Lajmet

Përfundon edicioni i parë i “REDO Design Conference”

Sep 18 2011
0 Shpërndarje
Përfundon edicioni i parë i “REDO Design Conference”

Nga Çelik Nimani

Valon Sopi nga BoldUnderline. me temën e tij për “Biznesin e mirë të Dizajnit” prezantoi disa detaje mjaft interesante mbi industrinë e dizajnit në Kosovës, si është tani dhe si duhet të jetë. “Në ditët e sotme klienti është ai që tenton të bëjë çdo gjë në vete dhe që përcakton çmimin e përcakton nevojat e tij. Në fakt ai është më i zëshmi dhe kësisoj është në shumë raste edhe përcaktues dhe limitues i punëve kreative të dizajneri” u shpreh Sopi në prezantimin e tij. Këto gjëra duhet të ndryshojnë dhe nuk duhet të jenë më pjesë e industrisë së dizajnit në Kosovë, vazhdoi ai më tej. Sipas Sopit situata ideal është e ndërlidhur me informimin e klientit se dizajneri është strategjist dhe është ai që mendon për klientin, duke formuar një prezantim të mirë të kompanisë dhe duke njoftuar se çka është roli i tij si dizajner dhe çfarë mund të bëjë ai. 

“Sa kushto një logo”

Sopi vazhdoi në prezantimin e tij të prek edhe temën e ndjeshme të çmimit që sipas tij duhet të jetë një standard në Kosovë që ndërlidhet me përcaktimin e tij. “Ju duhet të keni parasysh sa punëtorë punojnë për ju, sa ju kushton çiraja, koha, e faktorë tjerë dhe të shtoni një përqindje të fitimit për ju dhe më pas të përcaktoni çmimin”.  “Sot ndodh që dikush të vie dhe të pyes sa kushton një logo, por këto gjëra do të ndryshojnë dhe për të mirën e vendit do të jemi edhe ne pjesë e kësaj lëvizjeje për të ndryshuar rrethanat dhe për të përcaktuar standardet”.

Vasjen Katro, një dizajner i njohur nga Shqipëria bëri një prezantim interesant mbi “Përdorueshmërinë në Ueb dhe Interfejsit Grafik” duke ofruar detaje mbi uebin dhe ndërfaqen grafike në prezantime të detajuara dhe të ndërlidhura në mënyrë direkte me dizajnin. “Përcakto qëllimin dhe qëllimet nga perspektiva e përdoruesit dhe e biznesit, dhe kësisoj gjërat do të jenë më të qarta dhe më të kuptueshme për secilën palë”. 

Albian Gagica, nga  INIT, me temën “Design, Club and Rock&Roll” shpalosi një retrospektivë të shkurtër mbi flyer’ët e parë në Kosovë të periudhës së para luftës, ndërsa pas luftës ai prezantoi një sërë flyerësh të dizajnuar prej tij duke treguar ndërthurjen e elementeve të dizajnit të ndërlidhura me artistin e prezantuar në flyer, me stinën kur është krijuar flyer’i, me ndonjë ngjarje të pranishme në atë datë e kështu me radhë.

Dizajni është tipografi

Yll Rugova, themelues i Trembelave dhe dizajner i njohur në Kosovë, veçanërisht për punimet e tija të ndërlidhura me fonte, shpalosi një historik në prezantimin e tij në lidhje me zhvillimet e para të dizajnit të shkronjave, duke kaluar prej faze në faze dhe duke treguar edhe detaje të shkronjave të para të dizajnuara në trojet shqiptare, si “Elbasan skriptën”, pastaj detaje mbi fontin e përdorur në gazetën Rilindja, mbi shkronjat e përdorura nëpër faza të ndryshme të zhvillimit të Shqipërisë, etj. “Përgjegjësi e dizajneri është të interpretojë në mënyrën më të mirë mesazhin prej pikës A drejt pikës B, dhe në këtë mes mjet i interpretimit është vegla e tij” theksoi Ylli. Sipas Yllit tipografia ndërlidhet shumë me dizajnin dhe me mesazhin që përçon ai dhe është një element shumë i rëndësishëm që duhet pasur parasysh.

Ylli prezantoi edhe disa prej punimeve të tija, kryesisht fonte si “Thelbi”, “Shqip”, etj. 

