobile

MACHINESUB-blog427

Shohim që Microsoft sot ka një prani të theksuar në smartfonët tanë. Bëhet fjalë për të njëjtën kompani që shpenzoi më shumë se një dekadë për të sjellë një alternativë të modeleve iPhone të Apple apo Android të Google. Është po i njëjti Microsoft që bleu kompaninë e prodhimit të telefonëve Nokia për 7 miliard dollar. Microsoft dëshiron që softueri i saj të përdoret jo vetëm në desktop por edhe në telefonët tanë. Zhvilluesit po ndërtojnë më shumë aplikacione për iOS dhe Android dhe kjo ja bën punën të vështirë telefonëve Windows.

Realiteti në të cilin po jetonte kompania kishte shkëputur lidhjet me konsumatorin deri në momentin kur erdhi në krye të kompanisë Satya Nadella me plot ide të reja për Microsoft. Që nga ky moment kompania filloi të ofronte aplikacionet dhe shërbimet e saj dhe për pajisjet iOS dhe Android përveç atyre Windows. Në muajt e fundit Microsoft po është çdo ditë e më shumë prezent në iOS dhe Android. Produktet kyçe janë Office 365 dhe One Drive ndërkohë që prurja më e fundit quhet Outlook për iOS dhe Android. Është një aplikacion që sjell eksperiencën desktop të postës elektronike në smartfonët tanë duke kryer njëkohësisht funksionin e një poste email dhe atë të kalendarit. Por Outlook-u i ri nuk është plotësisht një produkt i Microsoft, sepse është ndërtuar në bashkëpunim me startupin Acompli të cilin kompania e bleu para pak kohësh për 200 milion dollar. Fakti që Microsoft lançoi papritur Outlook-un e ri në Janar të këtij viti tregon nevojën urgjente të kompanisë për të ecur përpara në biznesin e paisjeve mobile. Para pak javësh Microsoft bleu dhe krijuesin e kalendarit Sunrise. Por përpara se të lançonte Outlook për iPhone dhe Android, ky shërbim i ofrohej përdoruesve të këtyre platformave në formën e një aplikacioni uebi që mund të përdorej vetëm nga shfletuesi.

Outlook-u i ri është gjithçka që paraardhësi i tij nuk ishte. E thënë ndryshë është një konkurrent dhe zëvendësues i denjë për aplikacionin e postës elektronike që ofron Apple në iPhone dhe iPad. Outlook ofron një mënyrë sa efikase aq dhe efektive në kontrollin e postës tuaj elektronike, në sajë të karakterit përqendrues duke u fokusuar vetëm në email-et që i interesojnë përdoruesit më së shumti. Duhet të theksojmë se Microsoft është kompania e parë që ofron një opsion të tillë. Ndërkohë që së bashku me Google përdorin teknika të njëjta për të listuar kontaktet në bazë të frekuencës së kontaktit.

Mënyra tjetër me të cilin Outlook ndihmon përdoruesit e saj ka të bëjë me kalendarin. Kur përdoruesi kërkon të vendosë një takim në axhendën e tij ai nuk ka nevojë të ndërrojë aplikacion për ta realizuar këtë veprim. Kjo sepse aplikacioni Outlook në sajë të funksionalitetit të kalendarit do të zbulojë kohën e lire të përdoruesit si dhe orarin e takimeve të tij. Vitin që shkoi kompania lançoi versionet falas të aplikacioneve Word, Excel dhe PowerPoint në iPhone, iPad dhe telefonët Android. Ndërsa me debutimin e aplikacionit Outlook duket se paketa Office është kompletuar. Gjithsesi kompania vazhdon të shpresojë se dikush do të abonohet në paketën e saj Office 365 por alternativat e tjera të aplikacioneve produktive nga Google po e dobësojnë shumë këtë biznes të Microsoft. Kompania është munduar ta zbusë këtë duke ofruar hapsirë falas prej 1 terabajt në One Drive për abonentët e Office 365. Kjo hapësirë kaq e madhe është një joshje për çdo përdorues ndaj pritet që kjo strategji të tërheqë konsumatorë drejt Office 365. (PCWorld Albanian)

Tags >

Microsoft
Lajmet e fundit>