Lajmet

Përmirësimi i Vista nga Microsoft

Feb 24 2009
0 Shpërndarje
Përmirësimi i Vista nga Microsoft

Po sikur Microsoft të kishte një shkop magjik me të cilin të fshinte të gjitha ato që njerëzit urrejnë në Windows Vista? Por mund të keni një sistem operativ që e pëlqeni dhe kjo është ajo që Microsoft është duke u munduar të bëjë me Windows 7. Kontrolluam versionin e hershëm beta të Sistemit Operativ të ardhshëm, të cilit edhe pse i mungojnë shumë tipare në këtë pikë ose janë në progres, ka përmirësime në çdo aspekt, që nga ndërfaqja e përdoruesit, deri tek menaxhimi i memories. Gjithçka duket shumë premtuese.
Sigurisht, disa nga tiparet e premtuara janë gjëra që Microsoft i ka lënë peng dhe ka dashur t’i hedhë në qarkullim më parë. A nuk duhej që Vista të ishte më i shpejtë se paraardhësi? Nuk do të jemi në gjendje të testojmë saktësisht performancën dhe tiparet e pa publikuara për ca kohë, por mund të ndajmë me ju atë po thotë Microsoft në deklarimet e veta publike.
Në disa raste, kjo është shumë pak. Asnjë fjalë për çmimet dhe edicionet. Gjithashtu ekziston pyetja se kur do të lançohet Windows 7, pasi që Microsoft ka dhënë vitin 2010 si datë caku, por disa burime të brendshme thonë se programi do të lançohet më herët.
Microsoft ka thënë gjatë gjithë kohës se Windows 7 do të rafinojë por jo të rishkruaj kernelin e Vista. Sidoqoftë, disa tipare të reja varen nga përkrahja jashtë kontrollit të Microsoft. Për shembull, disa përmirësim në rrjet do të punojnë vetëm nëse instaloni Windows Server 2008 R2 ose nëse rrjeti ka më shumë se një kompjuter me Windows 7. Tiparet tjera nuk do të jenë të dukshme edhe nëse prodhuesit e harduerit nuk i aktivizojnë ato. Microsoft ka thjeshtuar kodin duke larguar ngarkesën nga aplikacionet, si për shembull e-mail dhe menaxhimi i fotove, që ishin pjesë e SO. Disa aplikacione do të jeni në gjendje t’i shkarkoni dhe te të tjerat të keni qasje përmes shërbimeve online.
Por SO duhet të mundohet shumë për të kënaqur përdoruesit, duke adresuar disa nga ankesat më të mëdha që njerëzit kishin për Vista dhe përgjithësisht duke bërë punët e përditshme më të lehta. Kjo përpjekje në versionin beta duket shumë mirë.
Ndërfaqja: Windows më dashamirës, më i butë
Windows Vista thekson stilin mbi substancën me tipare, si për shembull kornizat e dritareve Aero të tejdukshme dhe ndërruesin e dritareve Flip 3 jo edhe aq shumë të dobishëm.
Shiriti i detyrave të Windows bën rimodelimin më të madh që ka pasur ndonjëherë. Shiritat e njohur deri më tani, që përmbajnë emrin e aplikacioneve që po përdoren, me ikonën e vogël, janë zhdukur. Vendin e tyre e kanë zënë ikonat pa emër që zëvendësojnë Quick Launch. Shiriti i ri duket si Dock i OS X dhe ka tipare të ngjashme me të, si për shembull mundësinë për të riradhitur ikonat, duke i zhvendosur, por ka mjaft ndryshime dhe nuk duket si klon i Dock.
Shiriti i programeve te Vista prezantoi i pari shikimin paraprak të dritareve me madhësi të vogël, që shfaqet kur kaloni me kursor mbi aplikacionin i cili është i minimizuar në shiritin e programeve. Kjo është mjaft e përshtatshme, por mund të shihni vetëm një prej tyre në të njëjtën kohë. Në Windows 7, shikimet paraprake të dritareve shfaqen për shumë dritare njëkohësisht, në një shirit horizontal në formë rripi. Kaloni kursorin në ndonjërin nga butonat dhe do të shfaqet shikimi paraprak me madhësi të plotë i dritares. Gjithashtu mund të mbyllni dritaret nga këto shikime paraprake më të vogla.
Klikoni ndonjë ikonë në shiritin e programeve ose ndonjë program në menynë Start dhe do të hapet një “jump list”, që është një tipar i ri në Windows, që ofron qasje me një klikim për veprimet e ofruara brenda një aplikacioni, për shembull dëgjoni të gjithë muzikën në Windows Media Player, ose shikoni listën e dokumenteve të fundit të hapura në Word ose Excel.
Jo të gjitha ikonat e mëdha të aplikacioneve paraqesin aplikacionet që janë hapur. Në Windows 7, këto ikona mund të paraqesin edhe pajisjet e lidhura me PC-në.
Fatkeqësisht, shumica e tipareve të reja në shiritin e programeve nuk ishin në kodin tonë të shikimit paraprak. Megjithatë, versioni demo që testuam premton se mund ta bëjë më të këndshme jetën në Windows, në mënyra që efektet e tepruara në Vista nuk kanë mundur ta bëjnë.

