Lajmet

Prezantohet zyrtarisht portali qeveritar

Mar 13 2009
0 Shpërndarje
Prezantohet zyrtarisht portali qeveritar

Në këtë prezantim, ku ishin të pranishëm kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, ministra, zëvendësministra, ekspertë të teknologjisë informative dhe përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë, u tha se Portali i ri qeveritar është një dritare, që do të mundësojë zbatimin e qeverisjes elektronike, duke u ofruar shërbime institucioneve, qytetarëve dhe bizneseve. Kryeministri Thaçi theksoi, mes të tjerash, se “Qeverisja elektronike (e-Qeverisja) është një nga prioritetet e Qeverisë. Mu për këtë Qeveria e Republikës së Kosovës ka hartuar dhe miratuar strategjinë për e-Qeverisje 2009-20015. Me e-Qeverisjen, jo vetëm Qeveria, shoqëria kosovare, por edhe komuniteti i biznesit përfiton nëpërmjet një administrate të shpejtë dhe efikase, theksoi kryeministri Thaçi. Ndërkaq, dr. Arsim Bajrami, ministër i MSHP-së, Portalin e ri qeveritar e cilësoi si magjistral, që do t’i shkurtojë pritjet e gjata, duke iu ofruar shërbime cilësore qytetarëve, institucioneve dhe bizneseve.

Prezantimin ideor të e-Portalit e paraqiti z. Isa Krasniqi, drejtor i DTI-së, ndërkaq menaxheri i këtij projekti z. Hekrem Sadiku, demonstroi para të pranishmëve qasjen dhe prezantoi përmbajtjen e Portalit të ri Qeveritar.

Portali synon që të t’i lehtësojë qytetarëve të Republikës së Kosovës procedurat për nxjerrjen e dokumenteve personale, marrjen e informacioneve rreth procedurave të ndryshme ligjore, informacione për institucionet e Republikës dhe shumë informacione të dobishme
Portali ende është në fazën beta dhe planifikohet lansimi i shumë shërbimeve online, si aplikimi online për nxjerrjen e certifikatës së lindjes, aplikimi për dokumente tjera personale, regjistrimi i veturës, shikimin e gjendjes së llogarisë në KEK, gjendjen e llogarisë në Trustin Pensional dhe shumë shërbime tjera.

Për më shumë informacione vizitoni portalin qeveritar në www.rks-gov.net.
 

Lajmet e fundit>