Harduer

Paraqiten specifikat e plota rreth HP Topaz WebOS

Jan 24 2011
0 Shpërndarje
Paraqiten specifikat e plota rreth HP Topaz WebOS

Tableti me madhësi 9.7 inç do të duhej të paraqitet në treg me një procesor Snapdragon MSM8660 me dy bërthama dhe shpejtësi prej 1.2GHz, si dhe me grafikë Adreno 220 të aftë për të sjellë 1080p. PreCentral ka arritur të kuptoj se ekipi i Palm është duke tentuar të sjellë tetë orë pune përmes një mbushje të baterisë, që do të përbëhet nga dy pako 3,150 mAh litium-hekur.

Pajisja do të ketë në mes 16GB dhe 64GB memorie të integruar, ndërsa premtohet përkrahje për EVDO dhe HSPA 3G, si dhe për LTE 4G. Një port USB është sinjalizuar edhe më parë, megjithëse tani duket se ky port do të sjellë funksionalitet më të madh dhe do të shërbejë edhe për gjëra tjera. Sa i përket kamerave, Topaz do të ketë vetëm një të përparme me 1.3 megapiksel.

Në detajet e paraqitura sot janë përfolur edhe veçoritë e mundshme të Touchstone 2.0, që pritet të sjell gjëra sikurse mbushja më e avancuar, lidhja automatike me aplikacione të caktuara për zë apo video kur montohet në port, etj. GPS i integruar si dhe përkrahja për printim pa tela pritet të jenë gjithashtu të pranishme.

Në aspektin e magazinimit është përfolur edhe mundësia e përfshirjes së disa shërbimeve për ruajtje në cloud, siç është Cloud Drive, Metodeo për ruajtje dhe lexim të muzikës prej së largu, Snapfish për imazhe, Cloud Canvas për shkëmbim të dokumenteve, etj.

Ende është e paqartë nëse hardueri që u paraqit sot do të jetë i pranishëm në produktin final, por konfirmimet më të reja pritet që të paraqiten me 9 shkurt, kur mbahet edhe eventi i HP për të cilin po përflitet se do të jetë eventi i debutimit të këtyre dy tabletëve. /pcworldalbanian

Lajmet e fundit>