Nuk ka më rrëmujë ikonash
Windows Notification Area, e njohur edhe si system tray, tradicionalisht ka zënë më shumë piksel për një inç katror se çdo pjesë tjetër e Windows, pasi zakonisht mbledh ikona të panevojshme të aplikacioneve që as nuk i mbani mend se i keni instaluar dhe shpesh ju bezdisin me lajmërime që nuk ju interesojnë. Në Windows 7, Microsoft përfundimisht ofron veglat që e pastrojnë rrëmujën.
Për çdo aplikacion mund të zgjidhni të shfaqni ose fshihni ikonën dhe lajmërimet. Kjo hapësirë tani shfaqet si pop-up, në vend që të jetë e ngulitur në shirit, në krahun e majtë. Mund të zhvendosni ikonat mes sektorëve overflow dhe notifications.
Klikimi në trekëndëshin e zbrazët në krahun e djathtë minimizon të gjitha dritaret e hapura që të mund të shihni desktopin. Ky tipar ekzistonte si ikonë në shiritin e veglave Quick Launch në Vista, por mund ta përdorni më shpesh nëse jeni adhurues i Windows Gadgets të paraqitura në Vista. Shiriti anësor që i ka mbajtur më parë, tipar i ri në Vista, ka humbur dhe mund t’i vendosni kudo që dëshironi në desktop. Microsoft thotë se përdoruesit janë ankuar që shiriti anësor, Sidebar, zinte shumë vend në ekran, veçanërisht në laptopë të vegjël.
Kompania ka prezantuar gjithashtu disa tipare të lehta për t’u përdorur për menaxhimin e dritareve. Nëse dëshironi të punoni në dy dritare njëra afër tjetrës, zhvendosja e dritareve nga njëra anë në tjetrën zëvendëson tjetrën duke i ndarë dritaret në dy pjesë të barabarta. Nëse zhvendosni dritaren në pjesën e sipërme të ekranit, ai kalon sipër dhe e maksimizon në ekran të plotë.

