Lajmet

Për herë të parë në Kosovë, mbahet TEDxPrishtina 2011

Feb 18 2011
0 Shpërndarje
Për herë të parë në Kosovë, mbahet TEDxPrishtina 2011

Edhe pse ishin të kombësisë shqiptare, këta ligjërues ligjëronin në gjuhën angleze, për shkak të pranisë edhe të njerëzve të huaj të cilët ishin pjesëmarrës. Duhet cekur që rrjedhshmëria dhe artikulimi në gjuhën angleze e këtyre ligjëruesve, si edhe të prezantuesve, kishte formulim mjeshtëror dhe të afërt me veshin e dëgjuesit.

Në ora 10:15 filloi regjistrimi i pjesëmarrësve. Në ora 11:00 fillon konferenca, me porosinë mirëseardhësve. Nga ora 12:00 deri në 12:30 ishte një pushim, ku ligjëruesit, por edhe dëgjuesit mund të shërbeheshin me prodhime ushqimore falas nga mbështetësit e kësaj konference. Me të filluar për së dyti herë, në skenë paraqiten me rend ligjërues të cilët flasin rreth temave të përgatitura. Vlen të theksohet edhe lëshimi i inqizimit të ligjëratës së mbajtur në TED nga Elif Shafak, me temën Politika e trillimit. Nita Luci paraqet një përshkrim të shkëmbimit të vlerave kulture në mes të kombeve. Kur ora është 13:30, sërish është një pushim.

Në ora 14 fillon Seksioni i tretë dhe i fundit për këtë ditë. Ky seksion fillon me paraqitjen e një inqizimi të një ligjërate të mbajtur nga Tom Wujec, rreth bashkëpunimeve të cilat mund të shpiejnë në përfitime reciproke. Gjatë paraqitjes së këtij inqizimi pati disa probleme të vogla teknike dhe në skenë doli Besa Luzha. Ajo filloi të lexojë disa pjesë të përzgjedhura të ditarit të jetës së saj në fund të viteve të 90-ta. Në të ishin paraqitur ndjenjat dhe përjetimet që kishte pasur ajo dhe familja e saj në ato çaste lufte. Ajo rrëfen për një familje të vrarë aksidentalisht gjatë bombardimeve të postës së vjetër në Prishtinë. Në mesin e të vrarëve ishte edhe një person mjaft i dashur për lexuesen. Teksa i lexon këto vargje, Besa ngreh faculetën nga xhepi që të fshijë lotin që kishe filluar t’i dilte, për shkak të përjetimit të thellë që kishte pasur. Por ajo kishte marrë mësim që çdo moment të jetës ta shfrytëzojë me shpresë dhe me kënaqësi për ato që njeriu i ka.

Pas Besa Luzhës, në skenë vjen Arben Islami, i njohur ndryshe edhe me nofkën Njeri. Arbeni tregon rastin kur ai kishte shkuar në bodrum për të kërkuar topin për të luajtur me shokë. Në një rrëmujë me gjëra nga më të ndryshmet, Arbeni gjen dy raketa dhe një top tenisi. Ai i merr ato dhe fillon të luajë me shokët. Pas një kohe, një interesim mjaft i madh shfaqet tek shumë të rinj dhe pas disa viteve, Arbeni me babanë e tij themeluan Federatën e Tenisit në Kosovë. Por ai nuk ishte ndalur me kaq. Arbeni kishte themeluar edhe disa nisma të cilat janë mjaft të njohura dhe për rrethin tonë, ato ishin risi. Në mesin e nismave duhet cekur Snow Njeri, Hiking Njeri, Skate Njeri.

Pas tij, inqizimi i lëshuar më herët shfaqet sërish, por tani pa problemet e mëhershme. Me të mbaruar ky inqizim, në skenë vjen Visar Kuçi. Ai dha një përshkrim për tingujt. Sipas tij, tingujt që dëgjohen mund të jenë relaksues dhe tensionues. Visari kishte bërë disa inqizime të cilat i lëshon kohë pas kohe si: tingujt që lëshohen nga frigoriferi, kompjuterë të ndryshëm, tinguj që krijohen gjatë rënies së pikave të ujit nga çezma, cicërima të zogjëve etj. Në fund ai jep mesazhin që të bëhet kujdes gjatë ditës së 17 shkurtit, për shkak të tingujve të ndryshëm që dëgjohen.

Konferenca mbaron me një kuartet. Me të dalur nga amfiteatri, në pjesën hyrëse të Shkollës Amerikane të Kosovës lëshohen të lirë 100 balona me logon TEDxPrishtina. Por të gjithë balonat nuk arritën të dilnin nga rrjeta e lëshuesit… për disa ishte e nevojshme të shpërtheheshin.

Ligjëruesit kishin të bënin me fusha nga më të ndryshmet. Temat e ndryshme të rrëfyera me lloj-lloj mënyrash mund të kenë ndikuar në disponimin dhe kërshërinë e aq shumë pjesëmarrësve në këtë Konferencë. Nga bisedat e dëgjuara, pjesëmarrësit, si dëgjuesit ashtu edhe ligjëruesit, ishin ndarë mjaft të kënaqur me këtë ngjarje. Disa kishin qenë më të kënaqur më shumë se sa që e kishin pritur.

Ngjarja u zhvillua në herë të parë në Kosovë dhe mbase nuk do të jetë e fundit. Kosova si një vend me shumë të rinj është duke ndërmarrur hapa të sigurt drejt zhvillimit të hovshëm.

Po ju, çfarë mendoni për TEDxPrishtina? Shprehni lirshëm mendimet tuaja në komente./pcworldalbanian

Lajmet e fundit>