Lajmet

Prej dy javësh Vala lë pa shërbim abonentët në qytetin e Prishtinës

Jul 11 2017
0 Shpërndarje
Problemet janë shfaqur kryesisht në qytetin e Prishtinës ku konsumatorët e kompanisë e kanë të pamundur të kryejnë thirrje telefonike, të dërgojnë SMS dhe të qasen në internet edhe pse nuk mungojnë valët celulare. Prej dy javësh Vala lë pa shërbim abonentët në qytetin e Prishtinës Photo Source: Vala

Prej dy javësh operatori më i madh i telefonisë së lëvizshme në Kosovë për nga numri i abonentëve, Vala, është shoqëruar nga probleme të cilat sipas operatorit vinë nga punimet që po bëhen në rrjet.

Problemet janë shfaqur kryesisht në qytetin e Prishtinës ku konsumatorët e kompanisë e kanë të pamundur të kryejnë thirrje telefonike, të dërgojnë SMS dhe të qasen në internet edhe pse nuk mungojnë valët celulare.

Në një lajmërim të dërguar për herë të parë ditën e Marte tek konsumatorët e saj me anë të një SMS-je, Vala pranon problemet të cilat sipas kompanisë janë si rezultat i përpjekjeve të saj për avancimin e rrjetit dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve shkruan në mesazhin e dërguar.

“Vala është duke realizuar punime me qëllim të avansimit dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve fillimisht në regjionin e Prishtinës. Telekomi i Kosovës ju falenderon për mirëkuptim në rast të mungesës eventuale dhe momentale të shërbimeve si pasojë e investimeve të reja në rrjet, si dhe shtimin e antenave të reja nëpër zona dhe lokacione të caktuara,” shkruhet në njoftimin e dërguar nga Vala.

Konsumatorët raportojnë se shërbimi i telefonisë së lëvizshme të Vala në Prishtinë është pothuajse jashtë funksionit në dy javët e fundit ndërsa lajmërimet e para kanë ardhur vetëm në ditët e fundit përmes rrjetit social Facebook dhe tashmë me anë të një SMS-je.

Problemet më të fundit të kompanisë vinë pasi Telekomi i Kosovës i shpëtoi falimentimit si rezultat i mosmarrëveshjeve me operatorin tjetër Z Mobile.

Javën e kaluar operatori shprehej se Telekomi i Kosovës tashmë kishte 120 stacione të reja të teknologjisë 4G LTE të cilësisë dhe shpejtësisë së lartë.

Vala është operatori më i madh në Kosovë me 59.8% të abonentëve, ndjekur nga IPKO me 32.6% dhe Z Mobile me 7.62%. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>