Softuer

Përdorni softuer të lirë në shkollat e Kosovës

Jan 30 2010
0 Shpërndarje
Përdorni softuer të lirë në shkollat e Kosovës

Në botë ekzistojnë softuerë shumë kualitativ për shumë më pak para: softueri i lirë dhe me kod burimor të hapur. Ky softuer – Linux, Firefox, OpenOffice.org, GIMP, etj., përveçse më i lirë, është më i sigurt ndaj sulmeve dhe vrimave të ndryshme të sigurisë- ofron zgjedhje të bollshme nga fusha edukative, ofron pronësi totale dhe në mënyrë permanente, karakteristika të përafërta me softuerin komercial dhe freskim dhe mirëmbajtje shumë më të lehtë se alternativat komerciale. Madje edhe më mirë, ky softuer është plotësisht pa pagesë dhe mund të përdorët që tani nga secili prej nesh. Por një investim shtesë do të ishte i mirëseardhur në lokalizmin e disa prej këtyre produkteve dhe modifikimin e tyre për nevojat e Kosovës dhe projektit në veçanti. Kodi burimor i hapur nënkupton që nxënësit dhe të tjerët kanë akses të plotë në mënyrën se si funksionojnë programet dhe mund të bëhen edhe pjesëmarrës në zhvillimin e tyre, e jo vetëm përdorues pasiv. Softueri i lirë mundëson zvogëlimin edhe të shpenzimeve harduerike nëpërmjet shfrytëzimit të një serveri për të shërbyer disa desktop terminalë duke e rritur edhe nivelin e kontrollit dhe filtrimin e internetit. Aplikacionet mund të zgjidhen sipas moshës dhe nevojave, që nga ato parashkollore e deri tek ato universitare. Aplikacioni ATutor mundëson menaxhim të përmbajtjes mësimore online, OpenBiblio të bibliotekës shkollore, iTest mundëson dhënien e testeve online, kurse openSIS dhe FreeSMS menaxhim të administratës shkollore nga drejtoria dhe arsimtarët, si regjistrimi i nxënësve, mungesat dhe notat. Pastaj një mori e tërë e aplikacioneve të tjera janë në dispozicion për mësimin e fizikës, kimisë, astronomisë, matematikës, biologjisë, gjeografisë, gjuhëve, etj. Për krahasim, koncepti i tanishëm zyrtar sheh vetëm instalimin e sistemit operativ dhe aplikacioneve për zyra.
Kursimet që do të realizoheshin nga çmimi 0 do të mund të përdoreshin pastaj për qëllime të tjera në projekt, si përkrahja teknike, hardueri, trajnimet dhe pagesa më e lartë e arsimtarëve.
E gjithë kjo nënkupton që një pjesë më e madhe e vlerës se këtij tenderi do të mbetej në Kosovë të firmat e teknologjisë informative, duke e forcuar një sektor kyç të ekonomisë kosovare.
Dhe në fund, por jo me më pak rëndësi, është aspekti moral i konceptimit të projektit. Nëse realizohet koncepti i tanishëm, nxënësit tanë do të trajnohen në një softuer të cilin një pjesë shumë e vogël e tyre kanë mundësitë financiare ta blejnë në shtëpi apo në bizneset e tyre të vogla. Kjo qasje i detyron fëmijët dhe prindërit e tyre të kalojnë në ilegalitet, kur ekzistojnë alternativa të lira legale. Por edhe pas gjithë kësaj, koha që secili nxënës do të mund ta përdorë njërin prej këtyre kompjuterëve dhe hapësirat e dedikuara për ta do të jetë shumë e vogël. Një hap më kualitativ do të ishte pajisja e secilit nxënës me laptop personal, siç po bëjnë vendet me nivel zhvillimi të ngjashëm me tonin. Revolucioni i filluar nga projekti One Laptop per Child (OLPC) ka mundësuar zbritjen e çmimit të këtyre pajisjeve në $200 për laptop apo 28 milionë euro për 200,000 laptopë.
Vetëm atëherë Kosova do të përjetonte një revolucion të vërtetë.

Lajmet e fundit>