Lajmet

Politikat e privatësisë së Google-it shkelin ligjet holandeze

Nov 30 2013
0 Shpërndarje
Politikat e privatësisë së Google-it shkelin ligjet holandeze

Praktikat e Google-it për të kombinuar të dhënat personale nga shërbime të ndryshme të kompanisë shkelin aktin e mbrojtjes së të dhënave në Holandë, shprehet Autoriteti Holandez i Mbrojtjes së të Dhënave.

Megjithatë, tani për tani, kompania nuk do të përballet me ndonjë pasojë. Në mars 2012, Google prezantoi politikën e re të privatësie që i lejonte të shpërndante të dhënat personale përmes gjithë produkteve dhe shërbimeve të kompanisë.

Gjithsesi, Google i bëri këto ndryshime pa i informuar siç duhej përdoruesit si dhe pa pyetur për miratimin e tyre, shprehet Autoriteti Holandez i Mbrojtjes së të Dhënave në një njoftim për shtyp.

“Hetimet tona treguan se Google nuk i njofton siç duhet përdoruesit se për çfarë të dhënash personale bëhet fjalë dhe përse do të përdoren ato,” shkruhet në njoftim. Duke bërë këtë gjë, “Google vendos një rrjetë të padukshme mbi të dhënat tona personale, pa miratimin tonë,” çka është e ndaluar me ligj, shprehet Autoriteti Holandez i Mbrojtjes së të Dhënave.

Thjesht dërgimi i ftesave për të rënë dakord me një politikë të përgjithshme privatësie nuk mjafton, shton Autoriteti në fjalë. “Është pothuajse e pamundur të mos përdorësh shërbimet e Google në internet,” vazhdon njoftimi.

Shumë prej përdoruesve të internetit në Holandë përdorin kërkimin në Google, shohin video në YouTube apo përdorin Gmail-in, ndërkohë që Google mbledh të dhëna edhe nga njerëzit që nuk e përdorin atë kur këta të fundit vizitojnë një prej 2 milionë faqeve që përdorin cookie-t e tij.

Autoriteti Holandez i Mbrojtjes së të Dhënave theksoi se një pjesë e të dhënave janë sensitive dhe mund të përdoren nga Google për qëllimet e veta. Por, edhe pse ky Autoritet vlerëson se ka të bëjë me një shkelje të ligjit, nuk do të marrë masa, të paktën për momentin. (PCWorld Albanian)

Child abuse web searches

Tags >

Google
Lajmet e fundit>