Lajmet

Pesë mënyra të thjeshta për të evituar malware-t në Android

Jul 1 2013
0 Shpërndarje
Pesë mënyra të thjeshta për të evituar malware-t në Android

android-logoTrend Micro, lider në fushën e sigurisë në internet, parashikon se në fund të këtij viti do të ketë rreth një milion malware që do të kërcënojnë Android-in.

Por përse ndodh kjo? Një arsye e rëndësishme është popullariteti i sistemit. Kompania kërkuese e tregut Canalys tregon se Android është tashmë në rreth 60% të pajisjeve mobile që janë dërguar për shitje në tremujorin e parë të 2013-s.

Në mars të këtij viti, Android ishte shenjestra e 92% të të gjithë malware-ve që u identifikuan atë muaj. Një arsye tjetër, po aq e rëndësishme se përse Android targetohet kaq shumë, është fakti se përdoruesit e tij “ia bëjnë vetë vetes një gjë të tillë”. Instalimi i softuerëve të rrezikshëm është shumë i thjeshtë në Android.

Prandaj, nëse dëshironi t’i mbani sa më të sigurta pajisjet tuaja me Android, ndiqni këshillat e mëposhtme.

1. Mos vizitoni, apo shkarkoni, materiale nga uebfaqe të rrezikshme. Faqet pornografike janë ndër më të rrezikshmet.

2. Mos shkarkoni programe nga dyqane të palëve të treta, pasi ato janë shndërruar në kanalet më të preferuara për të shpërndarë malware. Përveç Google Play Store, mund të përdorni faqen e operatorit telefonik apo ofrues të tjerë të sigurtë, që i njihni për reputacionin e tyre.

3. Shikoni me kujdes programet që instaloni nëse kërkojnë vetëm për lejet e duhura, edhe nëse shkarkoni nga Play Store. Google ka bërë përmirësime të mëdha me identifikimin e aplikacioneve me malware, megjithatë ekzistojnë ende programe të këqija përtej kontrollit të mureve virtualë. Për shembull, një aplikacion i rremë BlackBerry Messenger u hoq vetëm pasi ishte shkarkuar 100 000 herë nga Play Store. Shikoni me kujdes numrin e njerëzve që e kanë shkarkuar, përshtypjet dhe mendimet e tyre, entitetin që e ka hedhur atë online. Për shembull, rasti i BlackBerry Messenger thuhej se ishte nga RIM, por kompania nuk përdor më atë emër që prej janarit të këtij viti. Një element tjetër që duhet të shikoni me vëmendje është leja që kërkon aplikacioni. Për shembull, përse duhet të ketë akses një lojë tek dërgimi i mesazheve? Nëse nuk jeni të sigurt për diçka, lexoni se çfarë thuhet nga zhvilluesi në Google Play. Nëse nuk gjeni informacione, më mirë mos e instaloni aplikacionin.

4. Bëni gjithmonë përditësime dhe upgrade në versionin e fundit të Android. Kjo është një nga mënyrat më të mira për t’u mbrojtur, pasi përditësimet e reja rregullojnë problemet dhe në veçanti ato të sigurisë që janë hasur në versionet e kaluara. Ato ju njoftojnë më mirë për aplikacionet e dyshimta.

5. Përdorni antivirus. Në këtë kohë, është njësoj si të keni një kompjuter Windows pa antivirus. (PCWorld Albanian)

rmalware

Lajmet e fundit>