Lajmet

Përballë krizës me armë novacioni, Kosova përuron ICK

Jun 28 2012
0 Shpërndarje
Përballë krizës me armë novacioni, Kosova përuron ICK

Në kulmin e krizës që ka përfshirë Europën, këshilla më e shpeshtë që dëgjohet prej ekspertëve për vendet e Ballkanit Perëndimor është: investoni në burime njerëzore! Duket se idetë e reja janë baza më e mirë për një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë të rajonit tonë. Në këtë kontekst, Kosova ka hedhur një hap të rëndësishëm.

Të enjten u përurua Qendra e Novacionit të Kosovës (ICK), e konceptuar si një institucion ku nismat e sipërmarrjes, të mbështetura në teknologjitë e reja, mund të përgatiten dhe të zhvillohen për t’u hedhur në treg.

ICK do të ofrojë konsulencë biznesi, këmbim eksperiencash dhe trajnime profesionale për të rinjtë, me qëllim që ata ta kenë më të lehtë të gjejnë punë ose të krijojnë vetë vende pune. Hapja e ICK është mbështetur nga qeveria norvegjeze, pikërisht me qëllimin për ngritjen e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë që çdo vit hyjnë në tregun vendor të punës.

“Qendra e Novacionit të Kosovës është një nga prioritet që ministria e Punësve të Jashtme të Norvegjisë ka këtu në Kosovë. Kjo është një pëprjekje për të nxitur krijimtarinë dhe vetitë novatore, që ne jemi të bindur se kosovarët i kanë. Besojmë se kjo nismë do të jetë një sukses i madh,” tha Jan Braathu, ambasador i Norvegjisë në Kosovë.

Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës, i pranishëm në inaugurimin e ICK-së, tha se kjo qendër ka për qëllim të përkrahë sipërmarrjen dhe zhvillimin e bizneseve përmes teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

“Inovacioni nënkupton përfshirjen e koncepteve dhe ideve të reja me qëllim të përmirësimit të proceseve dhe produkteve. Si i tillë, novacioni është pjesë e kapitalit njerëzor dhe një ndër parakushtet themelore për zhvillimin ekonomik të një vendi”, tha kryeministri Thaçi .

Astrid Green, kryetare e Bordit, tha se ICK-ja tashmë ka lënë shenjë në tregun kosovar të punës, duke kontribuar në krijimin e punëve përmes trajnimeve dhe punëve praktike.

“Ne aktualisht kemi 11 ekipe me 33 anëtarë, 7 ekipe janë përzgjedhur përmes ftesës së parë publike për aplikim me ide biznesi kurse 4 ekipe janë përzgjedhur si fitues të dy edicioneve të Startup Ëeekend Prishtina të organizuara në dhjetor 2011 dhe maj 2012”, tha zonja Green, duke shtuar se ekipi i dymbëdhjetë i është bashkangjitur ICK-së tnjë ditë para hapjes së Innovation Centre Kosovo.

Qendra e Novacionit të Kosovës është produkt i bashkëpunimit të Ministrisë Norvegjeze të Punëve të Jashtme me Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK) dhe me Crimson Capital. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>