Lajmet

Përfundon konferenca Software Freedom Kosova 2013

Sep 10 2013
0 Shpërndarje
Përfundon konferenca Software Freedom Kosova 2013

Në orët e mbrëmjes të ditës së hënë, pas një maratone prej tre ditësh me ligjërata dhe punë praktike, ka përfunduar me sukses edicioni i pestë i konferencës për softuer të lirë dhe të hapur, Software Freedom Kosova.

Në dallim nga vitet e kaluara, këtë vit për shkak të pamundësisë për tu shkëputur nga puna në Gjermani, nismëtari i kësaj konference, James Michael DuPont, nuk pati mundësi që të marrë pjesë. Ashtu siç ju kemi lajmëruar, dita e parë ishte e mbushur me ligjërata për tema të ndryshme, ku përqendrimin kryesor e kishin në softuerin e lirë, sigurinë dhe cloudin, të cilat u mbajtën në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, kurse në dy ditët e tjera, të dielën dhe të hënën u demonstruan punët praktike në mjediset e Qendrës për Inovacion në Kosovë, ku kishte tema të ndryshme, por edhe mundësi për angazhim edhe të pjesëmarrësve nën udhëzimet e ligjëruesve të ardhur nga vende të ndryshme të botës.

Procesi praktik filloi me shqiptarin nga Kosova, i cili jeton dhe punon në Norvegji, Flamur Mavraj, i cili paraqiti zhvillimin e një aplikacioni të thjeshtë me gjuhën programuese JavaScript, duke përdorur kornizën punuese EmberJS. Më pas, përfaqësuesi i shoqatës Mozilla, Alex Lakatos, pasi kishte marrë pjesë në ditën e parë me ligjëratë, ditën e dytë ai paraqiti disa API të uebit në sistemin operativ Firefox, modelin e sigurisë së tij, blloqet ndërtuese dhe disa udhëzime për të krijuar aplikacionin e parë për SO-në Firefox. Për shkak të numrit të kufizuar të telefonëve në dispozicion dhe për të mundësuar angazhimin e pjesëmarrësve në proces, u përdor simuluesi i sistemit operativ Firefox.

Më pas Robert Ochsorn tregoi për disa punime të tij që i ka bërë duke përdorur kodekët me burim të hapur HTML5 <video> dhe WebRTC, të cilat mund të jenë burim mundësive të shumta që nuk janë hulumtuar. Të pranishmit në këtë praktikë patën rastin që të shohin pak rrjedhën e punës për prodhime mediatike, si dhe më pas të fillojnë edhe vetë të jenë në kontakt me të. Marco Fioretti nga Italia foli për të dhënat e hapura dhe rëndësinë që këto të dhëna mund ta kenë për të gjithë në përgjithësi, por edhe për shkolla në veçanti. Ai tregoi që shkollat tani janë të mërzitshme, jo vetëm për nxënësit, por edhe për mësuesit, sepse që të dy palët kanë libra të botuar që janë aq të vjetër, sa që kanë qenë të vjetër edhe kur janë botuar, si dhe mungesa e lidhjes së gjërave që diskutohen në tekstet shkollore me gjëra të jetës reale. Si zgjidhje ai propozoi që të pranishmit të regjistrohen në një lidhje, ku do të mund të hapnin një faqe për të vendosur përmbajtje për lëndët shkollore, të cilat mund të jenë nga të ndryshmet, qoftë nga fizika, kimia, biologjia apo ndonjë lëndë tjetër.

Dita e parë e praktikës përfundoi me inxhinierin kompjuterik nga Tirana, Dashamir Hoxha, i cili tregoi se çfarë është Drupal, çka e bën atë më të mirë se menaxherët e tjerë të përmbajtjes dhe si rregullohet ky menaxher dhe llojet e mundshme të cilat i ka, që mund të përdoret për qëllime të ndryshme. Sipas Altin Ukshinit, vetë faqja e shoqatës FLOSSK, menaxhohet me Drupal.

E nesërmja filloi me praktikën e parë në orët e pasdites, ku ligjëruesi nga dita e parë, tashmë si demonstrues, Bert Desmet, paraqiti disa udhëzime se si të menaxhohet siç duhet baza e të dhënave dhe dha po ashtu disa udhëzime që mund të jenë të dobishme për bazat e të dhënave për ndërmarrje. Më pas, zhvilluesi i suksesshëm nga ndërmarrja e frytshme Umbrella nga Prishtina, Vleran Dushi, foli për veçoritë e reja në HTML5/CSS3, të cilat mund të ju kenë shpëtuar pa i përdorur dhe u përqendrua në HTML/CSS dhe primitivë të JavaScript-it, që adresojnë ndërfaqen, funksionin dhe disa raste përdorimi.

Më pas, zhvilluesi tjetër po ashtu i suksesshëm nga Prishtina, Burim Shala, i cili së bashku me Vleranin, punojnë në të njëjtën ndërmarrje, demonstroi disa paraqitjen sa më të lehtë në zhvillimin e ndërfaqeve për WordPress, duke qenë e mundshme për t’u kuptuar edhe nga fillestarët. Ai gjithashtu foli për disa nga rrugët më të mira bazike dhe disa avancime duke përdorur WordPress.

Demonstrimi i fundit praktik u bë nga anëtari i hackerspace-it nga Tirana, Open Labs, Redon Skikuli, i cili tregoi se çfarë është hardueri i hapur Arduino, mundësitë që ofron ai, si dhe të pranishmëve të ndarë në skuadra iu mundësoi që të bëjnë testime me këtë harduer të hapur, i cili komandohet nga softueri me po të njëjtin emër, me urdhra nga gjuha programuese C. Më pas, skuadrat patën rastin që të bëjnë punë ekipore dhe të bëjnë prezantimin, duke treguar se çfarë bën secili harduer i hapur i tyre. Të interesuarit për projektin WMKIT, të nisur nga Open Labs, e më pas të përkrahur nga FLOSSK, mund të marrin më tepër informacione për të, duke kontaktuar anëtarët e Open Labs, apo ata të FLOSSK-ut. (PCWorld Albanian)

SFK 1

Lajmet e fundit>