Lajmet

Përfundon dita e parë e Software Freedom Kosova 2014

Oct 24 2014
0 Shpërndarje
Përfundon dita e parë e Software Freedom Kosova 2014

Gjatë ditës së premte është zhvilluar dita e parë e eventit Software Freedom Kosova, që ka qenë e karakterizuar me gjashtë seanca të ndryshme, duke filluar nga orët e para të mëngjesit, deri në mbrëmje. Inxhinieri  nga Tirana, Dashamir Hoxha ka mbajtur seancën e parë këtë vit në kuadër të këtij eventi, gjatë të cilës ai ka folur në lidhje me përgatitjen e aplikacioneve me platformën Docker, e cila është platformë për zhvillues dhe administratorë sistemesh, që në shpejtësi mundëson grumbullimin e aplikacioneve dhe që ndihmon me testimin dhe vendosjen e kodit sa më shpejt që të jetë e mundur. Hoxha gjatë paraqitjes së tij demonstronte përdorimin e urdhrave bazikë për ndërtim dhe mirëmbajtje të mbajtësve të “docker-it” dhe fotografive për një aplikacion uebi.

fredom

Pas tij, Janis Janovkis demonstroi rrjedhën e plotë të punës zhvilluese të aplikacioneve të uebit me Laravel dhe Backbone Js, duke dhënë truqe dhe mënyra se si të përdoren librari të jashtme dhe vegla që mund të ndihmojnë dhe përshpejtojnë procesin e zhvillimit të aplikacioneve. “Bëni pak, por kuptoni” ishte motoja e përdorur nga Janis gjatë fillimit të punëtorisë së tij, i cili do ta mbajë edhe një ligjëratë gjatë shtunës, kur mbahet konferenca, në lidhje me mënyrat e përgatitjes së një skuadre të shkëlqyer në industrinë e IT-së.

Futja e të dhënave në MongoDB dhe qasja e tyre me një shërbim të implementuar me një shërbim RESTful në Python dhe Flask ishte tema e pjesës së tretë me radhë, e mbajtur pak minuta pas mesditës. Themeluesi i Open Data Kosovo, Georges Labrèche, përveç demonstrimeve të bëra, tregoi edhe rëndësinë e madhe të paraqitjes së të dhënave në formate të gatshme dhe të qasshme që ndihmojnë në fleksibilitet sa i përket shpërndarjes, filtrimit dhe kërkimit të tyre.

Anëtari i shoqatës FLOSSK,  Besfort Guri mbajti një seancë praktike në lidhje me veglën e bazuar në cloud e cila ofron mundësi për vizualizim të të dhënave në harta, CartoDB. Ai përveç që tregoi shembuj të përdorimit të kësaj vegle nga organizata joqeveritare nga Kosova “Ec ma ndryshe” për qytete të ndryshme të Kosovës, ai tregoi edhe duke bërë demonstrimin, si dhe duke kërkuar angazhimin nga të pranishmit në demonstrimet e tij.

fred 2

Gjergj Sheldija mbajti pjesën kushtuar krijimit dhe mirëmbajtjes së koleksioneve dixhitale duke përdorur teknologjitë open-source, duke treguar si shembull librarinë më të madhe dixhitale në Shqipëri, ADSH, e cila ka 394 gjëra në koleksion, ku përfshihet një varg i gjerë i tyre, nga “Rrethimi i Shkodrës” i Marin Barletit, deri tek “Shejzat”.

Dita e parë e këtij eventi përfundoi me seancën praktike nga Thomas Levine, e cila kishte të bënte me shndërrimin e të dhënave nga formati PDF në formatet e tjera të cilat mund të jenë të nevojshme për hulumtuesit, si bazat e të dhënave, grafikët dhe tabelat.

Software Freedom Kosova do të mbahet edhe gjatë dy ditëve të tjera, ku gjatë të shtunës do të mbahet konferenca në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa të dielën, ashtu sikur edhe gjatë të premtes, do të mbahen paraqitjet praktike të cilat për dallim nga konferenca, e kanë  për synim që të ndihmojnë me formimin e shkathtësive teknike, duke iu mundësuar pjesëmarrësve që të angazhohen nën udhëzimet e ligjëruesve. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>