Lajmet

Parlamenti Europian: ITU s’duhet të kontrollojë internetin

Nov 24 2012
0 Shpërndarje
Parlamenti Europian: ITU s’duhet të kontrollojë internetin

Kontrolli i internetit nuk duhet të bjerë në duart e International Telecommunication Union (Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, ITU), ka paralajmëruar Parlamenti Europian.

Përfaqësuesit e zgjedhur të Unionit Europian kanë bërë thirrje të forta që negociuesit të bllokojnë përpjekjet e ITU-së që të ketë kontroll total mbi internetin gjatë konferencës që do të mbahet në Dubai muajin që vjen.

Konferenca Ndërkombëtare për Telekomunikimet (WCIT) do të përpiqet të rishikojë rregullat e telekomunikimit ndërkombëtar, të cilat nuk janë përditësuar që prej vitit 1988.

Shumica dërrmuese e anëtarëve të Parlamentit Europian ka miratuar të enjten një rezolutë me anë të së cilës ka paralajmëruar se disa nga propozimet e paraqitura para WCIT mund të sjellin shndërrimin e ITU-së në “fuqi zotëruese të internetit”, diçka të cilën parlamenti është i vendosur ta ndalojë. “ITU-ja ose çdo institucion tjetër i vetëm nuk është organizmi i duhur për të ushtruar autoritet rregullator mbi internetin”, thuhet në rezolutën e hartuar nga parlamentarja holandeze Marietje Schaake.

Parlamenti Europian: Disa propozime të ITU-së mund të sjellin mekanizma tarifues

ITU-ja është “OKB” e industrisë për operatorët e telekomunikimeve. Synimi i saj fillestar ishte të jepte frekuencat globale të radiove dhe orbitat e satelitëve si dhe të gjente rrugën e ndërveprimit mes standardeve të ndryshme të rrjeteve të telekomunikimit. Interneti që njohim ne nuk ekzistonte në kohën kur janë hartuar rregullat e telekomunikimit ndërkombëtar. 7 vendet anëtarë të BE-së janë anëtare të ITU-se dhe mund të negociojnë në bllok.

Rezoluta i kërkon Këshillit Europian dhe Komisionit Euroian, që do ta përfaqësojë BE-në në Dubai, që të sigurohen se ndryshimet në ITR do të jenë në shërbim të objektivave të BE-së për të zhvilluar më tej internetin si një vend publik, ku respektohen të drejtat e njeriut, liritë themelore, sidomos ajo e shprehjes dhe grumbullimit, si dhe parimet të tregut të lirë, ato të neutralitetit në rrjet dhe sipërmarrjes”.

Parlamenti Europian ka shprehur shqetësim se disa propozime të ITU-së do të sjellin mekanizma tarifues, duke kërcënuar natyrën e hapur të internetit duke rritur çmimet dhe ulur inovacionin.

Kërkuesi gjigant i internetit, Google, u ka bërë thirrje të gjithëve që të mbështesin internetin e lirë dhe falas, duke u thënë qeverise se bisedimet me dyer të mbyllura nuk duhet të jenë vendimtare për të ardhmen. (PCWorld Albanian)

Tags >

internet
Lajmet e fundit>