Lajmet

Photoshop: Së shpejti filtri për fotot e turbullta

Apr 19 2013
0 Shpërndarje
Photoshop: Së shpejti filtri për fotot e turbullta

Adobe Systems po ndërton një teknologji të re për programin Photshop që do të realizojë pastrimin e fotove të turbullta dhe jo shumë të qarta.

Kompania demonstroi filtrin e heqjes së mjegullimit në një video për të promovuar konferencën e ardhshme Max në muajin maj ku kompania padyshim do të prezantojë edhe risi të tjera përveç kësaj.

“Reduktimi i lëvizjes së aparatit është një mjet që shërben për rregullimin e efektit të turbullt të një imazhi, i cili do të përfundonte duke u fshirë për shkak të paqartësisë.

Funksionon shkëlqyeshëm sidomos me fotot që janë regjistruar në kushte drite të dobët ose shkrepjeje të ngadaltë, pikërisht kushtet ku lëvizjet e aparatit mund të ndikojnë në cilësinë e fotos.” tha Zorana Gee, menaxhere produkti e Photoshop.

Duke qenë se është akoma herët për Adobe që të lançojë paketën Creative Suite 7 ka shumë mundësi që ky filtër i ri të shfaqet si përditësim për të abonuarit e Creative Cloud.

Adobe ka deklaruar më parë se pikërisht këta përdorues do të kenë mundësi të përfitojnë prej opsioneve të reja sapo ato të jenë gati.

Ky opsion ka përfunduar ndaj klientët tradicionalë që aktualisht përdorin Photoshop CS6 do të duhet të presin deri në lançimin e versionit CS7.

Prej vitesh fotot e turbullta përbëjnë një prej problemeve më të rëndësishme të editimit të fotove, prandaj kërkuesit janë përpjekur që të zbulojnë teknika për heqjen e “mjegullës” të krijuar në to.

Këto teknika fillimisht përpiqen të kuptojnë si ka lëvizur aparati që është shkaktuar diçka e tillë dhe më pas e kthejnë mbrapsht efektin me anë të veprimeve matematikore.

Opsioni i reduktimit të lëvizjes së aparatit funksionon si filtër në një zonë të përzgjedhur nga përdoruesi.

Tani mbetet të shohim se si do të funksionojë në praktikë ky opsion kur lëviz subjekti i fotografisë, kur lëviz aparati ose kur kemi një kombinim lëvizjesh si të subjektit ashtu edhe të aparatit. (PCWorld Albanian)

Photoshop deblur

Tags >

Adobe
Lajmet e fundit>