Lajmet

Përfundon eventi Startup Weekend Tirana #3, shpallen fituesit

Nov 24 2014
0 Shpërndarje
Përfundon eventi Startup Weekend Tirana #3, shpallen fituesit

10815831_10204842894809780_624023473_nSiç ishte lajmëruar më parë nga PCWorld Albanian, këtë fundjavë u zhvillua eventi Startup Weekend Tirana #3. Ai zgjati 3 ditë, duke filluar të premten, më 21 nëntor dhe duke përfunduar të dielën, më 23 nëntor. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte mbështetja e ideve të reja dhe nxitja e tyre për tu kthyer në sipërmarrje të suksesshme.

Organizatorët menduan dhe për zhvillimin e “Let’s Have a Drink-Tirana Startup Weekend” më 20 nëntor, ditën e enjte, duke i paraprirë kështu ditëve të ngarkuara të aktivitetit Startup Weekend Tirana #3. Kjo festë e organizuar të enjten e shkuar, kishte për synim njohjen e pjesëmarrësve me njëri-tjetrin, për të kursyer kështu ato orët e para që gjithmonë nëpër aktivitete duhen vetëm për tu ambientuar me të pranishmit. Ndërkohë, i la vendin tri ditëve të tjera të mbushura plot ide të reja biznesi.

Dita e premte, 21 nëntor:

Data 21 nëntor ishte dita e parë e Startup Weekend Tirana #3. Filloi në ambientet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Porsa arrinin aty, pjesëmarrësit regjistroheshin nga organizatorët me idetë e tyre. Pas rreth një ore, bëhej hapja e aktivitetit dhe ftoheshin konkurrentët të prezantonin shkurtimsht idetë e tyre. U prezantuan më shumë se 30 ide, të cilat u votuan nga të gjithë të pranishmit dhe u krijuar lista e shkurtuar me 15 idetë me më shumë vota. Në të gjitha prezantimet treguan dhe çfarë njerëzish ju mungonin në skuadrat e tyre; developer, designer, business people etj. Të gjithë pjesëmarrësit e tjerë, idetë e të cilëve nuk ishin aq të votuara sa 15 më të votuarat, duke u mbështetur në prezantimet e pjesëmarrësve të tjerë, ju bashkuan 15 të parave për të formuar skuadrat përfundimtare. Pas krijimit të tyre, skuadrat vazhduan punën për krijimin e një plani biznesi dhe realizimin e ideve.

Dita e shtunë, 22 nëntor:

Dita e shtunë ishte një ditë pune nga mëngjesi në darkë. Të gjitha skuadrat ishin të përkushtuara dhe punuan shumë për realizimin e ideve të tyre dhe për realizimin e një prezantimi sa më të denjë për ditën e nesërme.

Dita e dielë, 23 nëntor:

Dita e dielë shënoi dhe ditën e fundit të Startup Weekend Tirana #3, ku filloi me prezantimin e të gjitha projekteve. Pas prezantimeve, një minutazh i vogël ishte lënë për jurinë për pyetjet dhe kthimin e përgjigjeve nga pjesëmarrësit. Juria e cila vlerësoi të gjitha prezantimet me hollësi, pas të gjitha prezantimeve u shkëput për të marrë vendimin për tri idetë fituese.

Juria përbëhej nga: Erton Graceni, këshilltar i kryeministrit për Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit; Daniel Guçe, drejtor i SME & Exports tek AIDA; Kushtrim Shala, menaxheri rajonal i ICTSmedia-s; Isak Bilalli, drejtori i Washington Education In Albania; Erion Nako, përfaqësues i SAP për Shqipërinë e Kosovën; Albert Tollkuci, CEO-ja i ikub.al; Ardi Kule, bashkëthemeluesi i Ariee Design Studio; Jorgest Kovaci, drejtori ekzekutiv tek Instituti Adriapol dhe Ardian Hasa, përfaqësues i Societe Generale Albania.

Gjithashtu një pjesë shumë e rëndësishme ishin edhe trajnerët e mentorët, të cilët do t’i rendisim më poshtë: Radoy Stoyanov, shefi operacional në Societe Generale Albania; Luca Pescarote, IT dhe menaxher; Jakob Kronbichler, menaxher rajonal tek Kaymu Albania Rocket Internet AG; Bora Feri, shefe operacionale e MPAY; Fatmir Gjoni, menaxher i planifikimit komercial; Erdet Kellici, lektor tek Informatika Ekonomike; Igli Hakrama, inxhinier sistemesh dhe softuerësh; Besmir Kthupi, drejtor artesh; Tomi Kallanxhi, eksperiencë në webdesign,webdevelopement etj dhe Endrit Ali, menaxher IT në EasyPay Shqipëri.

Juria dha vendimin përfundimtar të saj duke vlerësuar e zgjedhur 3 grupet e startup-eve fituese. Vendi i tretë ishte për idenë e quajtur Code In Rose, e cila përfaqësohej nga një grup me 6 përfaqësues: Eni Daka (lider), Andi Cobo, Anisa Kasemi, Fjoralba Golikja, Klea Mertenika dhe Sonila Marku. Kjo ide kishte në qendër përfshirjen më të gjerë të femrave në fushën e programimit.

10394785_803590833032362_6799656533649117876_nVendin e dytë e fitoi grupi i cili përfaqësohej nga Ardit Dine (lider), Fabio Çimo, Gerta Dervishi, Megi Serani dhe Rovialdo Konda. Ideja Tirana Bus e këtij grupi kishte të bënte me ofrimin e një sistemi biletash online me anën e një aplikacioni në smartfonët e çdo udhëtari, në këtë mënyrë edhe koha menaxhohej më mirë.

1375797_803591156365663_7390708498750420529_nStart-upi fitues i vendit të parë ishte grupi i Mateo Priftit (lider), Jetro Saraj, Grejdi Meta, Margen Stepa, Patrik Bardhi, Hristos Giannopoulos, Artian Kica, Frenklin Hasani, Enes Kristo, Kelvin Cobanaj me idenë e tyre të quajtur Shumlist. Shumlist është një website i cili lejon inovatorët të shesin, blejnë dhe të shkëmbejnë projekte të përfunduara apo jo me njëri-tjetrin. Eksploro! Gjej! Fito!

10150766_803591583032287_3793584061604376124_nSponsorët dhe partnerët e këtij eventi ishin të shumtë, ndër të cilët përmendim Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e cila mirëpriti dhe mbështeti për të gjithë fundjavën eventin e Startup Weekend Tirana, platforma FIWARE, Washington Education in Albania, AIDA, ikub.al, Universiteti Marin Barleti, Societe Generale Albania, ICTSmedia, Kalo Associates, Adriapol, Github social coding, Studioja e dizenjimit Ariee , EasyPay, Planet, Hastime.al. Gjithashtu edhe partnerët mediatikë si PCWorld.al, digitallife.al, vetëmshqip etj. Skuadra organizative të këtij eventi përbëhej nga Aneida Bajraktari, Ergest Nako, Elio Qoshi, Klajdi Turlla dhe Marsida Vishkurti, ku kontribut ka patur edhe Celik Nimani.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj ishte i ftuar në këtë event, i cili i përgëzoi të gjithë, duke filluar që tek të pranishmit, sipërmarrësit e rinj, jurinë, stafin organizativ dhe mentorët. Ai bëri dhe ndarjen e çmimeve duke iu uruar suksese fituesve, por gjithashtu duke nxitur e motivuar çdo të pranishëm në lidhje me ide të reja biznesi. (PCWorld Albanain)

Lajmet e fundit>