Lajmet

Përfundon me sukses Workshopi i dytë i Albanian ICT Awards 2012 në Prishtinë

Apr 6 2013
0 Shpërndarje
Përfundon me sukses Workshopi i dytë i Albanian ICT Awards 2012 në Prishtinë

ict logo1Ashtu siç ju kemi lajmëruar më parë, gjatë ditës së shtunë në ambientet e Universitetit Amerikan në Kosovë, të njohur ndryshe edhe si AUK, është mbajtur Workshopi i dytë me radhë i ngjarjes Albanian ICT Awards 2012.

Të pranishëm në këtë event ishin dhjetëra njerëz profesionistë, studentë, apo thjesht entuziastë të teknologjisë.

Ky Workshop, i dyti me radhë, pasi atij të mbajtur me sukses në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë gjatë muajit shkurt, kishte për qëllim që të paraqiste ecurinë e deritanishme të ngjarjes që po zhvillohet për herë të parë në trevat shqiptare dhe në rajon, e që ka për qëllim që të bëjë vlerësimin e individëve të suksesshëm në fushën Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit.

Përpos paraqitjes së ecurisë, Kushtrim Shala, i cili është pjesë e shtëpisë botuese në fushën e teknologjisë dhe komunikimit, ICTS Media, që njëherësh është partnere me ndërkombëtarët e IDG-së, njëkohësisht organizatore e ngjarjes, tregoi edhe për mundësinë e kandidimit nga të interesuarit nga Kosova për këtë garë, duke paraqitur edhe mundësitë e shumta që mund të arrihen duke kandiduar në këtë garë.

Albanian ICT Awards 2Visar Jasiqi, i cili është drejtor i Institutit për Trajnim dhe Zhvillim në Universitetin Amerikan në Kosovë, në ligjërimin e tij të shkurtër tregoi përveç të tjerash edhe për përfitimet e shumta që mund të arrihen nga përparimet në teknologji, të cilat ndihmojnë në përgjithësi dhe ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies në komunitet. Me fjalë të tjera ai përkrahu këtë nismë të re në vend, duke e parë si mundësi e cila duhet të shfrytëzohet.

Përpos tij, fjalën e mori edhe Vjollca Dako, e cila është drejtoreshë e Fondacionit “Dritan Hoxha”, që përgëzoi organizatorët e kësaj ngjarjeje për këtë nismë, e cila mund të shërbejë në nxitjen e angazhimeve individuale në veçanti, apo kolektive në përgjithësi.

Edhe pse kanë pasur rastin që të njihen me kategoritë për kandidim, një paraqitje pak më e qartë dhe më specifike u bë nga përfaqësuesja e ICTS Media, e cila ilustroi shkurtimisht edhe kategoritë e mëposhtme në të cilat mund të bëhet aplikimi:

· TIK kreativiteti i vitit

· TIK akademiku i vitit

· TIK mobiliteti i vitit

· TIK tema e diplomës e vitit

· TIK ylli i vitit në ngritje

Albanian ICT AwardsPërveç paraqitjes së mundësive për kandidim, ata që ende ngurrojnë që të kandidojnë, patën rastin që të njihen me tre shembuj konkretë të kandidatëve, të cilët paraqitën publikisht se me çfarë ata marrin pjesë në këtë garë si dhe arsyet e tyre në këtë angazhim.

Në mesin e tyre është Betim Drenica, i cili pati një ligjërim të shkurtër rreth produktit të tij Scards, me të cilën ai synon tregun botëror, që paraqet një veprim vërtet mjaft të guximshëm nga ana e tij.

Ai ka hapur ndërmarrjen me të njëjtin titull me atë të produktit, pra Scards, me ekip vendor, por me seli edhe në Britani të Madhe dhe Shtete të Bashkuara të Amerikës. Ky produkt është më tepër i përqendruar për biznese.

