Lajmet

Përdoruesit e LinkedIn akuzojnë kompaninë se ka përdorur pa të drejtë adresat e e-mailit

Sep 23 2013
0 Shpërndarje
Përdoruesit e LinkedIn akuzojnë kompaninë se ka përdorur pa të drejtë adresat e e-mailit

LinkedIn është akuzuar në gjykatë nga përdoruesit të cilët pretendojnë se kompania ka përdorur identitetet e tyre për qëllime marketingu, duke hyrë pa të drejtë në adresat e e-mailit dhe duke marrë kontaktet e tyre.

Përdoruesit i kanë kërkuar një gjykatësi në San Jose të Kalifornisë të ndalojë kompaninë nga përsëritja e shkeljeve të tilla si dhe ta detyrojë atë të dëmshpërblejë përdoruesit në bazë të fitimeve që ka gjeneruar nga përdorimi i identitetit të tyre.

Siç pretendohet, LinkedIn i ka përdorur kontaktet për të reklamuar kompaninë e për t’i ftuar njerëzit të regjistrohen në faqe. “Faqja zyrtare e LinkedIn-it ka qindra ankesa në lidhje me këtë praktikë,” u shprehën disa përdorues pasi firmosën akuzën disa ditë më parë.

Kompania pretendon se ka rrjetin më të madh profesional në botë me mbi 238 milionë anëtarë, përfshi të gjithë ekzekutivët e kompanive të Fortune 500. CEO-ja i kompanisë, Jeff Weiner, është shprehur disa kohë më parë se rritja e numrit të anëtarëve vinte si rezultat i ndryshimit dhe optimizimit të përpjekjeve të kompanisë. Menjëherë pas publikimit të lajmit, aksionet e kompanisë ranë me 2%. Ndërkohë, një prej zëdhënësve të kompanisë, deklaroi se akuza ishte pa bazë dhe se ata do ta kundërshtojnë atë.

“LinkedIn vendos gjithmonë anëtarët në vend të parë, çka përfshin të qenurit transparentë në mënyrën si i mbrojmë dhe përdorim të dhënat e konsumatorit,” u shpreh ai përmes e-mailit. LinkedIn u kërkon anëtarëve të japin një adresë e-maili dhe dyshohet se një pjesë e tyre janë përdorur, nëse kanë qenë të hapura, për të marrë kontaktet që përdoruesi ka në të.

“LinkedIn pretendon të jetë personi në fjalë dhe kështu shkarkon adresa e-maili që gjenden në të për t’i ruajtur ato në servërët e kompanisë. LinkedIn është në gjendje t’i shkarkojë këto të dhëna pa kërkuar për fjalëkalimin e adresës së e-mailit ose pa marrë aprovimin e përdoruesit,” shkruhej në akuzë.

Në postim në blog gjatë fundjavës, Blake Lawit, përgjegjës për çështjet ligjore të kompanisë, shkruante se nuk është e vërtetë që LinkedIn hyn në adresat e e-mailit të anëtarëve që kanë vendosur t’i ngarkojnë kontaktet në faqe. Ai shtoi se kompania nuk i përdor adresat pa lejën e përdoruesit, e aq më pak të sillet sikur është vetë përdoruesi për të marrë aksesin në llogarinë e e-mailit. “Nuk kemi dërguar kurrë mesazhe ose ftesa për t’iu bashkuar LinkedIn-it nën emrin tuaj, vetëm në rastet kur na keni dhënë lejë për ta bërë këtë gjë,” shkruan Lawit.

“Rritja virale”

Përdoruesit, të cilët kanë firmosur akuzën, morën për bazë edhe një pjesë nga pikat e strategjisë së kompanisë ku thuhej se LinkedIn do të ndiqte iniciativa që promovonin “rritjen virale” të përdoruesve në faqe. Një përdoruese e LinkedIn, Deborah Lagutaris, profili i së cilës në rrjetin profesional shkruan se është një ish- punonjëse ligjore dhe komisionere e pasurive të patundshme, shprehet se LinkedIn ka kontaktuar mbi 3000 njerëz nën emrin e saj.

“E kam kontaktuar LinkedIn-in dhe më thanë se mund t’i hiqja të gjitha ftesat manualisht nga llogaria dhe se nuk e dinin çfarë mund të kishte ndodhur.” Të njëjtën gjë kanë raportuar edhe persona të tjerë.

“Ish- të dashurat”

“Disa njerëz me të cilët nuk kisha folur për pesë apo 10 vjet, përfshi disa ish- të dashura të cilat kisha harruar t’i fshija,” u shpreh Jeffrey Barr. Ndërsa LinkedIn i ktheu përgjigje se kishte harruar të çaktivizonte opsionin automatik ku lejohej që faqja të përdorte adresën e e-mailit. Sipas akuzës, dërgimi i shumë e-maileve, ishte pjesë e praktikës së kompanisë për të sjellë rritjen e numrit të përdoruesve. Nëpër e-maile shkruheshin komplimente mbi shërbimet e kompanisë, produktet dhe emrin e saj.

Në akuzë thuhej gjithashtu se përdoruesit ekzistentë nuk kishin asnjë mënyrë se si ta ndalonin këtë proçes. “Email-et po u dërgohen adresave që janë marrë nga posta e përdoruesve ekzistentë të LinkedIn, përfshi adresat e bashkëshortëve, klientëve, këshilltarëve, etj.” Ato vazhdojnë pavarësisht faktit se pasi përdoruesit hynin në faqe, u shfaqej një mesazh ku thuhet se LinkedIn nuk do t’i dërgonte askujt e-mail pa lejen e përdoruesit. (PCWorld Albanian)

linkedin

Lajmet e fundit>