Lajmet

Policia e Shtetit vë në dispozicion dy aplikacione që qytetarët të denoncojnë krimin kibernetik

Nov 25 2014
0 Shpërndarje
Policia e Shtetit vë në dispozicion dy aplikacione që qytetarët të denoncojnë krimin kibernetik

logoPolicia e Shtetit Shqiptar, në kuadër të iniciativave për parandalimin e korrupsionit dhe krimit kibernetik, ka vënë në funksion 2 aplikacione kompjuterike, të cilat gjenden në faqen zyrtare të policisë në internet dhe shërbejnë për marrjen në kohë të njoftimeve, raportimeve, apo informacioneve nga publiku mbi fakte dhe rrethana, lidhur me veprat penale të korrupsionit dhe abuzimit në detyrë, si dhe të krimeve kompjuterike.

“Ftojmë qytetarët e dëmtuar nga veprimet korruptive të punonjësve të administratës apo nga krimet kompjuterike, që të shfrytëzojnë dhe përdorin aplikacionet kompjuterike “Raportimi elektronik i korrupsionit” dhe “Raportimi online i krimit kompjuterik”, të cilat gjenden në adresën www.asp.gov.al, në rubrikat “Denonco korrupsionin në administratë” (www.asp.gov.al/denonco_ka) dhe “Denonco Krimin Kompjuterik” (www.asp.gov.al/denonco_kk)”- thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së shtetit publikuar gjatë ditës së sotme.

Çdonjëri nga aplikacionet përbëhet nga dy module, të cilat janë “Raportim” dhe “Informacion”. Sipas policisë, qytetari, që është viktimë e veprimeve korruptive dhe abuzive nga zyrtarë të administratës publike, viktimë e krimit kompjuterik apo dëshmitar gjatë kryerjes së veprimeve të paligjshme dhe kërkon që të kontaktojë Policinë e Shtetit, për vazhdimin e procedurave të kallëzimit penal, duhet të plotësojë modulin “Raportim”, në të cilën është i detyrueshëm plotësimi i të dhënave personale si: emër mbiemër, adresa, numri i telefonit apo adresa e postës elektronike. Në çdo rast, qytetari do të kontaktohet nga punonjësit e policisë të ngarkuar me ndjekjen e rastit, për vazhdimin e veprimeve përkatëse.

Ndërkohë nëse qytetari kërkon të mbetet anonim, por ka dijeni për veprime korruptive apo për kryerjen e një krimi kompjuterik, mund të përdorë modulin “Informacion”, në të cilën nuk është e detyrueshme dhënia e informacioneve mbi të dhënat personale.

Policia e Shtetit, njëherazi u kujton qytetarëve që aplikacionet të mos përdoren për arsye të tjera, pasi kjo do të përbëjë shkak për fillimin e procedimit penal ndaj abuzuesit.

Po ashtu, policia sensibilizon qytetarët, lidhur me kujdesin që duhet të tregojnë lidhur me përdorimin e komunikimit elektronik gjatë kryerjes së transaksioneve financiare, pasi mund të bien pre e mashtrimeve, nga persona të dyshuar, të cilët kanë si synim përfitimin e shumave monetare.

Veçanërisht qytetarët këshillohen, që:

* Të tregohen të kujdesshëm në verifikimin e adresave të postës elektronike, me të cilën kryhet komunikimi për arsye se mjafton ndryshimi i një karakteri të vetëm të emërtimit të postës elektronike dhe komunikimi të kryhet me një përdorues tjetër (autori i mashtrimit).

* Të përdorin postë elektronike të sigurtë, duke shmangur sa më shumë postën publike.

* Të vendosin masa sigurie të forta për aksesimin e postës elektronike e lidhur me pajisje kompjuterike, të cilat të jenë me antiviruse, antispam etj.

* Përveç kontakteve elektronike midis dërguesit dhe marrësit, të vendosin dhe kontakte të tjera, të cilat duhen përdorur me detyrim në momentin e kryerjes së transaksionit.

* Të verifikohet faqja elektronike, ku jepet shërbimi pasi mund të jetë mashtruese. * Të denoncojnë apo raportojnë çdo rast në adresën www.asp.gov.al/denonco_kk. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>