UAC: Ta provojmë përsëri

Reputacioni i Windows XP për siguri është lëkundur nga mundësia e hakerëve për t’u futur në PC-në tuaj, ku mund të lançojnë aplikacione ose të ndryshojnë opsionet pa vullnetin tuaj. Në Vista Microsoft kthen përgjigjen me User Account Control, një gardë sigurie që mundohet t’ju mbrojë duke pyetur “A jeni të sigurt?”, para se të ekzekutoni ndonjë veprim në sistem. Problemi është se në shumicën e rasteve këto veprime janë ndërmarrë me qëllim nga përdoruesi. T’i tregoni Vista se e dini se ç’po bëni bëhet pak e mërzitshme. Por UAC e Vista ka vetëm dy mundësi: lësho dhe ndal.
Windows 7 ju lejon të zgjidhni UAC me gjithë funksionin ose mos të përdorni fare.  Në këtë version janë shtuar dy rregullime të dobishme: Njëri ju lajmëron për tentimet e instalimit të ndonjë softueri ose që ndryshon rregullimet pa pasur të klikoni për të vazhduar, dhe tjetri ju lajmëron kur programi provon të ndryshojë rregullimet. Të dy këto opsione lajmërojnë kur ndonjë rrezik potencial shfaqet në PC, por puna nuk ndalon aq shpesh si me UAC të Vista.
Rregullimet e UAC janë të vendosura në Control Panel, në sektorin e quajtur Windows Solution Center, e cila zëvendëson Vista Security Center. Ai ka për qëllim rregullimin e opsioneve të sigurisë duke përdorur Windows Update dhe për ruajtjen e të dhënave. Solution Center ju lejon gjithashtu të ndalni lajmërime të ndryshme të Windows, si ato rreth sigurisë. Ndaloni të gjitha lajmërimet bezdisëse që Windows 7 ju lejon të ndaloni dhe mund të fitoni një edicion më pak bezdisës të SO, për një kohë të gjatë.
A kemi thënë që Windows 7 është koncentruar më shumë në substancë se në stil? Për pjesën më të madhe, kjo është e vërtetë. Por tiparet e reja për aplikimin e temave në ndërfaqen e Windows janë rregulluar shumë mirë. Si edhe më parë, kontrolli i temave ju lejon të zgjidhni koleksionin e sfondeve, skemave me ngjyra, tingujve dhe ruajtësve të ekranit, për t’i dhënë Windows një ndryshim të shpejtë. Sidoqoftë, në Windows 7 mund të keni shikim paraprak në ekran të plotë të efekteve të ndryshimit të temave, me një klikim, gjithashtu është më lehtë të krijoni dhe ruani temat tuaja. Microsoft, thotë se pa ndonjë qëllim do të riemërojë temat në Stile, para se të hidhet në qarkullim Windows 7. Ky është shembull klasik që kompania riemëron tiparet pa ndonjë arsye të qartë.
Prekja Magjike?
Ndryshimi i ndërfaqes së Windows 7 nuk do të thotë shumë për shumicën e përdoruesve të PC-ve. Vetëm një numër i vogël pajisjesh në treg sot, si HP TouchSmart PC dhe laptopi Dell Latitude XT, përkrahin teknologjinë multi-touch. Por në teori ky tipar do t’ju lejojë të punoni në një kompjuter me Windows 7 si të ishte një iPhone masiv, ku duke përdorur gishtat lançoni aplikacione, shfletoni dritaret dhe zmadhoni apo zvogëloni fotografitë duke i kapur ato me dy duart. Nuk është befasi që Microsoft ende nuk ka aktivizuar gjithë këtë funksionalitet. Duke përdorur TouchSmart PC në analizimin e Windows 7, kemi mundur të vizatojmë me dy gishta në Paint, por nuk mundëm të manipulojmë me dy gishta me fotografitë, që do të ishte shumë më e dobishme në jetën e përditshme.
