Lajmet

Përditësohet platforma e aplikacioneve dhe lojërave Google Play Games

Mar 17 2014
0 Shpërndarje
Përditësohet platforma e aplikacioneve dhe lojërave Google Play Games

gps-play_games_logoNjoftimi më i fundit i Google është përditësimi i platformës së aplikacioneve dhe lojërave, Google Play Games. Risitë janë të shumta, por ndër më të rëndësishmet është përdorimi në të gjitha platformat. Tashmë do të jetë më e lehtë që e njëjta lojë të mund të luhet në version multiplayer në platforma të ndryshme, si në iOS dhe në Android. E shumë të tjera. Qëllimi kryesor i Google me përditësimet e fundit është që ta bëjë më të lehtë punën e zhvilluesve për të zhvilluar lojëra dhe aplikacione për Play Store.

Së pari Google ka zgjeruar suportin për multiplayer (lojërat që mund të luhen nga shumë përdorues në të njëjtën kohë) përfshirë edhe në iOS, që do të thotë tashmë mund të luhen lojëra në të njëjtën kohë në më shumë se një platformë të vetme.

Kjo do të bëhet e mundur vetëm me instalimin e një plugini të Unity Player që të bëjë të mundur lidhjen mes dy platformave. (Duhet të jetë interesante të shohësh dy përdorues, një të iOS dhe një të Android, duke luajtur të njëjtën lojë). Një risi tjetër që është shtuar është ajo e renditjes së arritjeve.

Tashmë do të jetë e mundur që përdoruesit të mund të shfaqin online të gjitha arritjet e tyre në lojë dhe të mund të krahasojnë veten e tyre me arritjet e përdoruesve të tjerë të lojës, jo vetëm në një platformë. Kjo do të bëjë të mundur një konkurrencë më të mirë në përdorimin e lojërave në të dyja platformat për shkak se krahasimi do të jetë i disponueshëm për këdo lojtar në çfarëdo sistemi operimi. Gjithashtu, në Google Play, përdoruesit mund t’i dërgojnë “dhurata” njëri-tjetrit dhe mund të ftojnë përdorues të tjerë të luajnë ndeshje ose lojëra multiplayer me ta.

Google është gjithashtu duke punuar për ta bërë më të lehtë që zhvilluesit të mund të analizojnë, të marrin pagesa dhe të promovojnë aplikacionet e tyre me anë të sistemit të analitikës që ofrohet në Play Games në Google Play Developer Console. Aty mund të vizualizohen përdoruesit që janë online, përdoruesit aktivë në bazë ditore, aktiviteti i përdoruesve dhe arritjet e tyre.

Ky është një integrim shumë më i thellë në Google Analitics dhe platforma më e fundit e integruar në të, AdMob, do t’i ndihmojë zhvilluesit ta kenë më të lehtë testimin e lojërave dhe reklamat në to. E fundit, por jo risia më pak e rëndësishme është krijimi i 18 kategorive të reja të lojërave në Google Play Store. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>