Lajmet

Premtohet internet për çdo familje në Shqipëri

Mar 18 2010
0 Shpërndarje
Premtohet internet për çdo familje në Shqipëri

Gjatë këtij takimi, Ministri Pollo deklaroi së është bërë një përparim i mirë në procesin e miratimit të legjislacionit të shoqërisë së informacionit, në përputhje me standardet e BE-së.

Sipas tij, është bërë përparim i duhur në miratimin e ligjeve për komunikimet elektronike, nënshkrimin elektronik, shumë shpejt edhe për ligjin e dokumentit elektronik, ligjin për tregtinë elektronike, për mbrojtjen e të dhënave elektronike dhe legjislacionin për cyber-krimin, e së shpejti edhe për databazat.

Vitin e kaluar, u miratua nga Qeveria një strategji e re për shoqërinë e informacionit, si dhe ajo për “Shkencën, Teknologjinë, dhe Inovacionin”.

Ndërkaq, janë themeluar qe gati tre vite Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), dhe së fundmi Agjencia për Kërkim, Teknologji dhe Inovacion (AKTI), si dhe institucioni i Ministrit të Shtetit si përgjegjës për TIK dhe Komunikimet Elektronike dhe Postare.

Shkollat publike janë pajisur gjatë 4 viteve të fundit me laboratorë kompjuterikë, të lidhur me Internet broadband dhe janë hartuar e përshtatur kurrikulat për TIK dhe përmes mediumit të TIK, ndërsa Regjistri Kombëtar civil është dixhitalizuar.

Sistemi i prokurimit elektronik është zbatuar që nga fundi i vitit 2007 dhe aktualisht të gjitha prokurimet publike realizohen në mënyrë elektronike. Shërbimi i Taksës elektronike është ofruar në vend që nga viti 2008; Deklarata doganore bëhet në mënyrë elektronike dhe Pasaportat e para biometrike janë lëshuar në fillim të vitit të kaluar.

Regjistrimi i bizneseve bëhet me “one stop shop”, që prej vitit 2007 në Qendra Kombëtare e Regjistrimit dhe së fundmi në Qendrën Kombëtare të Licencimit për marrjen e licencave.

Gjithashtu, ministri Pollo bëri të ditur se po zbatohet një projekt për të ngritur pika aksesi për publikun në të gjitha Zyrat e Postës Shqiptare. “Por zhvillimi i shoqërisë së informacionit dhe zbatimi i qeverisjes elektronike është një proces i gjatë dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë” u shpreh ai.

“Ne po punojmë shumë për të arritur qëllimet dhe për të përmbushur ambiciet tona drejt integrimit në BE” vazhdoi ministri Pollo. Ai më tej rikujtoi se jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan normat e përdorimit të TIK dhe të broadband  janë krahasimisht më të ulëta se mesatarja e BE-së dhe se çdo vend po përpiqet të zhvillojë këtë sektor me hapa eksponenciale ashtu siç evoluon edhe kjo teknologji.

Vetëm para dy ditësh, Komisioni Federal i Komunikimeve në SHBA propozoi objektiva si 90% penetrim broadband dhe lidhje të banesave me 100 Mbs, duke theksuar se interneti po zëvendëson si medium, telefoninë dhe televizionin tradicional.

Qeveria e Shqipërisë inicioi programin “Shqipëria dixhitale” si pjesë e programit të saj për periudhën 2009-2013.

Iniciativa “Shqipëria dixhitale” nuk ka në thelb të saj përdorimin e kompjuterit, sistemet e bazave të të dhënave në internet dhe web faqet- edhe pse të gjitha këto janë të rëndësishme, por ajo ka të bëjë me përdorimin e tyre për të nxitur qeverisje efektive dhe politika demokratike, gjithëpërfshirëse. Ajo sidomos ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve krejtësisht të reja edhe për imagjinatën e sotme.

“Brenda këtij mandati, ne do të pajisim çdo nxënës me kompjuter, do të kemi çdo kompjuter të lidhur me internet. Edhe banori i krahinës më të largët, po të dojë, përmes celularit të tij, do të mund të paguajë faturat e dritave, ujit apo telefonit” deklaroi ministri Pollo.

Shqipëria është pjesë e iniciativës rajonale eSEE, që nga viti 2002 me nënshkrimin e programit “eAgenda”, e cila është rikonfirmuar me nënshkrimin në Tetor të vitit 2007, të programit “eAgenda Plus” nga Ministria e Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacioneve.

Iniciativa eSEE është zhvilluar në kuadrin e Paktit te Stabilitetit për Rajonin e Europës Juglindore dhe nën frymën e Strategjisë së Lisbonës të Bashkimit Europian për “eEuropa” (electronic Europa) dhe më pas të Strategjisë “i2010” të BE për zhvillimin e një shoqërie të informacionit gjithpërfshirëse.

Përmbledhur ndër prioritetet e dokumentit të eSEE AGENDA+, mund të përmenden:

  • Krijimi i një hapësire të vetme informacioni për Evropën Juglindore që nënkupton zhvillimin e infrastrukturës së teknologjisë së informacionit, përdorimin e rrjeteve broadband të shpejtësisë së lartë të komunikimit, adoptimin e rrjeteve kombëtare të ndërveprueshme me ato evropiane për të siguruar përshtatshmëri dhe kooperim të sistemeve.
  • Nxitja e novacioneve dhe investimeve në kërkim dhe edukim që përfshin kompjuterizimin dhe aksesin e internetit në shkolla, futjen e kurrikulave për aftësi në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK), krijimin e qendrave të trajnimit për TIK etj.
  • Shoqëria e Informacionit gjithëpërfshirëse, duke garantuar aksesin për të gjithë dhe mundësi të barabarta ofrimi.

Synimi kryesor i iniciativës rajonale eSEE është promovimi i konceptit të qeverisjes më të mirë përmes përdorimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

Anëtarët e eSEE janë: Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i zi, Kroacia, Maqedonia, Moldavia, Rumania dhe Serbia. Ajo mbështetet nga organizatat ndërkombëtare dhe nacionale si Komisioni Evropian, UNDP, UNECE, USAID, USCDLP, INA Academy, etj.

Lajmet e fundit>