Lajmet

Policia e Kosovës demonton antenat e operatorëve mobil ilegal

Apr 23 2010
0 Shpërndarje
Policia e Kosovës demonton antenat e operatorëve mobil ilegal

Ndalimi i operimit të operatorëve ilegal të kompanive të telefonisë mobile nga Serbia vjen pas kërkesës së Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit. Operatorët mobil Telekom Serbia, Telenor dhe Vip tash e disa vite kanë të instaluara antenat e tyre në territorin e Republikës së Kosovës pa licencë nga ART-ja, gjë që i ka shkaktuar humbje operatorëve legal që operojnë në Kosovë. Operatorët legal Vala dhe IPKO vazhdimisht kanë kërkuar nga ART që të ndalojë operimin e operatorëve ilegal në territorin e Kosovës.

Në këtë aksion të Policisë së Kosovës janë demontuar antenat në Badovc, Lipjan, Babin Most dhe Obiliq, derisa gjatë këtij aksioni që ka filluar në orën 5 të mëngjesit nuk ka pasur ndonjë incident.

Në territorin e Kosovës përveç operatorëve mobil nga Serbia, në zonat kufitare depërtojnë edhe valët e operatorëve tjerë të vendeve fqinje, derisa operatorët e telefonisë mobile nga Serbia kishin arritur që sinjalin e tyre ta shtrinin edhe deri në Prishtinë me kualitet maksimal pa ndonjë licencë nga organet shtetërore të vendit.

Lajmet e fundit>