Microsoft premton se Windows 7 do të ketë më shumë opsione për navigim me prekje. Kompania është duke punuar që të ta bëjë SO mjaft të mençur, aq sa të kuptojë nëse jeni duke përdorur miun apo gishtat për t’u përshtatur me sukses. Për shembull, nëse shtypni butonin Start me gishtat në vend të kursorit të miut, do të hapet më e madhe menyja Start, që kërkon më pak finesë për të naviguar. Gjithashtu nuk shihni kursorin e miut kur prekni ekranin me gisht, por do të shihni një efekt të shkurtër sikur prekni në ujë në vendin ku keni bërë kontaktin me ekranin.
A do ta përshtatet ndërfaqja e lezetshme e iPhone në laptop apo desktop? Jemi skeptikë, por Windows 7 e shtron rrugën e softuerit që do t’i mundësojë prodhuesve të PC-ve, që së paku të provojnë.
Rregullime të performancës
Disa nga kritikat më të mëdha te Vista drejtohen në performancë dhe duket se Microsoft e ka bërë prioritet adresimin e tyre. Koha e shartimit të laptoptip me kodin testues të Microsoft dukej e shpejtë. Sigurisht, nuk do të jemi në gjendje të bëjmë krahasime të sakta, kur nuk testojmë makina identike me instalime të Vista dhe Windows 7, por Microsoft është duke marrë masa t’i shpejtojë gjërat. Së pari, Windows 7 starton disa shërbime njëkohësisht. E dyta, ka më pak shërbime për të startuar.
Një sferë tjetër që Windows thotë se është duke punuar, është mënyra se si SO ndan memorien në dritaret e reja. Në Vista, sasia e memories së ndarë për një dritare shtohet kur ju hapni dritare tjera, deri në pikën kur sistemi ndalon Aero për shkak të memories së ulët. Në Windows 7, çdo dritare do të ketë sasinë e njëjtë të memories, kështu që shtimi i një dritareje të re nuk do të shpenzojë burimet e sistemit aq shpejt.
Ndryshimet e tjera janë dizajnuar ta bëjnë SO më pak të dëmtueshëm. Për shembull “grumbullimet” e tolerimeve të prishjeve janë planifikuar të adresojnë dhembjen e kokës për menaxhimin e memories, pa mbyllur aplikacionet për shkak të problemeve. Në të njëjtën kohë reflektimi i procesit do të duhet të reduktojë prishjet, duke i lejuar Windows të diagnostikojë dhe (ndoshta) riparojë problemet e proceseve, pa prishur aplikacionet e përfshira. Microsoft thotë se SO i tyre i ri do të përmbledhë drajverat e printerëve, kështu që pengesat nga drajverat e këqij nuk do të krijojnë vështirësi për sistemin në tërësi.
Microsoft është duke punuar edhe në kohëzgjatjes e baterisë, duke ulur konsumin e energjisë. Shembuj të trukeve janë zvogëlimi i aktiviteteve në sfond, zbehja inteligjente e ekranit (me teknologjinë e ngjashme që përdoret në ekranet e telefonave celularë), si dhe shikimi i DVD-ve në mënyrë më efikase.
Pajisjet dhe Hardueri
Windows 7 nuk do të kërkojë drajvera të rinj për pjesët periferike. Nëse diçka punon në Vista, do të punojë edhe në Windows 7. Sidoqoftë, Microsoft ka ndërmarrë disa ndryshime që t’i ndihmojë njerëzit të përdorin më lehtë pajisjet e kyçura, si kamera, telefona celularë, media player dhe printerë, me PC-të e tyre.
Në vend të dritares Auto-play që shfaqet në Vista dhe XP kur lidhni ndonjë nga këto pajisje, tani do të shfaqet faqja Data Stage, e cila tregon interpretimin foto-realist të pajisjes, por edhe listën e shërbimeve të lidhura, informacion dhe punët. Për shembull, me një printer shumë funksional do të shihni një ikonë për lançimin e softuerit të skanimit dhe ndoshta do të shihni ndonjë link të uebfaqes së furnizuesve të tonerit apo ngjyrës.
Opsionet të tjera mund të përfshijnë një link për një udhëzues në PDF, ose në rast të ndonjë telefoni celular, softueri për sinkronizim e kontakteve në Outlook edhe me pajisjet pa Windows Mobile.
