Blog

Përgjegjësia e gjigantëve të internetit

Dec 17 2017
0 Shpërndarje
Në ditët e sotme, kompanitë online janë fuqizuar aq shumë, saqë dominojnë edhe industri të tëra dhe ato nuk mund të quhen më si kanale neutrale të transportimit të një informacioni, si në rastin e telekomunikacionit. Përgjegjësia e gjigantëve të internetit

Tashmë gjigantëve të internetit nuk u lejohet që të bëjnë as më të voglin gabim. Ata janë shndërruar në objektivin e preferuar të politikanëve kudo në botë, shkruan The Economist.

Ministrat e Financave të Europës po diskutojnë mbi mënyrat më efikase për rritjen e taksave mbi shërbimet dixhitale. Kryeministrja britanike, Theresa May,kërkoi që platformat e mediave sociale të jenë në gjendje të zbulojnë materialet me përmbajtje terroriste brenda dy orëve. Në Amerikë, drejtuesit e Facebook duhet së shpejti t’i tregojnë Kongresit se çfarë roli kanë luajtur përdoruesit rusë gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar.

Një pjesë e konsiderueshme në këtë drejtim është ende teatër politik. Por, jo gjithçka. Senati Amerikan po mendon të miratojë së shpejti projektligjin “Për ndalimin e publikimit të materialeve me përmbajte seksuale në platformat online” (SESTA), një projektligj dypartiak që synon t’u japë fund faqeve si Backpage.com, e njohur për shumat marramendëse të fitimit të parave si pasojë e reklamave me përmbajtje seksuale. Nëse ky ligj miratohet, është e sigurt që ai do të ndiqet nga një mori padish kundër platformave të mediave sociale online. SESTA thekson një problem në rritje me të cilin shumë qeveri janë duke luftuar, mënyrën se si duhet të veprohet që kompanitë online të mbajnë përgjegjësi për përmbajtjen e paligjshme të publikuar në platformat e tyre?

Gjermania do të kërkojë që kompani të ndryshme që operojnë në fushën online, të mos publikojnë lajme me nota të theksuara urrejtjeje dhe lajme të rreme, të cilat në rast se janë publikuar, duhet të hiqen menjëherë brenda 24 orëve, në të kundërt kompanitë përkatëse do të marrin gjoba që shkojnë deri në 50 milionë euro (60 milionë dollarë). Kjo është edhe një prej arsyeve kryesore se përse debati mbi SESTA-n është veçanërisht i rëndësishëm. Ai mund të merret si referencë dhe si një model i mirë edhe për fusha të tjera. Nëse interneti dhe disa nga firmat e krijuara nga ai vetë kanë pushtuar botën, kjo nuk është bërë e mundur vetëm si pasojë e një shkëlqimi sipërmarrës, por mbi të gjitha si pasojë e një subvencioni të nënkuptuar.

Universi paralel ligjor

Deri më tani, si në Amerikë ashtu edhe në Evropë, platformat online kanë jetuar në një univers paralel ligjor. Në përgjithësi, ligjet përkatëse të mediave i përjashtojnë ata nga përgjegjësia për ato që bëjnë përdoruesit e tyre ose për dëmin që shërbimet e tyre mund të shkaktojnë. Kjo do të kishte më shumë kuptim në fazat fillestare të internetit, sepse paditë në atë kohë mund t’i kishin dhënë fund dhe të kishin shkatërruar disa prej sipërmarrjeve dixhitale më të fuqishme.

Por në ditët e sotme, kompanitë online janë fuqizuar aq shumë, saqë dominojnë edhe industri të tëra dhe ato nuk mund të quhen më si kanale neutrale të transportimit të një informacioni, si në rastin e telekomunikacionit. Algoritmet e Facebook-ut, për shembull, përcaktojnë në mënyrë të saktë se çfarë janë duke parë një grup i caktuar anëtarësh i këtij rrjeti. Fjalët dhe veprat e botës së padukshme “online” kanë pasoja të mëdha në jetën reale. Miratimi i projektligjit të SESTA-s është i rëndësishëm. Megjithatë, ai është mjaft i gjerë dhe ka nevojë për specifikime dhe rregullime të tjera. Ai, mbi të gjitha, thekson faktin e ndalimit të publikimit të materialeve me përmbajte seksuale në platformat online dhe trafikantëve të seksit, që nga reklamat me përmbajtje seksuale e deri te transporti. Sipas kësaj marrëveshje, edhe avokatët e shtetit dhe paditës civilë do të kishin mundësinë që të padisnin platformat online.

Në përgjithësi, firmat e mëdha të teknologjisë mund t’i përballojnë padi të tilla, por startup-et mund të përballen me një faliment të menjëhershëm. Por si gjigantët, ashtu edhe startup-et, do të duan që të tregohen të kujdesshëm që të mos bëjnë gabime të tilla në anën e sigurisë. Në vend që të përpiqemi të përcaktojnë saktësisht se çfarë materiali duhet të jetë i ndaluar, gjë që është shumë e vështirë, pasi kjo fushë është tejet e gjerë, ligji fillimisht duhet të kërkojë që firmat të ndjekin një proces të arsyeshëm dhe mbi të gjitha, transparent. Kjo do të ishte edhe rruga e duhur për të hequr faqe si Backpage.com dhe do të ndikonte edhe në uljen e numrit të padive. Ajo duhet të marrë parasysh edhe dallimet në madhësinë e firmave. Firmat më të vogla mund të kenë si referencë një tjetër standard në varësi të burimeve të tyre dhe modeleve të biznesit. Faqet e ndryshme online, të cilat kanë një numër të madh vizitorësh dhe një nivel të lartë shikueshmërie, do të duhet që ta zbatojnë në mënyrë sa më të saktë një rregullore të tillë, në krahasim me ato faqe të cilat kanë një numër të vogël vizitorësh. Por një prej pengesave më të mëdha në këtë drejtim është fakti se mos firmat e mëdha online kthehen në “arbitra të fjalës së lirë”.

Prandaj do të ishte e pëlqyeshme për një sërë arsyesh dhe ligjesh kontrolluese, të ngjashme me ato të SESTA-s, të cilat në fund të fundit do t’i kthenin ato në ndërmarrje shërbimesh që të funksionojnë në bazë të rregullave të caktuara Për të shmangur këtë fat, ata duhet të kuptojnë se si aktorë dominues të epokës dixhitale që janë, kanë përgjegjësi të veçantë në këtë drejtim./Monitor

Tags >

Interneti
Lajmet e fundit>