Lajmet

Pesë softuerë me burim të hapur që duhet t’i provoni

Jul 22 2012
0 Shpërndarje
Pesë softuerë me burim të hapur që duhet t’i provoni

Nuk posedoni softuerë të licensuar? A ju bezdisin njoftimet për aktivizim të licensës së softuerit tuaj provues?

Mos u brengosni, sepse tashmë PCWorld ju sjell listën me pesë softuerë të jashtëzakonshëm me burim të hapur si alternativë ndaj atyre me pagesë, dhe shumë të shtrenjtë.

Megjithatë, edhe pse është një aplikacion i jashtëzakonshëm dhe na është bërë përditshmëri pothuajse të gjithë neve pëdoruesve të internetit, nuk kemi vendosur që ta fusim shfletuesit në këtë listë. Por sikur të vepronim ndryshe, kuptohet që Firefox do ta zinte njëren prej këtyre pesë pozitave, pasiqë është shfletuesi kyç me burim të hapur.

Në jetën tonë, si private ashtu edhe afariste, na duhet të prodhojmë dokumente, duhet të jemi në gjendje të krijojmë/manipulojmë fotografi, duhet të menaxhojmë para dhe duhet të jemi në gjendje të komunikojmë dhe formojmë orare.

Këto veprime diktojnë që ne kemi vegla për t’i bërë këto punë. Mos mendoni se Microsoft (dhe prodhuesit tjerë softuerik) mbajnë një monopol në produktivitet. Komuniteti i softuerëve me burim të hapur ka bërë një punë të shkëlqyer në krijimin e veglave që përshtaten mjaft mirë për të ju ndihmuar në kryerjen e punëve tuaja.

Le t’u hedhim një shikim pesë veglave të këtilla produktive.

1. LibreOffice

LibreOffice është softueri me burim të hapur i ngjashëm me pakon e MS Office. Ai përfshinë veglat për përpunimin e fjalëve, prezantime, “spreadsheet”, vizatim dhe vegla për bazën e të dhënave. Të gjitha këto vegla janë të përshtatshme me konkurrentin e vet Microsoft Office dhe ndjekin plotësisht standardet e hapura. LibreOffice është pa pagesë dhe i përshtatshëm për të gjitha platformat.

2. Evolution

Evolution është softuer me burim të hapur dhe alternativë ndaj Microsoft Outlook. Një klient me email, kalendar, detyra, kontakte dhe shënime. Evolution do të ndihmojë që të mbaheni të lidhur dhe të organizuar. Evolution është në dispozicion vetëm për platformën Linux. Janë bërë disa përpjekje për ta sjellë atë në Windows, por shumica e tyre dështuan ose u shuan kur Novell bleu Evolution. Por nëse keni nevojë që të lidhni Evolution me Exchange, janë disa vegla në dispozicion për ta mundësuar zhvillimin e kësaj.

3. GIMP

GIMP është njëra nga veglat më të fuqishme për ndryshim/krijim të fotografive në tregun me burim të hapur, duke ofruar një përngjasim mjaft të madh me softuerin e popullarizuar Photoshop. Disa nga gjërat që mund të bëni me GIMP mund të marrin disa hapa më tepër se sa që Photoshop kërkon. Por në fund, puna kryhet me sukses.

4. Scribus

Scribus është metoda më e thjeshtë dhe më e fuqishme për të krijuar dokumente të formatit PDF në Linux. Dhe kjo vegël me burim të hapur nuk është në dispozicion vetëm për botën Linux. Ju poashtu mund ta shijoni lirinë e krijimit të dokumenteve PDF (dhe ndryshimit të PDF-së) në Mac dhe Windows. Me një ndërfaqe të thjeshtë dhe të gjitha veçoritë që ju mund të prisni që të përfshihen në një vegël për krijim të PDF-ve, Scribus do të ju ndihmojë që të kryeni punë shpejt dhe lehtë.

5. GnuCash

GnuCash është softuer i vogël dhe personal për llogaritje në biznese. Megjithëse është një vegël vetëm për një përdorues (single-user), ai lehtësisht mund të kryejë menaxhimin e financave të vogla biznesore. GnuCash është një vegël për llogaritje të hyrjes së dyfishtë, me kontrollim, ruajtje, aksione, vlera, shpenzime dhe më tepër. GnuCash në mes tjerash ofron transaksione të programuara, përputhje transaksionesh, llogaritje financiare dhe importim.

Lista e dëshirave

Komuniteti i softuerëve me burim të hapur ka pothuajse çdo vegël për të cilën mund të keni nevojë për të kryer punën me efikasitet. Dhe kjo listë e softuerëve për çdo vit shënon rritje. Së shpejti, me siguri ju nuk do të keni arsye që të mos i përdorni softuerët me burim të hapur edhe në zyrën tuaj. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>