Sidoqoftë, Device Stage për pjesët periferike, do të ekzistojë vetëm nëse prodhuesi krijon një dokument XML të bazuar në shabllonin e Microsoft dhe merr autorizimin e Microsoft. Microsoft thotë se ky kusht paraprak është i domosdoshëm për të kontrolluar kualitetin. Kjo ngarkesë mund të dekurajojë prodhuesit e pjesëve periferike të marrin pjesë në këtë nismë, por Windows thotë se SO do të shkarkojë azhurnimet e dokumenteve kurdo që ato janë në dispozicion, duke përdorur teknologjinë e njëjtë Windows Metadata Services e cila shkarkon kopertinat e albumeve në Windows Media Player.
Një tjetër inovacion është tipari Mangnifier, të cilin mund ta përdorni për rritjen e pjesëve të caktuara të ekranit, për shembull, nëse ju duhet të shikoni shkronja të vogla.
Për më shumë, nga Windows 7 do të shihni disa vegla të lehta për rregullim të ekranit të jashtëm, kjo do të ndihmonte veçanërisht njerëzit, që të lidhin laptopin me projektor.
Rrjetëzimi është më i lehtë
Tiparet e rrjetëzimit në Windows 7 adresojnë disa probleme nga PC-të e korporatave, veçanërisht kur punonjësit marrin laptopët e tyre në shtëpi pas punës dhe në fundjava. Nëse keni provuar të printoni nga një laptop të lidhur me domejnin e korporatës, atëherë do të vlerësoni Windows 7, që ka mundësinë për lidhje me të ashtuquajturin Home Group, për qasje më të lehtë të printerëve dhe skedarëve në kompjuterë të tjerë, pa pasur nevojë të mundoheni me konfigurimin e domainit të vendosur me kujdes nga departamenti i IT-së në kompaninë ku punoni. Tipari HomeGroup është dizajnuar gjithashtu për parandalimin e PC-ve të tjera në rrjetin tuaj në shtëpi, që të qasen në ndonjë nga të dhënat ndoshta të ndjeshme të kompanisë në laptop.
Fatkeqësisht, shumë përdorues të HomeGroup do t’u duhet të presin pak derisa t’i përdorin të gjitha privilegjet. Do t’ju duhet të keni kompjuter me Windows 7 dhe të krijoni HomeGroup për një laptop me Windows 7, që të bashkëngjitet, dhe ka mundësi që shumë njerëz do të migrojnë në sistemin e ri përnjëherësh.
Microsoft ofron joshje shtesë për ata që e bëjnë këtë. Windows 7 do të jetë aq i mençur sa të kuptojë kur jeni në shtëpi e kur në zyrë. Si rezultat i kësaj, kur të printoni ndonjë dokument, SO do të zgjedhë një printer të caktuar, për punën e caktuar. Mundësia e re e kërkimit do t’ju lejojë të analizoni përmes skedarëve të kompjuterëve në rrjet tuaj dhe të aplikoni filtra mbi rezultatet e gjetura. Kjo do të thotë se mund të kërkoni sipas fjalëve dhe pastaj të rafinoni rezultatet duke specifikuar llojet e caktuar të skedarëve.
Windows 7 premton instalim më të lehtë të rrjeteve Wi-Fi dhe Bluetooth, edhe pse nuk mundëm të testojmë asnjë nga këto mundësi në softuerin para-beta që kemi përdorur. Kalimi i kursorit në shiritin ku gjendej ikona e lidhjeve të internetit shfaq një listë të rrjeteve që janë në dispozicion, apo pajisjeve, nëse përdorni Bluetooth. Klikoni atë që dëshironi të lidheni.
Një tjetër mundësi shtesë është wake-on-wireless LAN, mundësi me të cilën nxirrni nga gjumi PC-të e lidhura në Wi-Fi, si me lidhjet në ethernet.
Përmirësime të tjera aplikohen nëse kompania instalon Windows Server 2008 R2 dhe nëse departamenti IT e lejon, sigurisht. Për shembull, do të mund të klikoni ndonjë link në e-mail për të hapur ndonjë aplikacion përtej firewall, pa pasur nevojë të bëni lidhje VPN së pari, sepse Windows merret vetë me punët e sigurisë.

