Lajmet

Përdorues të Android: Facebook ju kërkon të testoni aplikacionin e vet

Jul 1 2013
0 Shpërndarje
Përdorues të Android: Facebook ju kërkon të testoni aplikacionin e vet

Nëse keni një pajisje Android, Facebook-u ka nevojë për ndihmën tuaj për të testuar versionin e ardhshëm të aplikacionit të vet.

Facebook-u ofron tashmë mundësinë që përdoruesit të testojnë aplikacionin e vet më herët. Kjo do ta ndihmojë rrjetin social të rregullojë gabimet para se të lançohet për publikun e gjerë.

“Gjëja më e rëndësishme për ne është të marrim sa më shumë përshtypje nga përdoruesit e Android,” u shpreh Ragavan Srinivasan, menaxher produktesh në Facebook.

Kompania lançon rregullisht përditësime për aplikacionin e vet, duke sjellë në Play Store njëherë në katër javë një version të përditësuar.

Versioni i ardhshëm pritet në 8 korrik. Duke marrë parasysh këtë plan lançimi kaq të shkurtër, edhe koha për testimin beta është po ashtu e shkurtër. Po ashtu vështirësohet edhe gjetja e gabimeve për shkak të shumëllojshmërisë së pajisjeve që përdorin Android, duke filluar nga ato të vjetrat me sistemin Gingerbread e deri tek më të rejat si HTC One me Jelly Bean.

Pikërisht, hapja e programit beta për të gjithë, do të thotë se Facebook-u ka shanse më të mëdha për të marrë vlerësime për aplikacionin e vet. Teorikisht, kjo do ta bënte kompaninë të rregullonte më shpejt problemet apo të tërhiqte veçori që nuk pëlqen nga përdoruesit, para se aplikacioni të lançohet për publikun e gjerë.

Përdoruesit beta të Android-it do të kenë një opsion “report bug” brenda aplikacionit, të cilin mund ta përdorin për të raportuar çdo lloj problemesh tek Facebook-u. Fillimisht duhet të bashkoheni me Facebook for Android Google Group dhe të regjistroheni si testues beta i aplikacionit.

Më pas, mund të shkarkoni versionin beta nga Google Play, ose thjesht të prisni derisa vetë versioni të vijë në pajisjen tuaj Android. Kësaj here, aplikacioni beta do të jetë i disponueshëm nga e enjtja. (PCWorld Albanian)

fbandroid

Lajmet e fundit>