Duke e treguar një shifër mjaft interesante, me të cilët u tregua se miliona njerëz në mbarë ditën shkëmbejnë vizitë-karta, ai e tregoi edhe atë që e bën produktin e kësaj ndërmarrjeje të veçantë:

mundësia për të zgjedhur nga 1200 dizajne të ndryshme, të cilat mund t’i ketë vizitë-karta, si dhe prania e pajisjeve NFC, të cilat janë pajisje që mundësojnë shkëmbim të informacioneve mes personave në një largësi të shkurtër, si dhe prania e QR-kodeve, të cilat mund të paraqiten si ndihmesë për arritje deri tek faqja e caktuar në internet e ndonjë individi, apo ndërmarrjeje.

Ai tregoi edhe për produktet e tjera të ndërmarrjes së tij, për të cilat mund të kuptoni më tepër në faqen zyrtare të ndërmarrjes.

Pastaj, Denis Avdiu, i cili është për momentin16 vjeç, tregoi për kandidimin e tij në kategorinë TIK ylli i vitit në ngritje.

Ndoshta mund të ju lind pyetja, se pse një person kaq i ri duhet të kandidojë në një garë të kësaj natyre. Kjo kategori, pra TIK ylli i vitit në ngritje, është hapur pikërisht për ata të rinj të talentuar të cilët përveç lojërave, apo gjërave të tjera, japin kontributin e tyre edhe në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Pikërisht Denisi, kur ishte 14 vjeç kishte gjetur një problem në siguri në rrjetin Facebook, të cilin ai, në vend se ta keqpërdorte, të cilën mundësi edhe e kishte, e kishte raportuar tek personat përgjegjës, por që në atë kohë ishte injoruar ky raportim.

Tre muaj pasi e kishte gjetur gabimin, Facebook kishte krijuar mundësinë e shpërblimit të atyre që arrijnë të gjejnë gabime në këtë rrjet, të cilën mundësi Denisi e shfrytëzoi, me ç’rast arriti të marrë një shumë simbolike parash, por edhe fitoi ftesën për të shkuar për vizitë në lokalet e ndërmarrjes Facebook në Kaliforni.

Ai tregoi edhe për bisedën që kishte pasur me punëtorët e ndërmarrjes Facebook, të cilët ishin shprehur të habitur për gatishmërinë e Denisit për ta treguar këtë problem dhe për të mos e keqpërdorur, që kishte paraqitur një lloj besnikërie të rrallë, të cilën Denisi e kishte paraqitur për ta bërë në një farë forme prezantimin e shqiptarëve tek ata të cilët siç duket as që kishin dëgjuar ndonjëherë për ta.

Dhe në fund, por jo më pak i rëndësishmi, i diplomuari gjatë vitit të kaluar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në drejtimin shkenca kompjuterike, Bardh Lohaj tregoi për kandidimin e tij në kategorinë TIK tema e diplomës e vitit, ku ishte paraqitur “Augmented Reality”, apo “Realiteti i shtuar”, për të cilën u mundua të flasë në pika të shkurta, por të cilën temë Bardhi e pati pakëz edhe të vështirë që ta shpjegonte për shkak të ndërlikueshmërisë, si dhe në mungesë të demonstrimit përkatës. 

Ai me këtë temë diplome kishte arritur notën më të lartë të mundshme në vlerësim.

Kandidimi në Shqipëri ka përfunduar në fund të marsit, kurse ai në Kosovë pritet të jetë i hapur deri me datën 10 prill, pas të cilës datë pritet të bëhet shqyrtimi i kandidaturave të paraqitura.

Ngjarja Gala pritet të mbahet me datën 25 prill, në Tiranë, ku juria profesionale do të shpallë fituesit për kategoritë përkatëse, si dhe sipas Kushtrim Shalës, do të ndahen edhe disa çmime speciale, të cilat pritet të jenë si befasi si për publikun, ashtu edhe për kandidatët.

Sipas organizatorëve, kjo ngjarje është e para e këtij lloji, por që synohet të bëhet si traditë e përvitshme, që do të mundësojë afirmimin e kontribuuesve shqiptarë me ndikim në TIK. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>