Lajmet

Prezantohet projekti i regjistrit elektronik të ndihmës ekonomike në Shqipëri

May 13 2014
0 Shpërndarje
Prezantohet projekti i regjistrit elektronik të ndihmës ekonomike në Shqipëri

big_1l6a8850Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ka zgjedhur qytetin e Fushë-Krujës për të prezantuar sistemin e modernizimit të ndihmës ekonomike, i cili prej disa muajsh po pilotohet në tre qarqet më të mëdha në vend, Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Projekti i mbështetur nga Banka Botërore ka të bëjë me ngritjen e Regjistrit Elektronik të përfituesve të ndihmës ekonomike dhe ndihmon në uljen e abuzimeve dhe rritjen e transparencës me këtë skemë.

Në fjalën e tij, ku një vend të veçantë zuri edhe nisma “Java e Inovacionit”, ministri Veliaj nënvizoi se nga sot e tutje skema nuk do të quhet më “Ndihma Ekonomike”, por “Shqipëria Solidare”. Duke u fokusuar tek projekti i modernizimit të skemës, ministri Veliaj tha se sistemi kompjuterizon procesin dhe në fund, vendimin nëse një person duhet të përfitojë ose jo ndihmë ekonomike e merr kompjuteri me anë të një formule të ndershme që verifikon të gjithë informacionin.  

Ai përmendi edhe disa nga risitë që skema “Shqipëria Solidare” do të sjellë me zbatimin e saj në terren, duke filluar nga lidhja me zyrat e punësimit. Veliaj tha se kompanitë që punësojnë njerëz që marrin ndihmë ekonomike përfitojnë 4 rroga dhe 12 muaj sigurime shoqërore falas nga Fondi i Nxitjes së Punësimit.

Në fazën e tij të parë, projekti pilot për modernizimin e ndihmës ekonomike do të zbatohet në qarqet Elbasan, Tiranë dhe Durrës. Më pas, në një fazë të dytë, do të shtrihet në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe duke vijuar në të njëjtën linjë, do të shërbejë për ngritjen e moduleve shtesë si “Ngritjen e Regjistrit Elektronik Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuar”.

Risitë e këtij sistemi elektronik kombëtar të dhënash janë: përfshirje sociale më e gjerë e kategorive në nevojë; rritje të transparencës; rritje të cilësisë së shërbimit të ofruar për ndihmën ekonomike; shmangie të rasteve të abuzimit me skemën e ndihmës ekonomike dhe sistem pikëzimi për vlerësimin e ndihmës ekonomike. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>