Analiza

Po sikur Nokia të lançonte një pajisje me Android

Jul 25 2013
0 Shpërndarje
Po sikur Nokia të lançonte një pajisje me Android

Ndoshta të gjithëve na ka shkuar në mendje kjo pyetje: Po sikur Nokia të lançonte një pajisje me Android? Faktikisht, kjo pyetje nuk mbetet vetëm brenda një diskutimi shoqëror, pasi është analizuar edhe nga vetë gazetarët dhe analistët e teknologjisë.

Në shkurt të vitit 2011 Nokia lajmëroi se do të zgjidhte Windows Phone si sistemin e saj të ardhshëm operativ për smartfonët, në vend të Android-it.

Nëse shohim situatën e sotme, duket mjaft e vështirë që kompania të largohet nga Windows Phone për Android-in. Do të sillte shumë pak vlerë në terma afatshkurtër e për më tepër, do të ishte mjaft e vështirë t’i shiste këto pajisje në terma afatmesëm. Ku qëndron problemi?

Fillimisht duhet të kuptojmë se është prania e Nokia-s ajo që bën diferencën në tregun e Windows Phone – mos harroni muzikën streaming, softuerët e navigimit të hartave, kamera e shkëlqyer dhe përpunimi i imazhit etj. Të gjitha këto janë aplikacione që do të duhet të krijoheshin nga e para për Android. Zhvillimi i tyre do të kërkonte kohë. Nokia do ta kishte shumë të vështirë të shiste pajisje Android pa këto lloj aplikacionesh, sepse në fund të fundit, konkurrenca në tregun e këtij sistemi operativ është më e fortë se ajo në Windows Phone.

Por edhe sikur të supozojmë se këto aplikacione do të jenë të gatshme në momentin e lançimit të një pajisje Nokia me Android, tek të gjithë të interesuarit e kompanisë do të ngrihej një pikëpyetje e madhe se përse Nokia nuk po përpiqet të përmirësojë Windows Phone-in por po kalon tek Android-i?

Një arsye tjetër pse Nokia nuk mund të lançojë një pajisje me Android ka të bëjë me identitetin e kompanisë. CEO-ja i saj, Stephen Elop, ka deklaruar se fillimisht kishin biseduar me Google për të Android-in, por në fund vendosën se kostoja, si në terma monetare ashtu edhe në termat e ndarjes së të drejtave me Google, ishin shumë të larta. Një rikthim në tryezën e bisedimeve do të shënonte një lëvizje dobësie për Nokia-n.

Së fundmi, Nokia ka një farë prestigji në botën e Windows Phone, ashtu siç ka pasur dikur në botën e celularëve. Në këtë treg, ajo është dominantja.

Sa herë mendojmë për Windows Phone, e lidhim atë gjithmonë me Nokia-n. Prandaj, tashmë është e rëndësishme që kompania të vazhdojë me ndërtimin e historisë së Windows Phone dhe jo të rifillojë nga fillimi. (PCWorld Albanian)

nokia

Lajmet e fundit>