Lajmet

Përfundon përditësimi i Windows 8.1

Mar 5 2014
0 Shpërndarje
Përfundon përditësimi i Windows 8.1

win8leak5_1020_large_verge_medium_landscape_large_verge_medium_landscapeMicrosoft-i ka përfunduar procesin e zhvillimit të përditësimit të parë për Windows 8.1. Burime pranë kësaj kompanie kanë zbuluar se të gjitha përgatitjet dhe testimet kanë mbaruar dhe është arritur versioni final i përditësimit. Edhe pse lançimi përfundimtar për përdoruesit është muajin e ardhshëm, Microsoft-i ka filluar ta ndajë përditësimin me partnerët dhe me prodhues për PC që tani, në mënyrë që kompjuterët e ardhshëm gjatë muajit tjetër të dalin në treg me përditësimin me vete.

Ndërkohë që përditësimi është gati, nuk është e qartë plotësisht se si Microsoft-i ka planifikuar që ta shpërndajë për përdoruesit versionin përfundimtar të përditësimit. Ky përditësim quhet Update 1 (që në shqip përkthehet Përditësimi 1) dhe Microsoft e konsideroi si përditësimin e “pranverës” për Windows 8.1 gjatë Kongresit Botëror Mobil gjatë javë së kaluar.

Shumica e të rejave që sjell ky përditësim janë më shumë në shërbim të përdoruesve të tastierës dhe mausit, me opsionin për të shfaqur aplikacionet e Windows 8 në shiritin e programeve në desktop. Gjithashtu është shtuar opsioni që të shihet shiriti i programeve i desktopit edhe në aplikacionet e stilit Windows 8 dhe një shirit të ri për emrin e aplikacioneve, me mundësinë për t’u minimizuar, mbyllur apo zmadhuar pamjen e aplikacionit. Microsoft-i gjithashtu ka shtuar edhe një buton fikjeje në ekranin Start për pajisje që nuk janë me prekje e gjithashtu edhe një buton kërkimi që do të jetë për të gjitha pajisjet.

Krahas disa ndryshimeve kontekstuale në menu, klikimi me butonin e djathtë të mausit në Live Tiles jep një menu me opsionet për të vendosur përmasat, të hiqet aplikacioni nga aty, etj. Microsoft-i gjithashtu ka ndryshuar edhe se si punon opsioni i ndezjes së sistemit direkt në desktop në këtë përditësim.

Kompania po planifikon që sistemi të ndizet direkt në desktop për pajisje që nuk janë me prekje si opsion i paracaktuar, për sa kohë që vetë përdoruesit nuk e ndryshojnë këtë opsion që të kalojnë në ekranin Start.

Gjatë punës për përditësimin, nga burime brenda kompanisë kanë ardhur informacione se po ndryshoheshin edhe disa opsione në aplikacionet e paracaktuara. Në ndërtimet e hershme të përditësimit, aplikacionet e paracaktuara kishin edhe materiale audio dhe foto që i lejonte aplikacionet e desktopit të hapnin dosjet direkt nëse ishte aktivizuar ndezja në desktop. Ky ndryshim, gjithsesi, nuk është plotësisht i qartë nëse do ta shohë dritën e diellit në këtë përditësim.

Microsoft-i ka punuar pak edhe me hapësirën e hard diskut që përdor Windows 8.1. Veç kostove për licenca të reja, Përditësimi 1 në Windows 8.1 do të lejojë prodhuesit e PC-ve që të prodhojnë kompjuterë me vetëm 1 GB RAM dhe me vetëm 16 GB memorie hard disku, një ndryshim që do të ndihmojë në uljen e çmimit për kompjuter, e madje ndjeshëm. Duke i kombinuar të gjitha këto ndryshime së bashku, është e qartë se Microsoft-i po punon me kërkesat e përdoruesve dhe që është vërtet i përkushtuar në investim për desktopin në Windows 8.1 për të kënaqur përdoruesit. Konferenca BUILD Developer e Microsoft do të mbahet në ditët e para të prillit e menjëherë pas saj, më 8 prill do të jetë i disponueshëm për shkarkim përditësimi në fjalë. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>