Lajmet

Pinterest po përdoret gjithnjë e më tepër në publikimin e lajmeve

Dec 11 2013
0 Shpërndarje
Pinterest po përdoret gjithnjë e më tepër në publikimin e lajmeve

PinterestKur bëhet fjalë për publikimin e lajmeve online, Facebook dhe Twitter janë rrjetet kryesore sociale tek të cilat përqendrohen përdoruesit.

Por së fundmi është vënë re se edhe Pinterest, një platformë e njohur tradicionalisht për publikimin e ushqimeve, reklamimin e pikave turistike apo produkteve të ndryshme për shitje po përmirësohet gjithnjë e më tepër në këtë kategori.

Një studim i realizuar së fundmi nga Gigya, kompani që ndihmon bizneset të integrojnë uebfaqet e tyre me rrjetet më të rëndësishme sociale, ka zbuluar se 20% e përmbajtjeve mediatike të publikuara në rrjetet e ndryshme sociale gjatë tremujorit të tretë të këtij viti i përkisnin Pinterest-it.

Është e vërtetë që Facebook dhe Twitter me përqindjet përkatëse 40% dhe 30% qëndronin në krye të kategorisë megjithatë, Pinterest ka fituar terren duke marrë parasysh se këto lloj publikimesh përbënin 18% gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

Pinterest nuk ka përmirësuar prezencën e vet vetëm në këtë kategori, por edhe në kategori të tjera si për shembull në tregti elektronike (e-commerce) ku vihet re se disponon rreth 44% të publikimeve që lidhen me këtë fushë duke mbajtur pozicionin e liderit krahasuar me mediat e tjera sociale.

Në grafikun e mëposhtëm paraqitet pjesa përkatëse e çdo rrjeti social në publikimet mediatike. Më saktë, këto përqindje tregojnë se sa herë përdoruesit kanë përdorur funksionalitetin e shpërndarjes së faqes ose sa herë kanë klikuar butonin “shpërndaj” (share) i cili zakonisht pozicionohet në krye të faqes.

Shumë përdorues informohen mbi lajmet më të fundit nëpërmjet rrjeteve sociale. Një studim i publikuar në muajin tetor nga kompania kërkimore Pew, zbuloi se rreth 30% e të rriturve në SHBA lexojnë lajmet në Facebook.

Ndërkohë, të dhënat e Gigya-s janë publikuar vetëm pak ditë pasi Facebook prezantoi ndryshimet e aplikuara ndaj algoritmit të faqes kryesore(News Feed) si përpjekje për të vënë në qendër të vëmendjes publikimet me cilësi të lartë për përdoruesit.

Pinterest ka aplikuar gjithashtu disa ndryshime gjatë muajit shtator për të inkurajuar përdoruesit të ngarkojnë më tepër artikuj në këtë rrjet social. Artikujt e postuar tashmë përfshijnë më tepër detaje si për shembull, titulli, autori dhe një përshkrim i shkurtër. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>