Lajmet

Përurohet në Tiranë Qendra e të Dhënave Qeveritare

Feb 18 2013
0 Shpërndarje
Përurohet në Tiranë Qendra e të Dhënave Qeveritare

Qendra e të Dhënave QeveritareU përurua sot në Tiranë Qendra e të Dhënave Qeveritare, një investim me vlerë 3 milionë dollarë që do të shërbejë si një pikë kryesore e infrastrukturës së Teknologjisë së Informacionit të institucioneve të administratës.

Në të janë vendosur 12 shërbime të përqendruara qeveritare, për rreth 60 institucione të administratës publike që përfshijnë kryeministrinë, ministritë dhe institucionet e tyre të linjës. Kryeministri Berisha e cilësoi ngritjen e kësaj qendre si një ngjarje shumë të rëndësishme.

“Në përpjekjen, vendosmërinë dhe projektin e kësaj qeverie për “Shqipërinë dixhitale” inaugurimi i Qendrës së të Dhënave është një ngjarje kyçe, një ngjarje shumë e rëndësishme dhe një arritje shumë e madhe. Ne inaugurojmë sot një Qendër të Dhënash të standardeve më të avancuara që ekzistojnë. Në kujtesën time është shumë i freskët momenti kur në një takim me përfaqësuesit e bizneseve të fushës, të ICT-së, unë u shpreha për renë kompjuterike (Cloud Computing). Ata nënqeshën, por sot kjo është një realitet, është vepër e tyre dhe përbën një arritje shumë të madhe. Ne instalojmë një Qendër të Dhënash dhe e instalojmë atë me standardet më të avancuara që ekzistojnë,” tha Berisha.

Kryeministri ndërsa renditi disa nga sukseset që ka arritur Shqipëria në këtë fushë, u shpreh se horizonti i ardhshëm do të jetë Shqipëria Mobile, ku qytetarët shqiptarë nga telefoni i tyre celular të mund të marrin të gjitha të dhënat dhe shërbimet e këtij shteti.

Hapet gara për 2012 Albanian ICT Awards

“Udhëtimi ynë në botën virtuale nuk do të jetë ecje, por vrapim. Ne do të vrapojmë pas horizonteve të saj, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, në interesin më të mirë të ekonomisë shqiptare, pasi është faktuar se Teknologjia e Informacionit përbën një mekanizëm të sigurt, të qëndrueshëm dhe shumë të rëndësishëm të rritjes ekonomike të vendeve në zhvillim”, tha Kryeministri.

Qendra e të Dhënave Qeveritare është ngritur pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), me një sipërfaqe prej 672 m² dhe përfshin 11 ambiente për infrastrukturën teknike, monitorimin dhe sigurimin e shërbimeve elektronike. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>