Biznes

Përqindja e tregut të smartfonëve Apple arrin rekord minimal në tre vite

Jul 28 2013
0 Shpërndarje
Përqindja e tregut të smartfonëve Apple arrin rekord minimal në tre vite

Përqindja e tregut të smartfonëve të Apple ka arritur në nivelin më të ulët të tre viteve të fundit, sipas firmës hulumtuese Strategy Analytics.

Përqindja e iPhone zbriti në 13.6% në tremujorin e fundit nga 16.6% që ishte në të njëjtën periudhë një vit më parë. Ndërkohë që përqindja e tregut për rivalin e drejtpërdrejtë, Samsung, arriti në 33% nga 31% që ishte në të njëjtën periudhë.

Samsung ka dërguar për shitje rreth dy herë më tepër smartfonë se sa Apple në tremujorin e fundit, shtoi Strategy Analytics.

Sfida më e madhe e Apple vjen nga smartfonët Android me ekran 3 dhe 5 inç, të cilët i përkasin dy rangjeve të ndryshme çmimesh – ato më të përballueshme dhe ato më të shtrenjta. Përqindja e tregut të iPhone ishte më e ulta që prej tremujorit të dytë të vitit 2010, shtoi firma. Samsung, nga ana tjetër, pa rritje kërkese në Kinë dhe disa shtete të tjera, veçanërisht për Galaxy S4, që ka ndikuar në rritjen e shitjeve.

Mos u shqetësoni, Apple po ecën mjaft mirë

Shitjet e iPhone arritën në 31.2 milionë nga prilli në qershor, rekord për këtë periudhë, u shpreh vetë Apple gjatë kësaj jave. Një vit më parë në këtë periudhë kompania kishte shitur 26 milionë telefonë.

Gjithsesi, pavarësisht shifrave, adhuruesit e Apple vazhdojnë të mbeten besnikë të iPhone. Në përgjithësi, smartfonët e dërguar për shitje janë rritur me 47% nga viti në vit, duke arritur në 230 milionë njësi në tremujorin e dytë të 2013-s. (PCWorld Albanian)

iphone5

Tags >

Apple
Lajmet e fundit>