Harduer

Pavilion nuk shitet zyrtarisht në Kosovë!

Feb 9 2011
0 Shpërndarje
Pavilion nuk shitet zyrtarisht në Kosovë!

PPC IT, PBC Computers,  Comtrade Computers, SBC Computers, etj janë kompani që veprojnë në tregun e Kosovës dhe që janë të licencuara prej HP, ose me mirë thënë shitës të autorizuar nga HP, për të shitur produkte të linjave komerciale si ProBook, EliteBook, HP 620/625, etj por në anën tjetër asnjëra prej tyre ende nuk ofron në shitje produkte të linjës Pavilion.

“Për fat të keq më duhet të konfirmoj se momentalisht në këtë rajon ne nuk shesim apo nuk dërgojmë zyrtarisht produkte të linjës Pavilion dhe Presario. Unë mund të them këtë “zyrtarisht” sepse jemi në dijeni që disa njerëz importojnë produkte të kësaj linje dhe i shesin ato, megjithatë në të ardhmen e afërt depërtimi zyrtar i HP në tregun në fjalë me produkte të kësaj linje, nuk pritet të ndodh” u shpreh për PCWorld Albanian, Eleni Papaspiridakos menaxhere e marketingut pranë HP.

Ajo u shpreh se HP përballet me probleme që dalin prej këtyre produkteve që janë të importuara dhe të shitura në CDG (Country Developement Group) ku përfshihen Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Malta dhe Moldavia. “Në rend të parë njerëzit që blejnë produkte të këtilla nuk e dinë se garancioni nuk aplikohet në shtetet ku nuk bëhet shitja zyrtare e këtyre produkteve. Shërbime lokale dhe aftësitë teknike për përkrahje nuk ekzistojnë, nëse paraqitet nevoja. Kjo është një çështje e madhe problematike për ne” tha ajo. “Në vende si Kosova dhe Shqipëria ne nuk kemi probleme të këtilla por në disa tjera po. Herët a vonë dikush me probleme na kontakton dhe fatkeqësisht më duhet t’i them se partnerët tanë lokal nuk kanë trajnimin e nevojshëm apo edhe pjesët e nevojshme rezervë, për t’ju ofruar ndihmë” u shpreh Eleni për PCWorld Albanian në lidhje me shitjen e produkteve të linjës Pavilion në tregjet tona.

Sipas saj vendimi për të mos shitur PC për konsumatorë në CDG është biznes vendim i marrë nga ekipi menaxherial i HP. “Disa kritere duhet plotësuar që një shtet të kualifikohet si i gatshëm për të shitur linja të produkteve tona. Nëse ato nuk arrihen atëherë  nuk ka shitje zyrtare” tha jo.

Megjithatë Eleni dha sinjalizime se mund të ketë ndryshime pozitive në treg, megjithatë ajo nuk ishte në gjendje të konfirmojë diçka për ne në lidhje me atë se kur pritet të ndodh diçka në të ardhmen. “Ne duhet të presim dhe të vazhdojmë në këtë treg me shitjen e produkteve komerciale si HP  620/625, ProBook, EliteBook, etj “ theksoi  Eleni në përgjigjen e saj dhënë për PCWorld Albanian.

Produktet e përmendura si Probook, EliteBook apo HP 620/625 janë produkte të cilat sot shiten zyrtarisht nga partnerët lokal në Kosovë të HP si PPC IT apo PBC Computers, dhe konsumatorët mund të ndihen të siguritë se kur blejnë produkte të këtilla tek këto kompani atëherë bëhet fjalë për produkte të shitura me licencë dhe garancion. /pcworldalbanian

Lajmet e fundit>