Jeton Morina, dizajner me përvojë në Zelandë të Re, Shqipëri dhe Kosovë foli për temën “Krijo për arsye dhe jo veq hajt” që sipas tij nënkupton se çdo dizajn duhet të ketë një arsye dhe një qëllim dhe jo të jetë thjeshtë sa për sy e faqe.

Flakërim Ismani, foli për temën “Përtej Web-it në Re”, duke shpalosur një historik të zhvillimit të uebit, kalimin në fazat e zhvillimit të hovshëm të ueb faqeve komerciale, zhvillimit të Flash, pastaj të Ajax, HTML 5, etj. Ismani shpalosi edhe disa pikëpamje mbi veglat e shfrytëzueshme me bazë në cloud që janë sot të pranishme në treg e të cilat sipas tij do të jenë pjesë e rëndësishme e zhvillimit të industrisë në të ardhmen. 

Fisnik Ismaili, krijues i Ogilvy Kosova dhe  i monumentit “NewBorn”, u prezantua me temën “Nxjerre prej zemre le ta ndjenjë tetanë” dhe foli më shumë rreth thjeshtësisë së punimeve të dizajnerëve të ndryshëm botëror e të cilat punime janë krijuar si rrjedhojë e dashurisë së artistit e jo për përfitime materiale. “Disa prej këtyre punimeve që i njeh krejt bota si “I Love New York”, “Love”, etj sot janë të shtrira kudo dhe janë të madhërishme për shkak se janë krijuar në momentin e duhur në vendin e duhur, me dashurinë e artistit” u shpreh Ismaili. Ai shpalosi edhe disa prej punimeve të zhvilluara gjatë viteve në Kosovës si “Nato Air Just do it” e cila së fundi u pa nga protestuesit edhe në Bengazi. Sërish të gjitha këto punime që u shpërndanë në mas të madhe, në të katër anët e botës nuk i sollën atij përfitime materiale por thjeshtë nga dashuria e artistit në vendin dhe momentin e duhur, u inspiruan një masë e gjerë. 

Bes Bujupi, dizajner i njohur shqiptar në Angli dhe pjesë e kompanisë Amaze, foli mbi kreativitetin në internet duke sjellë disa prej praktikave të tija më të mira të fituara me kohë në Angli para audiencës së përbërë prej dizajnerëve të Kosovës dhe Shqipërisë. “Gjatë zhvillimit tim në karrierë kam nxjerrë dy mësime të cilat duhet t’i ndajë me ju: krijo gjithmonë më shumë sesa që kërkohet dhe mos u pajto me të zakonshmen” shtoi Bujupi. Ai prezantoi edhe disa prej punimeve të tija të zhvilluara sa ishte pjesë e kompanisë CodeComputerLove dhe tregoi mbi teknikat e kreativitetet të përdorura në to.

Kushtrim Xhakli, ndërmarrës i njohur nga Kosova, krijues i FEV dhe tani Udhëheqës i Komunikimit Digjital pranë Changers.com, nxiti një temë internate në lidhje me hapësirat bashkëpunuese. “Të mos e lëmë me kaq por të gjejmë mënyra sesi të zhvillojmë aktivitete tjera dhe të lidhim komunitetin e të punojmë në diçka të përbashkët. Ky është hapi i parë dhe shumë të tjerë na presin” theksoi Xhakli. Ai u koncentrua veçanërisht në nxitjen e punëve ekipore dhe në eliminimin e egos dhe termit “I pari në Kosovë” që sipas tij po dëmton zhvillimin e vendit dhe vet dizajnerëve si profesionistë, dhe po pamundëson që të ecët para në formë të përbashkët. “Kjo duhet të ndryshojë. Qysh prej sot” u shpreh Xhakli.

Në fund të tërë ngjarjes u  organizua një debat mes të pranishmëve në sallë të cilët folën për krijimin e kushteve më të mira për industrinë e dizajnit në Kosovë, për themelimin e një Asociacioni apo Shoqate të Dizajnerëve të Kosovës, për vendosjen e standardeve, për përmirësimin e edukimit në UP (edhe pse nuk pati ndonjë profesor si mysafir por vetëm pak studentë), e kështu me radhë. /pcworldalbanian

Lajmet e fundit>