Lajmet

Përpara se Internet of Things të bëhet Internet of Troubles, vëmendja duhet të jetë mbi sigurinë e fëmijëve në Internet!

Aug 7 2017
0 Shpërndarje
Mungesa e ndërgjegjësimit për rreziqet e pajisjeve të IoT është problem që duhet adresuar sa më parë. Përpara se Internet of Things të bëhet Internet of Troubles, vëmendja duhet të jetë mbi sigurinë e fëmijëve në Internet! Photo Source: Klorenta Janushi

Shpesh kemi dëgjuar shprehjen “Ku ka tym, ka zjarr”. Kjo shprehje është e saktë në më shumtën e rasteve. Kohët e fundit kam parë shumë tym në rrjetin e IoT, ndaj dyshoj se ka një zjarr interesant diku në botën e pafundme të internetit të gjërave.

Së pari, tymi

Shenja e parë e tymit ishte njoftimi i një shërbimi publik të FBI në 17 korrik. Njoftimi për përdoruesit që tregonte rrezikun që shoqëronte lodrat e fëmijëve ishte: “Lodrat e lidhura me internetin paraqesin shqetësime për privatësinë dhe kontaktet me fëmijët.” Më tej, njoftimi tregonte arsyet pse lodrat shoqërohen nga ky rrezik, pse rreziku prek fëmijët dhe hapat që duhet të marrin prindërit për të minimizuar rrezikun.

Shenja e dytë e tymit, u shfaq në formën e një dokumenti të quajtur “Sigurimi i pajisjeve të IoT”, të shpërndarë nga Njësia e Sigurisë Kibernetike e Departamentit të Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara në bashkëpunim me Shoqatën e Teknologjisë së Konsumatorit, botuar në Korrik. Ky dokument adreson çështjet e IoT dhe përshkruan rreziqet dhe pasojat e mundshme. Dokumenti gjithashtu jep një guidë hapash që konsumatorët të mbrojnë veten nga sulmet ndaj pajisjeve të tyre.

Tani, vijmë tek zjarri

FBI ka prioritet kyç sigurinë e fëmijëve. Nëse lexoni njoftimin e datës 17 korrik, do kuptoni se shqetësimi kryesor i FBI është shpërndarja e informacioneve personale si emri i fëmijëve, adresa, dhe emri i shkollës ku studiojnë.

Shuarja e flakëve

Dokumenti i shpërndarë për “Sigurimin e pajisjeve të IoT” është një përpjekje që duhet përshëndetur, por duket sikur për të shuar flakët po përdorim gota me ujë.

Problemi i parë është ndërgjegjësimi. Pyesni miqtë tuaj nëse kanë lexuar ndonjërin prej dy dokumenteve të mësipërm. Kur ata të përgjigjen me “JO”, pyetini nëse janë të vetëdijshëm për sigurinë e IoT në përgjithësi. Dyshoj se do merrni sërisht një përgjigje negative.

Mungesa e ndërgjegjësimit për rreziqet e pajisjeve të IoT është problem që duhet adresuar sa më parë. Me ndërgjegjësim ndaj sigurisë nuk nënkuptoj njohjen e konfigurimeve të brendshme dhe rreziqeve specifike të IoT. Nënkuptoj njohjen bazë të një pajisje, që do të thotë se ju duhet të kuptoni që nëse një pajisje lidhet në rrjet ajo mbledh të dhëna dhe i dërgon ato “diku”. Në rastin e lodrave të fëmijëve, si dhe të shumë pajisjeve elektroshtëpiake të lidhura në rrjet, të dhënat e mbledhura lidhen me aktivitetin e përditshëm në shtëpinë tuaj. Këto të dhëna mund të përdoren me qëllime dashakeqe.

Rreziku i sigurisë shtohet kur konsiderojmë faktin se shumica e përdoruesve nuk e njohin higjienën e pajisjeve IT, që do të thotë se nuk e ndryshojnë fjalëkalimin e router-it ( a dinë ata se kanë një router?? ), nuk i përditësojnë fjalëkalimet e tyre etj.

Bazuar mbi gjithçka u tha më sipër ato që duhet të mbani mend në fund të asaj që lexuat janë:

  • Dokumentat e shpërndara nga Departamenti i Drejtësisë i USA tregojnë se sulmet ndaj IoT janë në rritje të vazhdueshme.
  • Prodhuesit po shesin pajisje bazuar në çmim, pa u kujdesur për privatësinë dhe sigurinë e tyre, pra problemi i sigurisë nuk trajtohet që në burim. Ata janë të motivuar për fitim dhe siguria ua ul marzhin. Ironike, duke qenë se kamerat e sigurisë sulmohen me aq lehtësi.
  • Meqë problemi nuk trajtohet në burim nga prodhuesit, e vetmja mënyrë për të shuar flakët është arsimimi dhe ndërgjegjësimi.
  • Duke konsideruar se përdoruesit nuk e njohin higjenën e sigurisë, rreziqet e sigurisë së IoT do të vazhdojnë të rriten.
  • Zjarri i sigurisë së pajisjeve do të vazhdojë të bëhet më i nxehtë, prandaj përpara se Internet of Things të bëhet Internet of Troubles vëmendja duhet të jetë tek siguria e fëmijëve!

Author: Klorenta Janushi (9 Artikuj)
Klorenta Janushi

Eksperte e Sigurisë Kibernetike

Lajmet e fundit>