Siguri

Plaçkitësve të PTK-së u vihen prangat

Nov 12 2009
0 Shpërndarje
Plaçkitësve të PTK-së u vihen prangat

Vetëm një ditë pas vjedhjes së filialit të PTK-së në lagjen Arbëria, Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë gjashtë persona për të cilët dyshohet se janë të përfshirë në këtë grabitje të armatosur.

Zyrtarë të PK-së kanë bërë të ditur se pas marrjes së informatës për grabitje dhe fillimit të punës në planin 26 orësh, rezultati ka qenë arrestimi i këtyre gjashtë personave në dy lokacione të ndara në Prishtinë.

Të arrestuarit janë K. Shasivari, 21 vjeç, Sh. Ibrahimi, 21 vjeç, K. Mehmeti 20 vjeç, Q. Mehmeti 19 vjeç, A. Plakolli 18 vjeç, si dhe L. Gajtani 17 vjeç.

Policia ka detajuar se arrestimi i tyre është bërë në Lagjen Dardania dhe në Pejton, duke dhënë sqarime të mëtutjeshme se të gjithë janë nga Prishtina dhe rajoni i Prishtinës.

Emin Beqiri, drejtor i Drejtorisë së Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, ka theksuar se të arrestuarve u janë konfiskuar kartelat e Valë-s, një revole si dhe dëshmi dhe prova të tjera që çojnë në dyshimin e bazuar se të arrestuarit kanë qenë të përfshirë në grabitjen e armatosur në filialën e PTK-së në Arbëri.

“Gjatë bastisjeve, policia ka arritur të gjejë dhe të sekuestrojë një sasi të mbushjeve të vlerave të ndryshme, të cilat dyshohet të jenë grabitur nga filiali i PTK-së, si dhe
një revole të tipit Walter 85 COMBAT cal 9 mm, prodhim italian, që dyshohet të jetë shfrytëzuar nga të dyshuarit në rastin e grabitjes”, thotë Beqiri.

Policia, në bazë të provova dhe dëshmive beson se personat e arrestuar për grabitjen e PTK-së në Arbëri, kanë lidhje edhe me tri grabitjet e mëhershme që kanë ndodhur në rajonin e Prishtinës, si në Max Market, Wester Union dhe në një grabitje në afërsi të Gërmisë, ku një qytetar është ndalur dhe grabitur nga këta persona.

Të gjithë të arrestuarit vazhdojnë të mbahen në Qendrën e paraburgimit në Prishtinë, përderisa ata pritet të dalin para Gjykatës.

“Aktualisht policia është në vazhdimësi e sipër të një bastisjeje tjetër si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit lidhur me mundësinë e ndërlidhjes së këtyre personave edhe me rastet e tjera të grabitjeve të ndodhura në kryeqendër”, thonë zyrtarë të lartë të policisë së Prishtinës.

Lajmet e fundit>