Analiza

Printimi 3D, revolucioni i ri

Jul 28 2011
0 Shpërndarje
Printimi 3D, revolucioni i ri

Studentët e disa universiteteve botërore kanë pasur rastin të eksperimentojnë me teknologjinë e re të quajtur “printim 3D”, gjë që ju ka mundësuar atyre të krijojnë prototipe rapide të dizajneve të tyre. Edhe pse printimi 3D është i ngadalshëm dhe merr kohë, ai është prapë më i shpejtë sesa metodat tradicionale (krijimi i maketave) dhe e bënë shumë më të lehtë ndryshimin me vetëm një prekje të vogël në modelin kompjuterik. 

Në vend të printimit të ngjyrës në letër, 3D printerët përdorin një pluhur të imtë që sistemohet në një material të fortë sikurse plastika, duke krijuar një objekt shtresë pas shtrese. Kjo humbet më pak material sesa krahasuar me metodat tradicionale dhe e bënë të mundur prodhimin e gjërave që janë shumë të vështira për tu prodhuar në forma tjera. 

Ajo që sot përdoret për prototipe rapide, së shpejti mund të sjellë ndryshime masive jo vetëm në industri por edhe në vet shtëpitë tona. Deri sot ka qenë e mundur vetëm printimi me materiale plastike, por sot është e mundur edhe të printohet me metale, najlon, letër të ricikluar e madje edhe printim në një objekt që përdorë materiale të përziera.

Prodhuesit e aeroplanëve janë duke hulumtuar mundësitë përmes kësaj teknologjie, ndërsa disa shkencëtarët tjerë thonë se në të ardhmen do të jetë e mundur që ne të printojmë mobiliet tona. “Kur mund të printosh diçka si pjesë të një ndërruesi të shpejtësive, është gjë e fuqishme… por kur të printosh një ndërrues të plotë të shpejtësive dhe që është funksional, kjo është diçka tërësisht e re” tha një ndërmarrës dhe entuziast i së ardhmes, Peter Cochrane. 

Përderisa në Universitetin e Prishtinës për të printuar një plan në letër studenti duhet të shfrytëzoj fotokopjet me pagesë që janë të panumërta afër Fakulteteve, shkollat në Kaliforni janë duke vënë në funksion 3D printer, në një formë të ngjashme sikurse që filluan me adoptimin e kompjuterëve në vitet e 80-ta. 

Në mjekësi, hulumtuesit veçse kanë printuar eshtra artificial për të skanuar më mirë eshtrat real të një pacienti dhe ka pasur raste edhe të vendosjes së impianteve për të zëvendësuar ata të dëmtuarit. 

Sipas parashikimeve 3D printerët së shpejti do të bëhen produkte të zakonshme dhe një prototip që printon elemente si 3D printer mund të krijohet për më pak se 350 euro. Ai mund të printojë shumë gjëra, siç janë gotat, elementet e dyerve apo gjëra tjera të kësaj madhësie. 

I vetmi problem që parashikohet si mjaft kyç është e drejta autoriale, pasi që në të ardhmen mund të shohim njerëz që printojnë ndërrues të shpejtësive apo rafte të librave, në bazë të skemave të përgatitura por të shkarkuara në mënyrë ilegale. /pcworldalbanian

Tags >

printer
Lajmet e fundit>