Lajmet

Portali e-Albania hap edicionin e tretë të konkursit të turizmit

Sep 28 2017
0 Shpërndarje
Këtë edicion do të ketë edhe një kategori të katërt të emërtuar "NewLogo". Të gjithë të apasionuarit e dizajnit Portali e-Albania hap edicionin e tretë të konkursit të turizmit Photo Source: e-Albania

Sezoni veror ka përfunduar dhe pjesa më e madhe e juaja i ka mbyllur pushimet. Me siguri aparati, smartphone apo kompjuteri juaj është mbushur me kujtime të verës që lamë pas. Nëse keni vizituar vende turistike, kulturore dhe historike brenda territorit të Shqipërisë që ju kanë lënë mbresa, atëherë ju ftojmë të merrni pjesë në edicionin e tretë të Konkursit të Turizmit që zhvillon Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, në portalin qeveritar e-Albania.

Të gjithë përdoruesit e regjistruar, por edhe përdorues të rinj ftohen të jenë pjesë e këtij konkursi, tashmë traditë e portalit e-Albania, që të rrëfejnë përmes fotove, videove, pikturave dhe eseve përshtypjet e tyre nga udhëtimet anekënd Shqipërisë, një vend i vogël në hartë, por që mbart thesare të paçmuara natyrore, kulturore dhe historike.

Ndaj, të gjithë të apasionuarit pas fotografisë, pikturës, reportazheve të shkurtra dhe eseve do të kenë mundësinë të nxjerrin në pah bukurinë dhe veçantinë e vendit tonë. Konkursi përbëhet nga tre kategori: fotografi/pikturë, video dhe ese, të cilat kanë një temë të përbashkët: turizmin shqiptar.

Fotografitë duhet të jenë të zhanrit artistik, të bëra gjatë udhëtimeve turistike në Shqipëri si dhe pikturat të kenë në sfond zona turistike shqiptare. Videot duhet të jenë në formën e reportazheve të shkurtra, të realizuara gjatë udhëtimeve turistike në Shqipëri. Esetë duhet të jenë shkrime në të cilat të reflektohet një eksperiencë mbresëlënëse apo një vështirësi me të cilën është ndeshur personi gjatë një udhëtimi turistik në Shqipëri.

Këtë edicion do të ketë edhe një kategori të katërt të emërtuar “NewLogo”. Të gjithë të apasionuarit e dizajnit, mund të sjellin propozimet e tyre për logon e re të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, ku vlerësimi final do të jepet nga ekspertët e fushës.

Por cilat janë kriteret e aplikimit për në Konkursin e Turizmit?

Janë shumë të thjeshta, mjafton të ndiqni me kujdes udhëzimet:

Dërgimi i materialeve realizohet nëpërmjet portalit qeveritar e-albania. Për të dërguar aplikimin, duhet të jeni përdorues i regjistruar i portalit (klikoni këtu për t’u regjistruar). Çdo përdorues i portalit mund të dërgojë në total 5 aplikime (për të gjitha kategoritë e konkursit).

Kriteret e aplikimit për kategorinë fotografi/pikturë:

  • Fotografitë/pikturat duhet të jenë materiale autentike tuajat
  • Madhësia maksimale e skedarit nuk duhet të kalojë 4 MB si dhe nuk duhet të përmbajë shkronjën “ë” ose “ç” në emërtim
  • Titulli që shoqëron aplikimin nuk duhet të kalojë 100 karaktere
  • Përshkrimi që shoqëron aplikimin nuk duhet të kalojë 700 karaktere

Kriteret e aplikimit për kategorinë video:

  • Videoja duhet të jetë reportazh autentik i juaji
  • Videoja nuk duhet të kalojë minutazhin maksimal prej 10 minutash
  • Titulli që shoqëron aplikimin nuk duhet të kalojë 100 karaktere
  • Përshkrimi që shoqëron aplikimin nuk duhet të kalojë 700 karaktere

Kriteret e aplikimit për kategorinë ese:

  • Eseja duhet të jetë shkrim autentik i juaji
  • Madhësia maksimale e skedarit nuk duhet të kalojë 4 MB si dhe nuk duhet të përmbajë shkronjën “ë” ose “ç” në emërtim
  • Numri i fjalëve në ese nuk duhet të jetë më tepër se 1000
  • Titulli që shoqëron aplikimin nuk duhet të kalojë 100 karaktere
  • Përshkrimi që shoqëron aplikimin nuk duhet të kalojë 700 karaktere

Sa do të zgjasë konkursi dhe cila janë kriteret e vlerësimit? 

Konkursi është i parashikuar të zgjasë 8 javë dhe është i ndarë në dy faza.

Faza e parë do të zhvillohet në periudhën 27 shtator-25 tetor , ku do të priten të gjithë aplikimet për secilën kategori. Faza e dytë do të zhvillohet në datat 25 tetor- 21 nentor, ku do të votohet për aplikimet e sjella në tri kategoritë foto, video, ese.Fituesit e konkursit, së bashku me fituesin e logos më të mirë do të shpallen në një ceremoni që do të organizohet më 22 nëntor.

Përcaktimi i fituesve të konkursit do të realizohet përmes një votimi online në portalin e-Albania ku çdo përdorues i e-Albania do të ketë mundësi të votojë një numër të pakufizuar aplikimesh për çdo kategori, duke dhënë një votë në total për çdo aplikim të parapëlqyer.

Cilat do të jenë çmimet?

Për tre vendet e para do të jepen paketa udhëtimi dhuratë, që do të zbulohen në javët në vazhdim, ndërsa për fituesin e kategorisë “NewLogo” do të dhurohet një pajisje elektronike.

Aplikoni tani për të qenë pjesë e edicionit të tretë e Konkursit të Turizmit!

Për cdo pyetje që keni ju lutem na shkruani në këtë adresë [email protected]

Tags >

e-albania
Lajmet e fundit>