Lajmet

Përdoruesit e Gmail mund të dërgojnë skedarë 10 GB

Nov 29 2012
0 Shpërndarje
Përdoruesit e Gmail mund të dërgojnë skedarë 10 GB

Google deklaroi ditën e martë se do të integrojë Google Drive në Gmail, një lëvizje kjo që do të bëjë të mundur dërgimin e skedarëve masive prej 10 GB përmes e-mailit.

Kjo karakteristikë e re do të realizohet përmes një butoni të ri në dritaren e shkrimit të një e-maili në Gmail. Atje përdoruesit do të kenë mundësi të bashkëngjisin një skedar nga llogaria e tyre Google Drive në vend që ta bashkëngjisin skedarin tek mesazhi që po dërgojnë.

Sapo të bashkëngjitet, Gmail do të sigurohet që marrësi ka të drejtë ta shohë këtë skedar në llogarinë tuaj Drive, ose në të kundërt, do t’ju lajmërojë që t’i jepni atij lejë për ta parë , dhe më pas do të dërgojë mesazhin.

Ky opsion funksionon jo vetëm për skedarë që i bashkëngjisni mesazhit, por edhe për linqe që lidhen me artikuj të ndryshëm të ruajtur në Google Drive. Ato mund t’i bëni ‘paste’ në mesazhin tuaj.

Meqenëse kur dërgoni linqe keni mundësi t’i përditësoni ato, diçka që nuk ndodh me një skedar, atëherë edhe marrësit do t’i shfaqen automatikisht linqet e përditësuara.

Për sa i përket shërbimeve të tjera cloud si Dropbox apo Box, mund të bashkëpunoni mbi një dokument ‘shared’ me marrësit direkt në Google Drive, duke mbajtur një kopje të vetme në vend të kalimit të herëpashershëm të drafteve. Edhe Microsoft e ofron këtë mundësi përmes Outlook dhe SkyDrive.

Secili përdorues i Google Drive ka në dispozicion 5 GB hapësirë nga Google. Për të ruajtur skedarë më të mëdhenj se 5 GB, përdoruesit duhet të blejnë hapësirë shtesë. Aktualisht, mund të blini 25 GB për 2.49 $ në muaj ose 100 GB për 4.99 $ në muaj. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>