Lajmet

Prishtina Hackerspace, hapësira ku mund të lindë inovacioni

Jul 18 2014
0 Shpërndarje
Prishtina Hackerspace, hapësira ku mund të lindë inovacioni

Altin UkshiniAltin Ukshini është njëri nga themeluesit e Prishtina Hackerspace. Kjo hapësirë bashkëpunuese ende nuk është hapur zyrtarisht, ndërsa më 23 korrik të këtij viti do të hapet fushata për marrjen e fondeve, të cilat më pas këto të ardhura mund të ndihmonin në zhvillimin e aktiviteteve të parashikuara. Ukshini në një intervistë ekskluzive për PCWorld Albanian flet rreth Prishtina Hackerspace.

PCW: Çfarë është konkretisht Prishtina Hackerspace?

Prishtina Hackerspace është një hapësirë eksperimentuese, bashkëpunuese e hapur ekskluzivisht për qëllime teknologjike, edukative, kulturore dhe shkencore. Qëllimi i hapësirës është që të: Sigurojë hapësirë të punës, pajisje dhe burime të tjera për përdorim të përbashkët nga të gjithë anëtarët; inkurajojë mësim të vazhdueshëm pas orarit mësimorë nëpërmjet seancave praktike, klasave, seminareve dhe mentorimit dhe të krijojë një mjedis të sigurt dhe të hapur për eksperimentim në teknologji dhe art.

PCW: Pse është hapur?

Rinia e Kosovës ka mungesë të aktiviteteve të programuara dhe të hapura për të gjithë, veçanërisht ato që vënë në dukje aftësitë dhe aktivitetet unike. Kjo nevojë bëhet më akute gjatë pushimeve të verës kur nuk ndodhin shumë aktivitete edukative për të mbajtur këta të rinj të angazhuar. Ne jemi të vetëdijshëm dhe krenar për faktin se popullata e Kosovës është një nga më të rejat në Evropë. Në Kosovë, gjysma e popullsisë është nën moshën 27 vjeçare, gjë që paraqet një potencial të jashtëzakonshëm dhe energji për zhvillim, talent dhe kreativitet.

Megjithatë, ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se çdo potencial i tillë kërkon një drejtim të duhur të kësaj energjie. Nevojat, dëshirat dhe ambiciet e të rinjve duhet të jenë të drejtuara drejt konkretizimit të tyre dhe adresuar në mënyrë që kjo pjesë më vitale e popullsisë të mund të japë një kontribut të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Prandaj, ne besojmë se një hapësirë e hapur bashkëpunuese, ku personat me interesa të njëjtë mblidhen për të ndarë njohuritë, për të punuar në projekte, të bëjnë inovacion, të ndërtojnë dhe socializohen është kritike për të ndihmuar zhvillimin e këtyre aftësive dhe të ardhmen e vendit tonë. Hapësira të tilla janë gjithashtu të përshtatshme për profesionistët, por edhe persona tjerë të fushës së teknologjisë të cilët kanë nevojë për të ndarë ose të aplikojnë aftësitë e tyre së bashku me njerëz të tjerë në një mjedis më pak formal.

Për të trajtuar problemin e përmendur më lart ne propozojmë hapjen e një hackerspace, një mjedis të hapur pjesëmarrjeje, ku njerëzit e të gjitha moshave dhe nga disiplina të ndryshme mësojnë në mënyrë praktike, bashkëpunuese, duke bërë prototipe, duke marrë pjesë në gara ndërkombëtare apo edhe duke bërë projekte ambicioze prej makinave fluturuese e deri tek inxhinieria biologjike. Thënë në fjalë të thjeshta, ne duam të hapim një hapësirë të lirë teknologjike, hapësirë bashkë-punimi, ku njerëzit mund të takohen për të punuar në të projekte që kanë të bëjnë me teknologjinë, shkencën, artin dhe kulturën.

Hackerspace-ët janë hapësira fizike të operuara nga komuniteti të cilat kanë ekzistuar për shumë vite në vende të ndryshme të botës dhe kryesisht të udhëhequra në mënyrë të pavarur. Çdo hackerspace është një entitet autonom, por ato të gjitha ndajnë të njëjtën filozofi të të bërit qejf duke ndërtuar gjëra së bashku. Siç përcaktohet nga Wikipedia, “Një hackerspace ose hackspace është një hapësirë fizike (në krahasim me virtuale), vend ku njerëzit me interesa të përbashkëta, zakonisht në shkencë, teknologji, apo art dixhital ose elektronikë mund të takohen, të bisedojnë dhe të bashkëpunojnë. Një hackerspace mund të shihet si një laborator i hapur për komunitetin, dyqan makinerie, punëtori dhe / ose studio ku njerëzit me prapavijë të ndryshme profesionesh mund të vijnë së bashku për të ndarë burimet dhe njohuritë për të ndërtuar dhe bërë gjëra së bashku”.

PCW: Kush mund të bëhet pjesë e Hackerspace?

