Blog

Përdorni softuer të lirë në shkollat e Kosovës

Jan 30 2010
0 Shpërndarje
Përdorni softuer të lirë në shkollat e Kosovës

Në botë ekziston softuer shumë kualitativ për shumë më pak pare: softueri i lirë dhe me kod burimor të hapur. Ky softuer – Linux, Firefox, OpenOffice.org, GIMP, etj. – përveç se më i lirë, është më i sigurt ndaj sulmeve dhe vrimave të ndryshme të sigurisë, ofron zgjedhje të bollshme nga fusha edukative, ofron pronësi totale dhe në mënyrë permanente, karakteristika të përafërta me softuerin komercial, dhe freskim dhe mirëmbajtje shumë më të lehtë se alternativat komerciale. Është edhe më mirë, ky softuer është plotësisht pa pagesë dhe mund të përdorët që tash nga secili prej nesh. Por një investim shtesë do të ishte i mirëseardhur në lokalizmin e disa prej këtyre produkteve dhe modifikimin e tyre për nevojat e Kosovës dhe projektit në veçanti.

Kodi burimor i hapur nënkupton që nxënësit dhe të tjerët kanë qasje të plote në mënyrën se si funksionojnë programet dhe mund të bëhen edhe pjesëmarrës në zhvillimin e tyre, e jo vetëm përdorues pasiv.

Softueri i lirë mundëson zvogëlimin edhe të shpenzimeve harduerike nëpërmjet shfrytëzimit të një serveri për të shërbyer disa desktop terminale duke e rritur edhe nivelin e kontrollit dhe filtrimin e internetit.

Aplikacionet mund të zgjedhën sipas moshës dhe nevojave që nga ato parashkollore e deri të ato universitare. Aplikacioni ATutor mundëson menaxhim të përmbajtjes mësimore online, OpenBiblio të bibliotekës shkollore, iTest mundëson dhënien e testeve online, kurse openSIS dhe FreeSMS menaxhim të administratës shkollore nga drejtoria dhe arsimtarët, si regjistrimi i nxënësve, mungesat dhe notat. Pastaj një mori e tërë e aplikacioneve të tjera janë në dispozicion për mësimin e fizikës, kimisë, astronomisë, matematikës, biologjisë, gjeografisë, gjuhëve, etj. Për krahasim, koncepti i tanishëm zyrtar sheh vetëm instalimin e sistemit operativ dhe aplikacioneve për zyra.

Kursimet që do të realizoheshin nga çmimi 0 do të mund të përdoreshin pastaj për qëllime të tjera në projekt, si përkrahja teknike, hardueri, trajnimet dhe pagesa më e lartë e arsimtarëve.

E gjithë kjo nënkupton që një pjesë më e madhe e vlerës se këtij tenderi do të mbetej në Kosovë të firmat e teknologjisë informative, duke e forcuar një sektor kyç të ekonomisë kosovare.

Dhe në fund, por jo me më pak rëndësi, është aspekti moral i konceptimit të projektit. Nëse realizohet koncepti i tanishëm, nxënësit tanë do të trajnohen në softuer të cilën një pjesë shumë e vogël e tyre kane mundësitë financiare ta blejnë në shtëpi apo në bizneset e tyre të vogla. Kjo qasje i detyron fëmijët dhe prindërit e tyre të kalojnë në ilegalitet kur veç ekzistojnë alternativa të lira legale.

Por edhe pas gjithë kësaj, koha qe secili nxënës do të mund ta përdorë njërin prej këtyre kompjuterëve dhe hapësirat e dedikuara për ta do të jetë shumë e vogël. Një hap me kualitativ do të ishte pajisja e secilit nxënës me laptop personal siç po bëjnë vendet me nivel zhvillimi të ngjashëm me tonin. Revolucioni i filluar nga projekti One Laptop per Child (OLPC) ka mundësuar zbritjen e çmimit të këtyre pajisjeve në $200 për laptop apo 28 milion euro për 200,000 laptop.

Vetëm atëherë Kosova do të përjetonte një revolucion të vërtetë.

 

Lajmet e fundit>