Siguri

Policia Shqiptare arreston 4 falsifikues të kartelave bankare

Feb 4 2011
0 Shpërndarje
Policia Shqiptare arreston 4 falsifikues të kartelave bankare

“Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin, me karta bankare të falsifikuara, kanë kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh bankare në vlerë rreth 150 000 euro, nëpërmjet terminaleve ‘’POS” të vendosura në disa nga subjektet tregtare, kryesisht të zonës së plazhit të Durrësit, qendrave tregtare në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.”- thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë sot nga policia e Shqipërisë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky grup, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një sërë sulmesh të suksesshme me kartela bankare të falsifikuara në bankomate të bankave të nivelit të dytë në Tiranë, gjatë periudhës Shtator-Tetor. Ndërkohë gjatë muajve Janar-Shkurt 2011, ky grup ka kryer blerje të mallrave ushqimore, mallra industriale, furnizime me karburante të mjeteve me të cilat qarkullonin, në disa supermarkete, bare e restorante, hotele dhe pika karburanti nëpërmjet terminaleve “POS”, që ofronin këto shërbime.

Sipas policisë gjatë kësaj periudhe të arrestuarit kanë kryer mbi 100 transaksione me vlerë rreth 150,000 euro.

Sipas balkanweb.com, në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe pajisje kompjuterike “Skimmer” që shërbejnë për klonimin e kartelave, dhjetra karta plastike me shirit magnetik në të cilat janë hedhur të dhënat e kartelave bankare të vjedhura, një laptop që ka shërbyer për programimin e këtyre të dhënave dhe një automjet.

Operacioni është kryer nga sektori Kundër Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit të Shqipërisë në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Kukës dhe Durrës, si dhe shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale. /pcworldalbanian

Lajmet e fundit>