Të rinjtë të cilët mund të jenë pjesë e aktiviteteve të ndryshme mund të angazhohen në punë edukuese dhe krijuese, të cilët kanë mundësi të shohin projektet e tyre duke u realizuar që nga koncepti e deri në përfundim. Ne presim që shumica e anëtarëve dhe vizitorëve të jenë studentë nga shkollat e mesme dhe nga universitetet, edhe pse nuk e kemi caktuar ndonjë limit moshe. Prishtina Hackerspace mirëpret të gjithë mendjet e ndritura nga bota e teknologjisë, kulturës dixhitale: artist instalacioni, artist dixhital, programues, krijues, grupe të teknologjisë, muzikantë, zanatçi të gatshëm për të mësuar apo ndarë njohuri dhe të punojnë në projekte praktike.

Hackerspace-ët mund ta mbyllin një boshllëk kritik të fuqisë punëtore, si në mënyrë direkte ashtu edhe indirekte, duke promovuar teknologjinë, inxhinierinë, artin dhe kulturën në komunitetin lokal dhe më të gjerë në botë. Përfitues indirekt do të jenë qytetarët nga jashtë/komuniteti që do të përfitojnë nga projektet e zhvilluara në hackerspace. Në mënyrë indirekte hackerspace-i do të jetë frymëzim për zhvillimin e prodhimit të harduerit dhe softuerit, projektimin, artin dhe teknologjinë në përgjithësi.

Përfitimet direkte dhe indirekte në zhvillim ekonomik nga hackerspace-i do të fillojnë që nga aftësimi i individëve dhe zhvillimi i aftësive të tyre për punësim, vetë-punësim, spin-off biznese, e deri tek tërheqja e sipërmarrjeve të mëdha që do të ndihmojnë në ndërtimin dhe zbatimin e fuqisë punëtore teknologjike dhe krijuese në Kosovë.

PCW: Çfarë aktivitetesh pritet të mbahen në këtë hapësirë?

Disa nga aktivitetet e planifikuara janë të strukturuara dhe të tjerat janë gjysmë të strukturuara, gjë që do të thotë ka objektiva për t’u arritur, por pjesëmarrësit janë të lirë të marrin rrugën e tyre me projektet ose të përdorin hapësirën për të punuar në idetë e tyre. Ne duam të ndihmojmë në përhapjen e njohurive në komunitetin e gjerë, sidomos në fushat e teknologjisë , DIY (do it yourself – bëje vetë), të sigurisë dhe privatësisë dhe të ndihmojmë grupet e tjera që ndajnë objektiva të ngjashme.

Paralelisht me projekte individuale, hapësira do të jetë e hapur për seanca praktike të organizuara në mënyrë të pavarur nga anëtarët, ligjërata dhe prezantime, si dhe vetëm tubime të përgjithshme që kanë të bëjnë me shkëmbimin e njohurive, projekteve grupore të teknologjisë për ata që duan të inkubojnë në hackerspace ose ata që vetëm duan të vizitojnë hackerspace-in dhe kërkojnë ndihmë në një projekt të veçantë që ata janë duke punuar.

Çdokush që nuk është pjesë e hackerspace-it do të jetë në gjendje për të hostuar projekte dhe organizojë ngjarje në hackerspace, megjithatë, ato do të jenë paraprakisht të aprovuara nga stafi menaxherial i Prishtina Hackerspace dhe përgjegjësia personale do të ishte e nevojshme nga pjesëmarrësit mbi progresin e bërë. Të tjerë që kanë projekte lidhur me teknologjinë dhe inovacionin social dhe që janë të sponsorizuara veçmas nga organizata të tjera gjithashtu mund të strehohen dhe të punojnë brenda hapësirës së Prishtina Hackerspace.

Një listë e eventeve potenciale grupore/individuale që mund të iniciohen në Prishtina Hackerspace janë: Open Data Hackathons, Cyber Security evente, Seminare praktike në WMKIT Arduino, Kurse dhe seanca praktike në Android dhe iOS, Webmaker Hackjams, Pjesë praktike në OSGeo, Open Meetings çdo të martë, Linux Install Fest, Takime të User grupeve, Workshope mbi CRM, FOSS Bootcamps Workshope në lidhje me artin dhe muzikën etj.

PCW: Çfarë keni planifikuar të bëni më 23 korrik të këtij viti?

Më 23 korrik do të hapim kampanjën e mbledhjes së fondeve duke filluar në ora 19:00 në kafe librarinë Dit e Nat. Në këtë ngjarje do te prezantojmë për herë të parë në publik qëllimin e krijimit të Prishtina Hackerspace, do shpalosen detajet e operimit të Prishtina Hackerspace dhe se si komuniteti mund të bëhet pjesë e kësaj hapësire, dhe se si çdokush nga komuniteti mund të kontribuojë në zhvillimin e kësaj hapësire duke dhënë donacion në para apo edhe pajisje. Për këtë ngjarje kushdo mund të kontribuojë, qoftë me të holla sipas kësaj forme http://www.prishtinahackerspace.org/donate, qoftë me ndonjë pajisje e cila mund të jetë e dobishme për Hackerspace. E pse jo, në fund të fundit jemi duke e bërë këtë për njëri-tjetrin – nga komuniteti, për komunitetin. (PCWorld Albanian)

Tags >

PCWorld
Lajmet e fundit>