Kërkimi dhe Organizimi
Një tipar interesant i ri në WinIdows 7 ExIplorer quhen “libraries”. Parimisht është një mënyrë krijimi i përmbajtjeve në dosje të ndara, në të cilat mund të qaseni lehtë, diçka e ngjashme me dosjet virtuale të Vista. SO do të ketë disa librari të parapërcaktuara për dokumente, muzikë, fotografi dhe video, por mund të krijoni edhe libraritë tuaja, bazuar në kriteret që zgjidhni, si për shembull llojet e skedarëve, data e krijimit, zhanri i këngëve e kështu me radhë.
Libraritë në Windows 7 janë përmirësuar për kërkim. Rezultatet janë të organizuara bazuar në librari më shumë se në vendndodhjen e skedarëve. Si dhe me kërkimin e ri të koncentruar. Mund të kërkoni ndonjë fotografi nga të gjitha fotografitë, në çdo librari e në të gjithë kompjuterët që lidhen në HomeGroup.

Multimedia në më shumë vende

Një herë e një kohë, oferta e Microsoft në audio dhe video kushtëzohej në Windows Media Player dhe formatet e skedarëve që dominojnë zbavitjen digjitale në shumë mënyra, siç dominon Windows në PC. Në vend të kësaj, po jetojmë në një botë ku ofertat multimediale lulëzojnë çdo ditë dhe ku iTunes dhe iPod, produktet jo të bazuara në Microsoft janë gjithkund. Mundësitë e reja të Windows 7 për multimedia e konfirmojnë këtë realitet duke theksuar tipare që i ndihmojnë SO të punojë me të gjitha versionet, duke përfshirë edhe produktet që vijnë nga kompani me “emra frutash”, kështu që Windows 7 ka për qëllim të ofrojë mënyra të lehta për t’u kënaqur me materialet multimediale, pa pasur nevojë të aktivizoni Windows Media Player. Mund të dëgjoni muzikë apo të shikoni video duke përdorur panelin e shikimit paraprak në Windows Explorer, pa e lançuar fare Windows Media Player. Ose mund të hapni WMP, por të punoni me pamje të thjeshtë, që i fsheh libraritë multimediale dhe përshtatet shumë mirë në një dritare të vogël në desktop, duke lënë pjesën tjetër të ekranit të dukshme e të përdorshme.
Pa marrë parasysh se si do i hapni skedarët, Windows 7 pranon një numër të madh formatesh që nuk janë të Microsoft, duke përfshirë AAC audio dhe H.264 video, standarde që Apple i favorizon, si dhe DivX video dhe AVCHD, format që aplikojnë kamerat high-definition. Kjo afërsi e përgjithshme i mundëson mediaplayer të futet në libraritë zbavitëse që keni krijuar duke përdorur iTunes. Jo befasisht, mund të dëgjoni muzikë dhe të shikoni video të mbrojtura nga mbrojtja nga kopjimi nga Apple FairPlay. Në testet tona, WMP i përmirësuar hapte skedarë AAC të pambrojtur pa ndonjë problem. H.264 transmetonte video që kishim shkarkuar nga iTunes, por dukej më e bllokuar se sa dukej kur e shikonim në iTunes në të njëjtin kompjuter me Windows 7.
OS i ri ka për qëllim të luajë rrolin e policit të komunikacionit për një numër të madh skedarësh multimedialë që mund të gjenden në rrjetin e shtëpisë tuaj. Mund të gjejë materiale multimediale të ruajtura në shumë PC, duke përfshirë edhe ato në HomeGroup, në kompjuterë të tjerë me Windows 7, dhe mund t’i drejtojë skedarët multimedialë nga ata kompjuterë drejt pajisjeve transmetuese që përkrahin standardin Digital Living Room Network Alliance (DLNA).
Nëse ndonjë pjesë e caktuar e materialit multimedial është ruajtur në ndonjë format që ndonjë pajisje transmetuese nuk e përkrah, Microsoft bën të ditur se Windows 7 do ta konvertojë menjëherë.
Kur kemi kontrolluar sistemin e distribuimit Sonos përmes edicionit testues të Windows 7, eksperienca nuk ishte aq e saktë. Softueri i Sonos ju lejon t’i vendosni emër plejërit tuaj, si për shembull “Living Room” ose “Kitchen”, por Windows 7 i identifikoi si IP e kriptuara. Windows 7 nuk lejon të radhisni listën e këngëve në një pajisje në rrjet, por kemi mundur të dërgojmë një këngë njëherësh.
Windows Media Center, një aplikacion që bën gjithçka, nga regjistrimi i shfaqjeve televizive të drejtpërdrejta, deri te shpërndarja e tipareve multimediale në platformat Xbox 360 në rrjet dhe pajisjeve tjera. Microsoft thotë se Media Center përfshin tipare të reja për Internet TV, që i jep përdoruesve një program të vetëm me të cilin mund të shikohen në një ndërfaqe të vetme, të gjitha videot, nga gjithë interneti. Sërish, e gjithë kjo duket intriguese, por nëse këto tipare janë në dispozicion në edicionin testues të Windows 7, ato opsione janë të fshehura aq mirë sa që nuk kemi mundur t’i gjejmë aq lehtë. MediaCenter gjithashtu punon me rrjetin e HomeGroup për t’ju lejuar të gjeni audio dhe videot e regjistruar, pa marrë parasysh se ku janë fshehur në rrjet.

Aplikacionet në re, në sistem

Microsoft nuk do të hedhë në qarkullim Windows 7 me të gjitha aplikacionet e pakos që kompania historikisht i ka instaluar paraprakisht në SO. Në vend të kësaj, do të ofrojë tiparet për e-mail, foto-galeri dhe video-editim, si për shembull, aplikacione të shkarkueshme, të mbledhura në koleksionin e quajtur Windows Live Essentials. Windows Live Mail, Windows Photo Gallery dhe Windows Live Movie Maker janë në dispozicion në formën beta për pak kohë, në download.live.com.
Këtu gjithashtu mund të gjeni versionet beta të Windows Live Writer (vegël për blog), Windows Family Safety (kontroll për fëmijët), Microsoft Office Outlook Connector (për përdorim të Outlook 2003/2007 si lidhje me Hotmail) dhe Windows Live Toolbar (për të bërë të mundur qasjen e aplikacioneve Live në Internet Explorer).
Windows Live Essentials nuk do të duhej të ishte (por ndoshta do të jetë) i ngatërruar me shërbimet Windows Live; më vonë do të jetë i përshtatshëm me programet në desktop, por ato nuk kërkojnë më shumë se shfletuesi për t’i përdorur. Për shembull, Windows Live Hotmail është një klient e-mail të cilin mund ta përdorni vetëm në shfletues, ndërsa Windows Live Mail operon në desktop.
Disa nga opsionet e vjetra mbesin, me disa përmirësime. Opsioni bazë i editimit të fotografive Windows Paint tani shfaqet si Scenic Ribbon, në stilin e Office 2007. API i Sistemit Operativ do ta verë këtë aplikacion në dispozicion për programuesit. Edhe pse disa përdorues nuk e kanë pritur mirë nevojën për të mësuar vendndodhjet e reja, për shumë nga tiparet në aplikacionet e komplikuara të Office, ndërsa ky aplikacion punon mirë në disa vegla të thjeshta si Paint dhe WordPad.
Të tjerat në Sistemin Operativ të ardhshëm: rifreskim i Kalkulatorit, si dhe Sticky Notes, që përkrah ngjyrat dhe mundësinë për të ndryshuar madhësinë e shënimeve.

 

Lajmet e fundit>